Jeff Bezos, njeriu më i pasur në botë, ka krijuar një fond për të financuar projekte dhe kërkime për të mbrojtur mjedisin.
“Bezos Earth Fund” – shpjegon CEO i Amazon në një postim në Instagram, do të fillojë të veprojë në verë. Jeff Bezos tha se do të investojë në këtë fond 10 miliardë dollarë nga pasuria e tij.
“Kjo nismë në nivel botëror do të financojë shkencëtarë, aktivistë, Organizata Jofitimprurëse dhe çdo përpjekje që mund të ofrojë një mundësi reale për të ndihmuar dhe për të mbrojtur mjedisin” – shpjegoi Bezos.
Themeluesi i Amazon tha se fondi do t’u drejtohet “kompanive të mëdha, të vogla, kombeve, organizatave botërore dhe individëve, pasi Toka është gjëja e vetme që kemi të përbashkët dhe duhet ta mbrojmë së bashku”.
Në të kaluarën, Bezos është kritikuar shpeshherë se ka dhuruar shumë pak, në krahasim me miliarderët e tjerë, dhe për angazhimin e pakët të treguar deri më tani në drejtim të qëndrueshmërisë mjedisore. Amazon shpërndan rreth një miliard pako në vit vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kurse Amazon Web Services konsumon një sasi të madhe të energjisë elektrike për të furnizuar serverët e fuqishëm të cloud computing, që janë baza e suksesit të tij.
Në të vërtetë, fondi për Tokën nuk është nisma e parë e ndërmarrë nga Bezos në fushën e qëndrueshmërisë. Në prag të disa grevave në kompaninë e tij për ndryshimet klimatike, Bezos ka nënshkruar “climate pledge”, një angazhim për përdorimin, brenda vitit 2030, të 100% të energjisë së rinovueshme dhe për t’u shndërruar “carbon neutral” në vitin 2040.
Në vitin 2021 pritet të hyjë në shërbim një flotë me 100 mijë makina elektrike për dërgimin e pakove. Në fushën e aktiviteteve të bamirësisë, Bezos ka dhuruar 2 miliardë dollarë për të ndihmuar të pastrehët dhe për të financuar kopshtet e fëmijëve.
Burimi: Forbes