Bezos shton dy parime për udhëheqjen para dorëheqjes si CEO i Amazon

05/07/2021 5:29 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

CEO i Amazon, Jeff Bezos, do të lërë sot pozicionin e tij, më 5 korrik, për t’u bërë drejtues ekzekutiv i këshillit të administrimit të Amazon.

Ai do të përqendrohet më shumë te produktet e reja dhe te nismat e para, sepse siç ka shpjeguar: “Jam një shpikës. Kjo është ajo që më pëlqen më shumë të bëj dhe të cilën e bëj më mirë”.
Në takimin e fundit me aksionerët si CEO i Amazon, ai tha se zgjodhi këtë datë, pasi është dita e themelimit të Amazon në vitin 1994. Andy Jassy, drejtuesi i divizionit cloud-computing të Amazon, do të jetë CEO i ri i kompanisë.

Para se të lërë pozicionin e tij, kompania komunikoi dy parime të reja të leadership-it. Që në ditët e para, Amazon është angazhuar në parime të ndryshme: “Parimet tona të udhëheqjes përshkruajnë se si Amazon bën biznes, se si liderët drejtojnë dhe se si e mbajmë klientin në qendër të vendimeve tona”.

Në letrën e fundit drejtuar aksionerëve, Jeff Bezos paraqiti një vizion të gjerë për të ardhmen e kompanisë, duke u zotuar të zgjerojë maninë e famshme të Amazon për klientët në të njëjtin nivel kujdesi për punonjësit.

Bezos shtoi: “Nëse lexoni disa lajme mund të mendoni se ne nuk kujdesemi për punonjësit. Në ato raporte, punonjësit tanë akuzohen ndonjëherë se janë shpirtra të dëshpëruar dhe trajtohen si robotë. Kjo nuk është e saktë. Ata janë të sofistikuar dhe njerëz të cilët kanë mundësi se ku të punojnë. Kur bëjmë sondazhe te punonjësit e ‘fulfillment center’, 94% thonë se do t’ia rekomandonin Amazon një miku si një vend për të punuar”.

Parimi i parë është: Përpiquni të jeni punëdhënësi më i mirë në Tokë. Për t’iu përgjigjur në mënyrë aktive sfidave të fundit me sindikatat në magazinat e Alabama, në letër shkruhej se “është e qartë se kemi nevojë për një vizion më të mirë se si të krijojmë vlerë për punonjësit – një vizion për suksesin e tyre”. Kompania do të rrisë edhe sigurinë, duke u përqendruar, për shembull, te krijimi i zgjidhjeve për të reduktuar shqetësimet muskulo-skeletore (MSD) për punonjësit e rinj.

 

Përpiquni të jeni punëdhënësi më i mirë në Tokë

Drejtuesit punojnë çdo ditë për të krijuar një mjedis pune më të sigurt, më produktiv, me performancë më të lartë, më të larmishëm dhe më të drejtë. Ata drejtojnë më ndjeshmëri, kënaqen në punë dhe ua bëjnë më të thjeshtë të tjerëve të argëtohen. Drejtuesin pyesin veten: A janë duke u rritur punonjësit e mi? A janë të përgjegjshëm? A janë gati për të ardhmen? Drejtuesit kanë një vizion dhe angazhim për suksesin personal të punonjësve, si tek Amazon, apo diku tjetër.

 

Parimi i dytë është: “Suksesi dhe dimensioni çojnë në një përgjegjësi më të madhe”. Bezos theksoi në letër se “një veprim inteligjent në ndryshimet klimatike, jo vetëm që do të ndalë që të ndodhin gjëra të këqija, por do ta bëjë edhe ekonominë tonë më eficiente, do të ndihmojë të udhëheqë ndryshimin teknologjik dhe të reduktojë rreziqet”. Bezos tha se dekada e ardhshme do të jetë vendimtare dhe Amazon do të jetë në qendër të ndryshimit, duke bërë
progrese drejt objektivit 100% për energjinë e rinovueshme brenda vitit 2025.

 

Suksesi dhe dimensioni çojnë në përgjegjësi të mëdha

“Ne e nisëm në një garazh, por nuk jemi më aty. Jemi të mëdhenj, kemi ndikim në botë dhe jemi larg përsosmërisë. Duhet të jemi të përulur dhe të kujdesshëm ndaj efekteve dytësore në veprimet tona. Komunitetet tona lokale, planeti dhe brezat e ardhshëm kanë nevojë për ne që të jemi më të mirë çdo ditë. Duhet ta nisim çdo ditë me vendosmëri për të bërë mirë, dhe të bësh mirë do të thotë të jemi më të mirë me klientët tanë, me punonjësit, me bashkëpunëtorët tanë dhe me botën në përgjithësi. Dhe duhet ta mbyllim çdo ditë duke ditur se mund të bëjmë edhe më shumë nesër. Drejtuesit krijojnë më shumë se sa konsumojnë dhe i lënë gjërat gjithnjë më mirë se si i kanë gjetur”.

 

Miliarderi shtoi: “Nëse doni të jeni të suksesshëm në biznes (në të vërtetë, në jetë) duhet të krijoni më shumë se sa konsumoni. Synimi juaj duhet të jetë ai që të krijoni vlerë për të gjithë ata me të cilët ndërveproni. Të gjithëve ne na thuhet ‘të jemi vetvetja’. Ajo që ju kërkoj me të vërtetë është të përqafoni dhe të jeni realistë se sa energji duhet për të ruajtur atë karakteristikë.”

*Luciana Paulise, Forbes

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of