Qyteti gjerman i Tübingen thotë se ka reduktuar emetimet e karbonit me 40% në 15 vitet e fundit.
Në jugperëndim të Gjermanisë, një qytet i bukur universitar pranë Alpeve po i tregon pjesës tjetër të vendit mënyrën për të qenë sa më miqësorë me mjedisin.
Tübingen ka më shumë ditë me diell krahasuar me pjesën tjetër të vendit dhe, nga një popullsi prej 90,000 banorësh, pothuajse një e treta e tyre janë studentë.
Si një nga qendrat e lëvizjes së protestës studentore të Gjermanisë në fund të viteve 1960, nuk është çudi që Tübingen është gjithashtu një nga qytetet më të ndërgjegjshme për mjedisin në të gjithë vendin.
Tübingen shpenzon tre herë më shumë për infrastrukturën e biçikletave sesa qyteti danez i Kopenhagen, tha kryetari i bashkisë së qytetit Boris Palmer për BBC.
Palmer, i cili u zgjodh për herë të parë në vitin 2007, vlerësohet si një ndër faktorët kryesorë të formësimit të politikave të gjelbra të qytetit – si për shembull mbajtjen e detyrueshme të paneleve diellore në çatitë e ndërtesave dhe autobusët falas çdo të shtunë.
Palmer thotë se qyteti ka pasur një reduktim të emetimeve të CO2 për frymë me 40% në 15 vitet e fundit, ndërsa ekonomia e Tübingen është rritur me 40%. “Kjo na jep shpresë se mund të ketë një mënyrë për të kapërcyer ngrohjen globale dhe për të vazhduar rritjen,” tha ai për BBC.
Paketimi ka një çmim
Tübingen është gjithashtu qyteti i parë gjerman që aplikon një taksë për paketimet njëpërdorimëshe – e njohur si Verpackungssteuer. Qyteti vendosi një pagesë shtesë prej 50 cent për çdo gjë, duke filluar nga filxhanët e kafesë e deri te pjatat e ushqimit dhe kutitë e picave.
Edhe nëse një produkt është bërë me materiale të riciklueshme, çdo gjë njëpërdorimëshe është bërë më e kushtueshme në Tübingen.
Gjatë javëve të para të aplikimit të saj, taksa e re solli një reduktim të mbeturinave në koshat e plehrave të qytetit në masën 15%. Megjithatë, taksa nuk është pritur mirë nga dega e vetme e McDonald’s në qytet, e cila e ka dërguar këtë çështje në gjykatë.
Me më shumë se 1,500 restorante në të gjithë vendin, gjigandi amerikan i ushqimit të shpejtë po kërkon një kornizë rregullatore më uniforme në të gjithë vendin, dhe jo rregulla të ndryshme në çdo qytet.
Por, shumë biznese në Tübingen i kanë pritur me entuziazëm rregullat e reja. Naresh Taneja ka në pronësi një restorant indian vegan në këtë qytet, që prej 30 vitesh.
“Kam ndaluar ofrimin e çdo pjate njëpërdorimëshe,” thotë ai. “Ne kishim filluar t’i inkurajonim klientët tanë që të sillnin kutitë e tyre të drekës dhe kjo taksë tani na ka ndihmuar edhe më shumë.”
A po bëhet Gjermania vegane?
Të qenët vegan apo vegjetarian në përgjithësi është një koncept shumë popullor në Tübingen dhe po bëhen gjithnjë e më i tillë në të gjithë Gjermaninë.
Si një vend i njohur për salsiçet me mish, Bratwurst, ushqimi me bazë bimore nuk është pikërisht gjëja me të cilën shumica e njerëzve do ta lidhnin kuzhinën gjermane.
Por, perceptimi duket se po ndryshon. Një studim i kryer në vitin 2019 nga Statista zbuloi se pothuajse gjysma e gjermanëve ndjekin një dietë kryesisht pa mish.
Shitjet e produkteve që zëvendësojnë mishin pritet të arrijnë afërsisht 593 milionë dollarë në Gjermani, deri në fund të vitit 2022. Nga ana tjetër, konsumi i mishit pritet që të bjerë.
Sondazhet tregojnë se shumica e njerëzve që kanë ndaluar konsumimin e mishit, po e bëjnë këtë për shkak të shqetësimeve për mjedisin dhe për mirëqenien e kafshëve.
Ky është një lajm i mirë për rrugën drejt emetimeve zero, pasi mishi dhe produktet e qumështit kontribuojnë deri në 58% të emetimeve të gazeve serë të prodhuara nga industria globale bujqësore, sipas Statista.
Gara drejt emetimeve zero
Gjermania është deri më tani emetuesi më i madh në Bashkimin Europian, duke prodhuar 810 tonë metrikë të CO2 në vitin 2019.
Parlamenti gjerman ka vendosur një objektiv kombëtar për arritjen e neutralitetit të ndikimeve klimatike deri në vitin 2045, duke synuar që të reduktojë emetimet e gazeve serë me të paktën 65% deri në vitin 2030, krahasuar me nivelet e vitit 1990.
Duke qenë se ka edhe shumë qytete të tjera si Tübingen që po luajnë rolin e tyre në përballjen me ndryshimet klimatike, duket sikur vendi është në rrugën e duhur për arritjen e këtyre objektivave. / World Economic Forum