Biden ngre task forcë për të luftuar Covid-19, Trump planifikon tubime për të protestuar ndaj zgjedhjeve

09/11/2020 12:48 PM 0 komente

Edhe pse presidenti Donald Trump ende nuk ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve, Presidenti i zgjedhur Joe Biden do të nisë sot një plan agresiv për të kontrolluar pandeminë që po përshkallëzohet me një ritëm alarmant dhe do të jetë sfida e parë me të cilën do të përballet kur të marrë detyrën.

Biden ka njoftuar që të hënën do të ngre një task forcë për të përballuar krizën shëndetësore, pasi shifrat në rritje të virusit do të thonë që kriza e Covid-19 do të jetë shumë më e keqe në kohën kur ai të arrijë në Zyrën Ovale në Janar.

Biden do të takohet me një bord këshillimor të udhëhequr nga ish-Gjenerali Kirurg Vivek Murthy dhe ish Komisioneri i Administrimit të Ushqimit dhe Barnave David Kessler për të shqyrtuar mënyrat për të zbutur sa më mirë pandeminë e koronavirusit.

Nisma është një deklaratë e fuqishme dhe e bën të qartë se Biden do të përdorë periudhën e tranzicionit për tu mobilizuar kundër sfidave marramendëse shëndetësore dhe ekonomike me të cilat do të përballet.

Në fazën e parë, Biden ka theksuar se gjatë administratës së tij, do të shtohen ndjeshëm testimet për COVID-19 dhe përdorimi i maskës në publik do të jetë i detyrueshëm si në shumicën e vendeve europiane.

Po përpos sfidës shëndetësore, presidenti i ri do të përballet edhe me sfida të tjera, siç janë rimëkëmbja ekonomike, çështjet racore, klima etj.

Trump nuk ka treguar asnjë shenjë për t’iu përgjigjur situatës së përkeqësuar të Covid-19, e cila ka sjellë më shumë se 100 mijë infeksione të reja për pesë ditë me radhë.

Trump shpesh është përplasur me zyrtarë të lartë të shëndetësisë për pandeminë. Nënpresidenti Mike Pence pritet të takohet me task forcën e koronavirusit të Shtëpisë së Bardhë sot për herë të parë që nga 20 tetori.

Biden fitoi presidencën të Shtunën, katër ditë pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, duke kapërcyer pragun e 270 votave të Kolegjit Zgjedhor, të nevojshëm për të fituar Shtëpinë e Bardhë. Ai mundi Trump me më shumë se 4 milion vota në të gjithë vendin, duke e bërë Trump presidentin e parë që humbi rizgjedhjen që nga viti 1992.

Por Trump nuk e ka pranuar humbjen dhe ka filluar një sërë procesesh gjyqësore mbi pretendimet për manipulim dhe vjedhje të zgjedhjeve. Zyrtarët shtetërorë thonë se nuk janë në dijeni të ndonjë parregullsie të rëndësishme.

Trump nuk ka planifikuar ndonjë ngjarje publike gjatë ditës së sotme dhe ai nuk ka folur në publik që nga e enjtja. Si pjesë e një fushate publike për të vënë në pikëpyetje rezultatet e zgjedhjeve, ai po planifikon të mbajë tubime për të krijuar mbështetje për luftën e tij mbi rezultatin, tha zëdhënësi i fushatës Tim Murtaugh.

Në Shtetet e Bashkuara ka një periudhë tranzicioni midis zgjedhjeve dhe inaugurimit të një presidenti të ri, ceremonia e të cilit zhvillohet ne janar në mënyrë që administrata e ardhshme të mund të përgatisë një qeveri të re./Reuters

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of