Inflacioni i eurozonës në muajin maj ra në nivelin më të ulët prej më shumë se një viti, duke i dhënë Bankës Qendrore Europiane më shumë hapësirë për të stimuluar ekonominë 17-kombëshe ndërsa kriza e borxhit që përkeqësohet, ka filluar të dëmtojë besimin.
Norma vjetore e rritjes së çmimit konsumator ra në 2.4% në maj, nga 2.6% në prill, sipas statistikave të agjensisë Eurostat ditën e enjte, duke konfirmuar vlerësimin fillestar. Hera e fundit që norma e inflacionit ishte aq e ulët, ishte në shkurt të 2011-ës.
Rënia e muajit maj përsëri e lë inflacionin vjetor mbi objektivin e BQE-së, i cili është nën 2%-shin. Por konfirmimi se inflacioni po ngadalësohet, pritet të jetë një garanci për politikë bërësit se ata do të kenë hapësirën të lehtësojnë politikat monetare dhe të mbështesin ekonominë.
Të dhënat nga Eurostat mbi kostot e forcave të punës, sugjeronin se inflacioni mund të vijojë rënien. Kostot totale të krahut punëtor për kompanitë, përfshirë pagat, u rritën 2% në tremujorin e parë—një ngadalësim i ndjeshëm krahasuar me rritjen 2.8%-she të tremujorit të katërt. Një ngadalësim në kostot mund të detyrojë disa biznese të shkurtojnë cmimet e shitjes së mallrave të tyre.
Të dhënat “sugjerojnë presion të mëtejshëm për uljen e inflacionit që vjen nga cmimet e konsumit, ndërsa tregu i punës ka rënë,” tha Catherine Colebrook, ekonomiste në BNP Paribas.
Në fillim të qershorit BQE la normën e interesit bazë të pandryshuar në një rekord të ulët 1%, edhe pse Presidenti i bankës Mario Draghi, tha se disa politikë bërës në këshillin qeverisës të bankës kishin dashur të ulin normën akoma.
Z. Draghi tha se BQE është “në gatishmëri për veprim” nëse do të jetë nevoja, por parashikoi se ekonomia duhet të rikuperohet gradualisht këtë vit. Megjithatë që nga momenti i këtij njoftimi, kriza e borxhit të eurozonës është përkeqësuar, me qeverinë spanjolle që ka kërkuar miliarda euro kredi të jashtme për bankat e saj dhe Qipron që thotë se ka nevojë për ndihmë financiare urgjente.
Nëse inflacioni vijon rënien, kjo mund të sjellë një përmirësim të ekonomisë, duke zbutur tkurrjen e të ardhurave familjare dhe duke stimuluar shpenzimet konsumatore. Të dhënat e Eurostat-it mbi pagat treguan se punëtorët kanë pësuar ulje të pagave në terma realë, në tremujorin e parë. Pagat u rritën 2% nga viti në vit, nën normën vjetore të inflacionit prej 2.7%-sh në fund të periudhës.