Bie kreditimi në agropërpunim

20/11/2012 1:36 PM 0 komente

Sipërmarrësit po tregohen më të gatshëm të riinvestojnë fitimet, tashmë kur kushtet e kreditimit janë vështirësuar. Vitin e kaluar, kreditimi në sektorin ushqimor ishte në vlerat minimale, ndërsa nuk pritet të mbyllet më mirë ky vit. Prodhimi dhe eksporti rritet falë forcimit të disa bizneseve

Për industrinë e prodhimit ushqimor, kreditimi në kushtet tregtare nuk është aspak i favorshëm. Në kushtet aktuale, interesat janë të larta për ta dhe mbi të gjitha, procedurat janë vështirësuar.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, gjatë vitit të fundit të vlerësuar (2011), kreditë bankare shërbyen për vetëm 14% të vlerës së investimeve të realizuara në agropërpunim, ndërsa financimet nga buxheti apo kreditë e huaja janë të papërfillshme. Të dyja bashkë siguruan vetëm 1% të investimeve.

Tendenca e viteve të fundit, e cila pritet të përfshijë edhe këtë vit, (të paktën në bazë të vrojtimeve paraprake të Bankës së Shqipërisë) është rënia e financimit të sektorit. Vlera e kredituar nga bankat gjatë 2011-s ishte më pak se 115 milionë lekë. Ajo ra 13%, krahasuar me një vit më parë, ndërsa rënia vjetore në 2010-n ishte 26%. Si për të përmirësuar këtë rënie, financimet nga vetë biznesi shënuan rritje. Krahasuar me një vit më parë, investimet pothuajse u dyfishuan, ndonëse mbeten larg financimeve të kryera në 2008-n. Prej tre vitesh, që kur filluan të bëhen të dukshme efektet e krizës financiare ndërkombëtare, sektori në zhvillim i agropërpunimit ka frenuar ndjeshëm ritmin e rritjes në investime.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në vitin 2011 u investuan rreth 0.8 miliardë lekë në industrinë e përpunimit e prodhimit të ushqimeve. Ndonëse vlera u rrit 52% krahasuar me një vit më parë, ajo mbetet larg investimeve të bëra mes viteve 2005-2008. Në atë periudhë, sipërmarrësit tregojnë se ishin përpara një kërkese të lartë konsumatore, që i shtynte të merrnin përsipër rrezikun e një financimi që mund të rriste kapacitetin e përpunimit. Tani ata ndodhen në kushte tërësisht ndryshe. Shtimi i operatorëve në treg dhe tkurrja e shpenzimeve konsumatore i ka bërë ata të përballen me rënie vjetore (tre vitet e fundit) prej të paktën 20%.

Në të njëjtën kohë, përfaqësuesit e shoqatave të agropërpunuesve tregojnë se industria është gjithnjë e më tepër subjekt i vlerësimeve të cilësisë nga konsumatori. “Blerësit nuk janë më ata të mëparshmit. Ata janë shumë më të vëmendshëm ndaj çmimit të produktit dhe mbi të gjitha, ndaj cilësisë. Me pak fjalë, duan një produkt sa më të mirë, por njëkohësisht edhe më të lirë”, thotë një sipërmarrës në industrinë e prodhimit të brumërave.

Për këtë arsye, sipërmarrësit nuk kanë hequr dorë nga investimet. Përveçse i kanë tkurrur shifrat, ata kanë ndryshuar edhe burimin e financimit të aktivitetit. Sipas të dhënave zyrtare, me përjashtim të vitit 2005, raporti midis vetëfinancimit dhe marrjes së një kredie bankare ishte shumë i afërt.

Investimet vinin pothuajse në mënyrë të barabartë nga këto burime. Ndërsa sot ka shansin të investojë vetëm ai që ka aktivitete të tjera, nga të cilat siguron të ardhurat, apo kush ka arritur ta ngrejë në nivelin e duhur sipërmarrjen para efektit krizë dhe sot gëzon frytet e punës. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, ndërsa investimet ranë që pas vitit 2008, ato të siguruara nga bankat shënuan rënie më të përshpejtuar, krahasuar me vetëfinancimet e sipërmarrësve. Vitin e kalua, mbi 80% e financimeve të kryera në këtë sektor janë realizuar me mjetet financiare të vetë biznesit.

 

Qumështi kryeson investimet

Me 380 milionë lekë të investuara, industria e përpunimit të qumështit mori rreth 40% të totalit të investimeve të bëra këtë periudhë në agropërpunim.

Në këto stabilimente, investimet më të mëdha u bënë katër vite më parë (624 mln lekë). Specialistë të sektorit vlerësojnë se në pamje të parë, investimet duken të tepërta, por duke parë strukturën e tregut (ku ka kryesuar qumështi i patrajtuar termikisht), ata mendojnë se ka ende hapësira për investime. Në fakt, duke përjashtuar një numër shumë të vogël stabilimentesh, pjesa tjetër e sipërmarrjeve është më afër standardit të baxhove.

Sipas të dhënave të Vjetarit të Ministrisë së Bujqësisë, në prodhimin e qumështit numërohen 334 ndërmarrje, ku janë të punësuar rreth 1.14 mijë veta. Nga kjo, rezulton se çdo ndërmarrje i korrespondojnë mesatarisht 3.5 të punësuar, duke na treguar se është një biznes që mbetet në kuadrin familjar. Një vlerësim më i detajuar na tregon se nga të gjitha këto ndërmarrje, vetëm 2 kanë më shumë se 20 të punësuar, 311 aktivitete (93% e tyre) kanë të angazhuar jo më shumë se 5 veta.
Për nga vlera e investimeve, pritet që përpunimi i qumështit të kryesojë edhe këtë vit agroindustrinë, nisur nga planet e shpalosura të sipërmarrësve.

 

Rritet numri i ndërmarrjeve, kryesojnë furrat

Numri i bizneseve të angazhuara në prodhimin ushqimor u rrit 5.5% gjatë vitit të fundit të vlerësuar, duke arritur në 2273. Ndër vite, industria ka bërë progres në rritjen e shifrave. Por, siç vlerësojnë ekspertë në sektorin agroushqimor, përmirësimi në cilësi do të shihej kryesisht në fuqizimin e bizneseve mesatare apo të mëdha, pasi ato kanë më shumë kapacitet financues për përmirësimin e cilësisë së prodhimit dhe ndjekjen e zinxhirit të furnizimit. Por ndërmarrjet me mbi 20 të punësuar në këtë sektor janë vetëm 53, ose vetëm 2.3% e totalit të bizneseve agropërpunuese.

Për vetë strukturën e organizimit të tregut, si për të punësuarit, por edhe për numrin e bizneseve të regjistruara kryeson prodhimi i bukës dhe brumërave. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, pak më shumë se gjysma e tyre janë prodhues të bukës dhe ëmbëlsirave dhe për më tepër, numri i tyre sa vjen e rritet. Gjatë vitit të fundit të vlerësuar nga Ministria e Bujqësisë, krijimin e bizneseve të reja e gjejmë në përpunimin e ambalazhimin e ujit, në prodhimin e konservave të peshkut, paketimin e vajit të rafinuar dhe përpunimin e mishit dhe konservave të perimeve. Tkurrje në numër biznesesh ka njohur prodhimi i birrës, qumështit, prodhuesit e verës dhe industria e blojës.

Ekspertët e tregtisë vlerësojnë se kjo nuk përkon me uljen e prodhimit, por me një ristrukturim të organizimit të ndërmarrjeve. Madje, ata vlerësojnë se në këto sektorë, prodhimi është bërë një hap cilësor më i lartë se te prodhuesit e tjerë ushqimorë. Mjafton të kujtojmë se ulja e numrit të prodhuesve të birrës nuk dha të njëjtin ndikim në tkurrjen e sasisë së prodhuar. Numri i operatorëve për këtë produkt zbriti në 17, ose 20% më pak se një vit më parë, ndërsa prodhimi ra vetëm 1.5%. Madje, sasia e verës së prodhuar u rrit 4%, ndërkohë që rezultonin 4 prodhues më pak në treg.

 

Rritet prodhimi dhe eksportet

Me gjithë vështirësitë që po hasin në treg, prodhimet vendase në tërësi janë rritur, madje vitin e kaluar shënuan për herë të parë rritje të dukshme në eksporte. Sipas të dhënave zyrtare, vitin e kaluar, vlera totale e prodhimit agroushqimor u rrit 7%. Kjo është normë e shënuar edhe vite të tjera, por objektivat e industrisë duken më të qarta. Përveçse të konkurrojnë prodhimet e importit, ato i kanë “hedhur sytë” seriozisht në tregjet fqinje. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, gjatë 2011-s u rrit ndjeshëm eksporti i lëngjeve të frutave, ujit e makaronave. Eksporti i prodhimeve ushqimore ishte 6.65 miliardë lekë, ose 35% më shumë se në vitin 2010. Në të njëjtën kohë, totali i eksporteve agrare e ushqimore u rrit 13% në vlerë.

Destinacionet kryesore janë fqinjët ballkanas: Kosovë, Maqedoni e Mali i Zi.

 

Eksporti (mld lekë)

 

Viti 2010         Viti 2011

Total (bujqësore e ushqimore)                  9.15               12.1

Agroindustri                                                      4.9                6.65

Burimi: MBUMK 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of