Bie ndjeshëm besimi i bizneseve dhe konsumatorëve në tremujorin e katërt, niveli më i ulët në tre vjet

08/01/2020 10:59 PM 0 komente

Tërmeti i 26 nëntorit duket se ka ndikuar në rënien e ndjeshme të  besimit në ekonomi, si tek bizneset ashtu dhe tek konsumatorët. Banka e Shqipërisë raportoi se Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) ra me 12.6 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt të vitit 2019, duke qëndruar pranë vlerës 95.4. Kjo rënie e zhvendosi TNE-në nën mesataren e tij afatgjatë (Grafik 1). Ky është niveli më i ulët që nga tremujori i dytë 2016, sipas grafikut të publikuar nga Banka.

Ky zhvillim pasqyroi si rënien e besimit të bizneseve, ashtu dhe atë të konsumatorëve. Bizneset janë pesimistë për punësimin prodhimin dhe eksportet, ndërsa individët nuk presin as një përmirësim të situatës së tyre financiare dhe as kryerjen e blerjeve të mëdha.

Treguesi i besimit në sektorin e industrisë (TBI) ra me 5.1 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt. Megjithatë, TBI-ja vijon të mbetet mbi mesataren historike të saj (Grafik 2). Niveli më i ulët i besimit në industri u ndikua nga rënia e dy prej komponentëve formues të treguesit, përkatësisht balancës së kontratave porositëse, me 12.1 pikë përqindje, dhe balancës së prodhimit, me 6.9 pikë përqindje. Ndërkohë, komponenti tjetër formues i TBI-së, gjendja e inventarëve2, e ndikoi dinamikën e TBI-së në kahun rritës.

E dhe balanca të tjera të vrojtimit në sektorin e industrisë si kontratat porositëse nga eksportet, pritjet për ecurinë e prodhimit dhe të punësimit në tremujorin e ardhshëm, shënuan rënie. Ndërkohë, balanca e gjendjes financiare rezultoi e përmirësuar gjatë tremujorit në analizë. Për sa i takon normës së shfrytëzimit të kapaciteteve, ajo qëndroi pothuajse në të njëjtin nivel si krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, ashtu edhe krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Kjo normë mbetet më lart mesatares historike të saj.

Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) shënoi rënie me 3.0 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt, duke qëndruar nën mesataren historike të tij për të dytin tremujor radhazi . Kjo dinamikë reflektoi rënien e të dy balancave formuese të TBN-së, aktivitetit ndërtues me 4.0 pikë përqindje dhe kontratave porositëse me 2.0 pikë përqindje. Një ecuri rënëse shfaqën edhe balancat e gjendjes financiare dhe pritjeve për punësimin në tremujorin e ardhshëm. Ndërkohë, balanca e punësimit dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve rezultuan të përmirësuara në tremujorin në analizë. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve u rrit me 1.2 pikë përqindje në terma vjetorë dhe me 2.2 pikë përqindje në terma tremujorë, duke u zhvendosur 0.4 pikë përqindje më lart mesatares historike të saj.

 Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve (TBSH) ra me 15.1 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt. Kjo rënie e fortë e zhvendosi treguesin nën mesataren historike të tij, për të parën herë pas më shumë se tre vitesh. Përkeqësimi i TBSH-së pasqyroi rënien e dy komponentëve përbërës të tij, përkatësisht balancës së ecurisë së biznesit, me 15.5 pikë përqindje, dhe balancës së kërkesës, me 14.7 pikë përqindje. Në kahun rënës rezultuan edhe balanca të tjera të vrojtimit si punësimi, gjendja financiare dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve. Për sa i takon normës së shfrytëzimit të kapaciteteve, me gjithë dinamikën e lehtë rënëse tremujore, ky tregues qëndron 4.8 pikë përqindje mbi normën e shënuar të njëjtën periudhë një vit më parë dhe 0.6 pikë përqindje më lart mesatares historike të tij. Ndërkohë, në kahun rritës rezultuan balancat e pritjeve për kërkesën dhe pritjeve për punësimin në tremujorin e ardhshëm.

Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë (TBT) ra me 3.4 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt, duke qëndruar edhe më poshtë mesatares historike të tij. Rënia e besimit në këtë sektor u drejtua nga rënia e njërës prej balancave formuese të treguesit, përkatësisht pritjeve për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm me 9.6 pikë përqindje. Ndërkohë, balanca tjetër përbërëse e TBT-së, ecuria e biznesit, u rrit me 2.9 pikë përqindje. Edhe balanca e gjendjes financiare u përmirësua, ndërkohë që balancat e punësimit në tremujorin në analizë, e pritjeve për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve, shënuan rënie. Për sa i takon normës së shfrytëzimit të kapaciteteve, ajo rezulton 4.0 pikë përqindje nën nivelin e shënuar një vit më parë dhe 4.3 pikë përqindje poshtë mesatares historike të saj.

 

Konsumatorët nuk presin të bëjnë blerje të mëdha

Treguesi i besimit konsumator (TBK) vijoi prirjen rënëse gjatë tremujorit të katërt, duke qëndruar 1.4 pikë përqindje poshtë nivelit të tremujorit të mëparshëm. Kjo ecuri rënëse e zhvendosi treguesin 1.4 pikë përqindje nën mesataren historike të tij (Grafik 6). Dinamika e TBK-së pasqyroi rënien e tre prej komponentëve përbërës të treguesit, përkatësisht balancës së situatës së përgjithshme ekonomike të pritur në vend, me 2.5 pikë përqindje, balancës së situatës financiare të pritur të familjes, me 1.8 pikë përqindje dhe balancës së blerjeve të mëdha, me 1.6 pikë përqindje. Ndërkohë, balanca tjetër formuese e TBK-së – të ardhurat dhe shpenzimet – qëndroi pothuajse në të njëjtin nivel me një tremujor më parë (+0.3 pikë përqindje).

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of