Sinjalet se kreditimi për ekonominë po gjallërohej, duke ndikuar pozitivisht konsumin dhe investimet janë zbehur në muajin korrik. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i kredisë për ekonominë arriti në 549.6 miliardë lekë në korrik, duke rënë me 2.7 miliardë lekë në raport me muajin e mëparshëm. Kjo tkurrje vjen pas 6 muajve radhazi, që huadhënia për bizneset dhe sidomos për konsumatorët kishte shënuar rritje.
Ka qenë tkurrja e kredisë për biznes në valutë arsyeja kryesore për uljen e huas në muajin korrik. Edhe huaja për biznesin në lekë ka rënë lehtë, ndërsa kredia konsumatore, që kishte njohur rritje muajt e fundit është ngadalësuar.
Me bazë vjetore (korrik 2016/korrik 2015) huaja për ekonominë i është kthyer sërish ritmeve rënëse, duke u tkurrur me 0.3%.
Shqetësuese është tkurrja vjetore e kredisë për bizneset, me -1.7%, një tregues ky i mungesës së investimeve në ekonomi. Bankat pohojnë se sipërmarrjet kanë frenuar kërkesën për kredi, sidomos ato të mëdhatë, që kanë më shumë potencial për investime dhe hapjen e vendeve të punës.
Vetëm huaja për konsumatorët në lekë, ka shënuar një tendencë pozitive, me rritje vjetore prej rreth 10%.
Niveli i lartë i huave me probleme te bizneset duke se po i orienton bankat tek individët, të cilët kanë treguar se janë më korrektë në kthimin e kësteve të huasë, sidomos atyre për shtëpi, pasi nuk duan të humbasin këtë investim të rëndësishëm. Edhe rezultatet e vrojtimit të aktivitetit kreditues të tremujorit të dytë të vitit 2016 sipas Bankës së Shqipërisë tregojnë për shtrëngim të standardeve të kreditimit të bizneseve dhe për lehtësim të standardeve të kreditimit për individët. Për bizneset, standardet rezultojnë të shtrënguara, si për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ashtu edhe për ndërmarrjet e mëdha. Ndërkohë, standardet për kreditë dhënë individëve janë lehtësuar për kredinë konsumatore dhe nuk kanë ndryshuar në segmentin e kredisë për blerje banese.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.