Bie ndjeshëm oferta për punë, vetëm 272 kërkesa në Shërbimin Kombëtar të Punësimit

21/07/2020 11:00 AM 0 komente

Oferta për punë ka rënë në mënyrë dramatike në të gjithë sektorët, si rrjedhojë e efekteve negative që dha kudo në ekonomi pandemia Covid-19.

Të dhënat e para pesimiste vijnë nga Zyra Kombëtare e Punësimit, ku aktualisht ka vetëm 272 oferta pune, teksa mesatarja vjetore e ofertave nga bizneset në tre vitet e fundit nga qeveria ishte 35-40 mijë vende pune në vit.

Nga të 272 ofertat, shumica e tyre, rreth 90 për qind, janë për punë që kërkojnë kualifikim të ulët, të tilla si punëtorë krahu, pastrues, punonjës në fasoneri dhe në sektorin e peshkimit.

Shumica e ofertave targetojnë persona me arsim 8-9-vjeçar. Nga ofertat në dispozicion shumica e tyre janë përqendruar në pjesën qendrore të vendit. Bizneset nga Durrësi, Lushnja dhe Elbasani dominojnë një pjesë të këtyre ofertave.

Të dhënat tregojnë se janë tërhequr nga ofertat për punë, bizneset call center dhe fasoneria dhe gjithashtu njësitë e shërbimit si bare dhe restorante. Këta sektorë ishin edhe ofruesit më të mëdhenj të punësimit në pesë vitet e fundit.

Ndërmjetësimi në tregun e punës nga Zyrat Kombëtare e Punësimit shënoi një rritje në vitet e fundit si rrjedhojë e reformave që nisën donatorët në këtë strukturë. Në vitin 2018 dhe 2019 bizneset ofruan nga 40 mijë vende punë të lira në secilin vit.

Sipas të dhënave nga Anketa e Forcave të Punës, në tremujorin e parë të vitit, rreth 17 mijë persona humbën punën nga masat bllokuese në ekonomi. Më së shumti janë dëmtuar punonjësit në sektorin e shërbimeve, transportit dhe tregtisë.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, gjatë periudhës së izolimit rreth 60 mijë persona kishin ikur nga skema e sigurimeve, ndërsa analistët sugjerojnë se mbi 100 mijë veta do të humbasin punën nga efektet e pandemisë.

Shqipëria aktualisht është drejt kulmit të fazës së parë të infektimeve, ku numri i të prekurve dhe jetëve të humbura por rritet me shpejtësi. Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se nuk do të ketë mbyllje tjetër të ekonomisë, por frika dhe paniku janë rritur në popullatë. Kjo gjendje do të ndikojë negativisht të gjithë zinxhirin e hallkave të ekonomisë dhe për rrjedhojë, do të mbajë nën presion rikthimin e tregut të punës në normalitet.

Analizat e institucioneve financiare ndërkombëtare tregojnë se, tregu i punës në Shqipëri do të jetë ndër më të goditurit në rajon për shkak të varësisë së lartë nga sektori i shërbimeve dhe tregtisë, si dhe informalitetit të lartë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of