Bie numri i bizneseve prodhuese, rritet i shërbimeve

02/07/2018 9:56 AM 0 komente

Ecuria e regjistrit të ndërmarrjeve gjatë 2010-2016 tregoi se bizneset që operojnë në ekonominë tonë janë të orientuara drejt shërbimeve. Gjatë kësaj periudhe ndërmarrjet në sektorin e shërbimeve janë rritur me ritme më të shpejta se ato të prodhimit te të mirave.

 

Një kërkim i posaçëm i INSTAT tregoi se struktura e numrit të ndërmarrjeve në vite shpreh se sektorët, të cilët janë zgjeruar më shumë, janë sektori i shërbimeve të tjera i cili zuri 20 për qind stokut të ndërmarrjeve nga 12.5% që zinte me 2010 dhe sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor zuri 18,5% në 2016 nga 16,5% që zinte në 2010.

 

Ndërsa, sektorët e tkurrur në përqindje janë tregtia, të cilat në vitin 2016 zunë 41.5 % të stokut të ndërmarrjeve nga 44.7% që zinin më 2010.

 

Ndërmarrjet e transporti dhe komunikacioni (7,2% në 2016 nga 10,9% që zinte në 2010), industria përpunuese (8,6% në 2016 nga 10,4% që zinte në 2010) dhe ndërtimi (3,1% në 2016 nga 4,1% që zinte në 2010.)

 

Ndërmarrjet e shërbimeve patën rritjen më të lartë më 2015 si pasojë e nismës së qeverisë kundër informalitetit. Por gjithashtu prodhuesit e shërbimeve, gjatë gjithë viteve të marra në studim, kanë pasur rritje të vazhdueshme të numrit të ndërmarrjeve.

 

Për ndërmarrjet e prodhimit të të mirave, numri i tyre ka pasur rënie për vitet 2012 me -7,2% dhe 2014 me -6,6%, duke kontribuar përkatësisht me -1,2 pikë përqindje dhe -1,0 pikë përqindje në ndryshimet vjetore të këtij treguesi.

 

Nëse analizojmë prodhuesit e të mirave, investimet e realizuara prej tyre paraqiten me rënie në vitin 2012 me -6%, duke kontribuar negativisht në investimet gjithsej me -3,9 pikë përqindje. Për prodhuesit e shërbimeve, rënie në investime ka pasur gjatë viteve 2014 dhe 2016, duke kontribuar negativisht në ndryshimin vjetor të këtij treguesi, respektivisht me -9,4 pikë përqindje dhe -8,1 pikë përqindje.

 

Nga analiza e strukturës së investimeve në vite, sipas llojeve të investimeve, shohim që ndërmarrjet kryesish investojnë në instalime, makineri, pajisje dhe ndërtesa, dhe më pak në tokë. Në vitin 2016, një ndërmarrje investon afërsisht 2 milionë lekë nga 1,1 milionë lekë të investuara mesatarisht për një ndërmarrje në vitin 2010.

 

Studimi i INSTAT gjeti se struktura e ekonomisë shqiptare nuk ka pësuar ndryshime thelbësore pwr 2010-2016. Nga analiza e secilit prej treguesve vihet re një rritje e lehtë të peshës së prodhuesve të shërbimeve në ekonomi, përkundrejt prodhuesve të të mirave.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of