Shitblerjet dhe largimi i disa bankave me kapital perëndimor kanë sjellë ndryshime të mëdha në konfigurimin e sistemit bankar sa i përket origjinës së kapitalit në 6 muajt e parë të këtij viti. Në rritje të fortë ishte kapitali vendas, ndërsa është ulur pesha e bankave me origjinë nga vendet perëndimore të Bashkimit Europian.
Zgjerimi i Credins, Union Bank dhe blerja e Tirana Bank nga grupi Balfin kanë rritur ndjeshëm peshën e kapitalit shqiptar në sistemin bankar.
Në fund të qershorit 2019, bankat vendase zinin 23% të të gjithë aktiveve të sistemit, nga 16.2% në të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, të përpunuara nga “Monitor”.
Credins Bank është banka e tretë më e madhe në vend, me 13.9% të totalit të aktiveve në fund të 6-mujorit të parë të këtij vit. Banka ka shënuar një rritje të shpejtë të aktivitetit gjatë viteve të fundit. Grupi shqiptar Balfin dhe Komercijalna Banka e Shkupit finalizuan gjatë këtij viti blerjen e grekes Tirana Bank, e cila zotëron 4.8% të totalit të aktiveve deri në fund të qershorit.
Union Bank kishte në fund të 6-mujorit të parë të këtij viti 3.6% të totalit të aktiveve. Banka ka përmbyllur blerjen e Bankës Ndërkombëtare Tregtare (ICB-banka malajziane), e cila kishte 0.6% të tregut, duke e çuar në total peshën e saj në 4.3%.
Në të kundërt është ulur pesha e kapitalit perëndimor nga vendet e BE-së, si rrjedhojë e tkurrjes së Raiffeisen (austriake) e ProCredit (gjermane) dhe largimit të francezëve të Societe Generale dhe grekëve të Tirana Bank e NBG, si një strategji të tyren për të dalë nga i gjithë rajoni. E vetmja me rritje është Intesa Sanpaolo (me kapital italian). Pesha e bankave me kapital perëndimor zbriti ndjeshëm nga 43% e totalit të aktiveve në qershor 2018, në 29.2% në fund të tremujorit të dytë 2019.
Austriakët e Raiffeisen kanë ulur vazhdimisht peshën e tyre në Shqipëri. Banka, në fund të 6- mujorit të parë, zinte 14.9% të totalit të aktiveve, nga 16.4% në të njëjtën periudhë të një viti më parë, dhe nga gati 30% në fund të vitit 2010, sipas të dhënave nga Shoqata e bankave. Banka Kombëtare e Greqisë u shit tek Abi Bank në 2018-n dhe më pas nga tregu u larguan dhe grekët e Bankës së Pireut (që zotëronin Tirana bank). Societe Generale, që zinte 5.8% të tregut, iu shit në fillim të këtij viti hungarezëve të OTP-së. Vetëm italiania IntesaSanpaolo, pas përthithjes së Veneto ka rritur peshën nga 10.9 në 12.1%.
Banka më e madhe në vend mbetet Banka Kombëtare Tregtare (BKT), me kapital turk dhe me rritje të vazhdueshme. BKT kishte 29.25 të totalit të aktiveve në qershor 2019, nga 28% një vit më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.