Bie pesha e të punësuarve në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

11/03/2020 1:32 PM 0 komente

Pesha e të punësuarve në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (deri në 250 të punësuar) ka shënuar rënie në vitin 2018, duke reflektuar një mbyllje të tyre dhe orientim të ekonomisë drejt sipërmarjeve më të mëdha. Pesha e tyrë në punësim ka zbritur me rreth 0.5 pikë përqindje në 79.8%.

INSTAT ka publikuar statistikat për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) bazuar në rezultatet e vrojtimit të Statistikave Strukturore, për vitin 2018, sipas të cilave:

– 99,8 % të ndërmarrjeve aktive e zënë NVM, në të njëjtën përqindje si vitin e kaluar. Sektori i tregtisë ka peshën më të madhe të ndërmarrjeve NVM me 41,4 %, i ndjekur nga sektori i shërbimeve të tjera me 21,2 %. Përqindjen më të ulët e ka sektori i industrisë nxjerrëse dhe sektori i energjisë elektrike, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve me nga 0,6 % secili.

– 79,8 % e të punësuarve janë punësuar nga NVM nga 80,3 % që ishte në vitin e kaluar. Sektori I tregtisë punëson 29,0 % të NVM-ve, i ndjekur nga sektori i shërbimeve të tjera me 19,5 % dhe sektori i industrisë përpunuese me 18,4 %. Sektorët me numrin më të vogël të të punësuarve në NVM-të janë sektori i industrisë nxjerrëse me 1,8 % dhe sektori i energjisë elektrike, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve me 2,3

– 77,4 % të shitjeve neto realizohen nga NVM nga 77,2 % të realizuara vitin e kaluar. Sektori i tregtisë mbizotëron me 52,4 % të shitjeve neto, i ndjekur nga sektori i shërbimeve të tjera me 11,5 % dhe nga sektori i ndertimit me 10,7 %. Sektori me përqindjen më të ulët të shitjeve të realizuara nga NVM-të është sektori i industrisë nxjerrëse me 2,1 %.

– 70,6 % të investimeve në vend kryhen nga NVM nga 60,1 % të kryera vitin e kaluar. Sektori me përqindjen më të lartë të investimeve të kryera në NVM-të është sektori i tregtisë me 24,3 %. Nga ana tjetër, sektori i transportit dhe komunikacionit ka përqindjen më të ulët të investimeve prej 4,3 %

– Ndërmarrjet me 250+ të punësuar edhe pse përbëjnë vetëm 0,2 % të ndërmarrjeve gjithsej në vend, punësojnë 20,2 % të të punësuarve, kryejnë 29,4 % të investimeve, realizojnë 22,6 % të shitjeve neto.

-Në Shqipëri numri i ndërmarrjeve në NVM është 99,8 %, i njëjtë me BE. Numri i të punësuarve në këtë grup ndërmarrjesh është 79,8 % në Shqipëri nga 66,6 % në BE. Vlera e shtuar e realizuar nga NVM në Shqipëri përbën 69,1 % nga 56,4 % në BE.

Komente mbi tregtinë e jashtme të mallrave në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), 2018

 2,5 % e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme eksportojnë mallra nga 2,7 % që eksportuan në vitin 2017. Vlera e eksporteve të mallrave të NVM përbën 58,2 % të vlerës së eksporteve gjithsej. Sektori me përqindjen më të lartë të ndërmarrjeve eksportuese është industria nxjerrëse, ku 20,9 % e ndërmarrjeve aktive të këtij sektori eksportojnë.

 8,8 % e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme janë importuese nga 9,3 % që ishin në 2017, të cilat përbënë 78,0 % të vlerës së importeve të mallrave për 2018. Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, sektori me përqindjen më të lartë të numrit të ndërmarrjeve importuesve është sektori i industrisë përpunuese me 23,1 %.

Rreth 10,5 % e shitjeve neto të NVM shkojnë për eksport. Ndërmarrjet e mesme kryejnë përqindjen më të lartë të eksporteve me 18,4 % të shitjeve neto të realizuara prej tyre. Mikrondërmarrjet eksportojnë vlerën më të ulët ku rreth 4,5 % të shitjeve neto janë eksportuar.

Përqindjen më të lartë të punësimit në mikrondërmarrje e zë sektori akomodimit dhe shërbimit ushqimor me 74,1 %. Sektori i ndërtimit ka përqindjen më të lartë të punësimit në ndërmarrjet e vogla me 28,5 % dhe në ndërmarrjet e mesme me 36,1 %.

Përqindja më e lartë e vlerës së shtuar në mikrondërmarrjet, realizohet në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor (61,7 %). Sektori i tregtisë ka përqindjen më të lartë (32,6 %), të realizuar nga ndërmarrjet e vogla. Në sektorin e industrisë përpunuese, ndërmarrjet e mesme realizojnë përqindjen më të lartë të vlerës së shtuar (35,6 %) të realizuar nga ky sektor.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of