Vitin e kaluar, prodhimi i kafesë në tregun botëror pësoi rënie prej 2.5%, duke zbritur në 130. 97 mijë thasë (çdo thes 69 kg). Gjithsesi, kafeja është produkti tropikal bujqësor më i tregtuar, duke shënuar një vlerë eksporti prej 15 miliardë dollarësh në 2010-‘11, kur 90.4 milionë thasë janë transportuar.
Rreth 70 vende prodhojnë kafe dhe anëtarët e Organizatës Ndërkombëtare të Kafesë (ICO) janë përgjegjës për 97% të totalit të eksporteve. Sipas kësaj organizate, në vitin 2010, në sektorin e grumbullimit e përpunimit të kafesë janë punësuar 26 milionë njerëz (në 52 vende prodhuese).
Për shumë vende, eksporti i kafesë nuk është vetëm një kontribuues jetësor për fitimet nga shkëmbimet tregtare, por njëkohësisht është një kontribuues domethënës në të ardhurat nga taksat dhe në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Për një pjesë të mirë të këtyre vendeve, pesha mesatare e eksportit të kafesë ishte më shumë se 10% e totalit të eksportit në periudhën 2000–2010, pavarësisht se rëndësia e kafesë për shumë vende po bie me kohën, ndërsa ekonomitë e tyre po diversifikohen.
Vende si Burundi sigurojnë përmes kafesë 59% të eksporteve, Etiopia 33%.
Konsumi global i kafesë në 2009-2010 arriti në total 133.9 milionë thasë (69 kg), nga të cilat 72 milionë thasë janë konsumuar në vendet importuese, 21.2 milionë në vendet jo anëtare të ICO dhe 40.7 milionë në vendet prodhuese.
Konsumi është rritur me një mesatare prej 1.2% në vit që nga fillimi i 1980-s dhe më shumë se 2% vitet e fundit. Rritja më e madhe e tregut duket të jetë vërejtur në Japoni, ku rritja fillimisht ishte 3.5% e më vonë edhe më e lartë. Japonia është tani vendi i tretë importues i kafesë në botë.
Në pesë vitet e fundit, rritja e tregut europian ka qenë e dobët. Konsumi tregon shenja stanjacioni, madje në disa raste, edhe rënie. Situata është pak më dinamike në SHBA, ku konsumi i përgjithshëm, pavarësisht bumit në disa sektorë të specializuar, është rritur me ritme të ngadalta.
Shifrat e konsumit në disa vende prodhuese po nxjerrin në pah rritjen mbresëlënëse që nga fillimi i shekullit të ri, duke u rritur me një mesatare 6% në vit, pavarësisht se kriza ekonomike e viteve të fundit i ka vënë fre rritjes.
Tregu global i kafesë (2011)
130.97 mijë thasë – prodhimi
15 miliardë dollarë, vlera e eksportit
Japoni – ritmet më të larta të rritjes së konsumit
Burimi: ICO
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.