Rënia e normave të interesit në tregun primar të letrave të borxhit të qeverisë vijoi të mërkurën edhe në ankandin e obligacioneve dyvjeçare.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, obligacionet me maturim dyvjeçar u shitën në ankand me një normë interesi fiks apo kupon prej 2.58%, në rënie nga niveli 2.65% i shënuar në ankandin e muajit të kaluar.
Kërkesa e tregut për këto instrumente ngelet e lartë, me një shumë totale kërkesash të paraqitura në ankand prej afro 8.8 miliardë lekësh, nga 6.9 miliardë lekë obligacione të nxjerra në shitje nga Ministria e Financave.
Kërkesa e lartë për të investuar në letrat e borxhit të qeverisë këtë vit po mbështetet nga gjendja mjaft likuide e tregut financiar, sidomos në monedhën vendase. Agregati monetar M2, që shpreh ofertën monetare në lekë arriti në fund të muajit shkurt vlerën e afro 862 miliardë lekëve. Krahasuar me një vit më parë, ky agregat është rritur me rreth 100 miliardë lekë apo afërsisht 13%. Një zgjerim i tillë i ofertës monetare është favorizuar nga politikat monetare më stimuluese se kurrë të bankës së Shqipërisë, që ka ulur normat bazë në nivelet minimale historike dhe prej një viti po iu siguron furnizim të pakufizuar me likuiditet bankave tregtare.
Likuiditeti i lartë në lekë po favorizon njëkohësisht edhe më shumë kreditim në monedhën vendase. Leku tashmë është monedha dominuese në portofolin e kredisë për ekonominë. Për dy muajt e parë të këtij viti, statistikat treguan se 57% e kredisë së re ishte në lekë.
Individët janë gjithashtu një segment gjithnjë e më i interesuar për të blerë obligacionet e qeverisë shqiptare. Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se blerjet e obligacioneve në tregun primar nga individët u rritën me 51% gjatë vitit 2020. Rritja e kërkesës për blerë obligacione nga individët është nxitur sidomos nga normat më të mia të interesit krahasuar me depozitat bankare.
Premisë tjetër për ruajtjen e nivelit të ulët të yield-eve është edhe ulja e huamarrjes së qeverisë në tregun e brendshëm. Sipas kalendarit të huamarrjes të Ministrisë së Financave, gjatë tremujorit të dytë volumi total i huamarrjes së brendshme pritet të ulet me rreth 7% krahasuar me tremujorin e parë të vitit. Shuma e huamarrjes paraqitet gjithashtu më e ulët edhe në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2020, kur qeveria pati financiar në tregun e brendshëm borxh rreth 111 miliardë lekë./ E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.