Reforma administrative që parlamenti miratoi në vitin 2014 nuk u ka kursyer qytetarëve para nga shpenzimet që bashkitë bëjnë, për paga. Të dhënat zyrtare tregojnë se shpenzimet, për pagat e pushtetit vendor, u rritën me 7.2 për qind gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që investimet publike të bashkive shënuan rënie dyshifrore.
Investimet e pushtetit vendor ranë me 12 për qind gjatë vitit të kaluar, teksa 61 bashkitë e vendit kanë shpenzuar më shumë, për paga dhe më pak për projekte publike. Të dhënat janë raportuar nga portali i financave vendore, një platformë e cila gjurmon treguesit financiarë të bashkive dhe mënyrën se si ato shpenzojnë paratë e qytetarëve.
Sipas shifrave për vitin 2018, investimet totale të pushtetit vendor ranë në 23.4 miliardë lekë nga 26.6 miliardë që ishin një vit më parë. Sipas treguesve, ulja e investimeve që bëjnë bashkitë nuk është diktuar nga rënia e të ardhurave. Përkundrazi, të ardhurat totale të pushtetit vendor arritën ne 82.1 miliardë lekë vitin e kaluar duke u rritur me 2.1 për qind krahasuar me 2017-ën.
Por pavarësisht kësaj rritje, bashkitë kanë shpenzuar më shumë për të mbajtur personalin, por edhe për operacionet e përditshme. Sipas të dhënave, gjatë vitit të kaluar bashkitë shpenzuan 21 miliardë lekë ose rreth 170 milionë euro për pagat dhe sigurimet e punonjësve ose 7.2 për qind më shumë se një vit më parë.
Në verën e vitit 2014, Parlamenti miratoi reformën e re territoriale, e cila e ndau Shqipërinë në 61 bashki. Sipas qeverisë, reforma do të kursente rreth 80 milionë dollarë në vit vetëm nga shkurtimi I shpenzimeve për paga.
Por në fakt fondi I pagave për punonjësit e pushtetit vendor është rritur. Një pjesë e kësaj rritje është diktuar nga fakti se bashkitë tashmë kanë më shumë funksione në varësi, të cilat më parë paguheshin nga buxheti I shtetit sic është rasti I arsimit parashkollor apo zjarrfikësve. Por përveç zgjerimit të funksioneve, arsyeja e dytë është se shumë bashki vazhdojnë të mbajnë një numër të lartë punonjësish duke mos kursyer nga pagat aq sa priste qeveria kur miratoi reformën.
Top Channel
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.