Bien me 19% investimet e buxhetit për 5 muajt e parë të vitit

18/06/2019 10:49 AM 0 komente

Investimet e buxhetit ranë me 19 për qind ose 40 milionë euro në 5 muajt e parë të vitit, teksa qeveria ka shpenzuar me pak para në projektet publike. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se për për periudhën janar-maj të këtij viti, investimet e qeverisë ranë në 180 milionë euro nga 220 euro milionë që ishin për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas statistikave të detajuara, investimet janë me rënie në të dy zërat e tyre, si ato që financohen me fondet e brendshme të buxhetit, ashtu dhe ato me fondet donatorëve. Por rënia më e madhe ka ardhur nga investimet me financim të huaj.

Sipas Ministrisë së Financave, në pesëmujorin e parë të vitit të kaluar investimet me financim të huaj ishin gati 82 milionë euro. Por në pesëmujorin e këtij viti ato kanë qenë gati dy herë më pak ose vetëm 45 milionë euro.

Investimet publike janë zëri më produktiv i shpenzimeve të buxhetit pasi krijojnë punësim, përmirësojnë jetesën e qytetarëve dhe ndikojnë direkt në rritjen ekonomike. Por vitet e fundit realizimit i tyre ka qenë problematik, veçanërisht i projekteve me financim të huaj.

Për gjithë vitin 2019, qeveria ka parashikuar të investojë 90.6 miliardë lekë ose 742 milionë euro në projekte publike. Por për 5 muajt e parë janë shpenzuar vetëm 24 për qind e fondeve vjetore, duke sinjalizuar se qeveria mund të rishikojë buxhetin në mes të vitit, për të rialokuar investimet, një praktikë kjo e shndërruar në traditë gjatë viteve të fundit.

Top Channel

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of