Të bësh biznes fitimprurës në Shqipëri, sa vjen e po bëhet më e vështirë, me konkurrencën që shtohet, sektorët që maturohen, konsumin që është i tkurrur, ndërsa rritja e pagave ka qenë minimale vitet e fundit. Të dhënat e Anketës Strukturore të INSTAT tregojnë se 107 mijë bizneset që janë aktive në vend fituan në total neto (pas taksave) 159 miliardë lekë, ose rreth 1.2 miliardë lekë në vitin 2017.
Në raport me vitin e mëparshëm, fitimet në vlerë absolute kanë rënë me 3.2%. Nga tetë sektorë kryesorë që i grupon INSTAT, gjashtë prej tyre kanë parë rënie të fitimeve në vlerë absolute, konkretisht “transporti dhe telekomunikacionet”, “ndërtimi”, “energjia elektrike, gazi dhe uji”, “shërbimet”, “akomodimi dhe shërbimi ushqimor” dhe “tregtia”.
Rritje të fitimeve raportuan vetëm “industria nxjerrëse” dhe “industria përpunuese”. Rënien më të lartë të fitimeve në vlerë absolute e raportoi sektori i “Transporti, informacioni dhe komunikacioni” (-4.6 miliardë lekë), si rrjedhojë e ecurisë negative të operatorëve celularë, të cilët deklaruan të gjithë humbje në 2017-n (shih nënçështjen në vijim për operatorët celularë).
Më pas vjen “Energji elektrike, gazi, uji dhe trajtimi i mbetjeve” (-3.6 miliardë lekë), si rrjedhojë e një viti të thatë që përkeqësoi treguesit e operatorëve të sistemit energjetik (shih nënçështjen për energjinë). Rënie të fitimeve prej 3.2 miliardë lekësh raportoi dhe ndërtimi dhe tregtia me -1.7 miliardë lekë.
Ndonëse të ardhurat e kompanive nga shitjet janë rritur me 8.3%, duke arritur në rreth 2 trilionë lekë, apo 16 miliardë euro, kjo nuk i ka ndihmuar bizneset që të kenë më shumë para të mbetura në fund të vitit, pasi shpenzimet, përfshirë ato për personelin, mallrat e blera dhe të tjera, janë rritur me ritme më të larta, prej gati 13%. Kjo ka bërë që norma e fitimit në të gjithë ekonominë të bjerë në 8.7%, nga 7.8% që ishte vitin e mëparshëm. Kjo do të thotë që për çdo 100 lekë të ardhura në ekonomi, 7.8 lekë shkojnë si fitim neto në duart e bizneseve, që operojnë në vend.
Rënia e telekomunikacioneve
Vitet e arta, kur dy operatorët e mëdhenj të telefonisë celulare rezultonin me fitime të larta dhe normë përfitueshmërie mbi 50% janë tashmë shumë larg (në vitin 2008, më i miri historik, fitimet e Telecom Albania dhe Vodafone arritën në 200 milionë euro së bashku).
Prej dy vitesh, operatorët po thellojnë humbjet, duke reflektuar modelin e ri ku po orientohet sektori, si rrjedhojë e rënies së të ardhurave nga shërbimet zanore (voice) dhe konkurrencës që po vjen nga teknologjia (përdorimi i internetit po ul ndjeshëm të ardhurat nga interkoneksioni).
Vodafone Albania, operatori më i madh sipas të ardhurave, me qarkullim vjetor prej 16.3 miliardë lekësh, sipas të dhënave në bilanc, ka deklaruar humbje neto kontabël para tatimit prej 792 milionë lekësh, nga 173.5 milionë lekë (humbje) vitin e mëparshëm. Ulja e fitimit erdhi pasi kompania ka shënuar rritje më të shpejtë të kostos së shitjes, shërbimeve dhe shpenzimeve të tjera, ndërsa të ardhurat ranë me 3.4%. Megjithatë, Vodafone ka paguar 252 milionë lekë tatimfitim, si rrjedhojë e shpenzimeve të larta të pazbritura fiskalisht (si p.sh., pritje e dhurata, qira për punonjës të huaj, provigjione, nxjerrje e aktiveve jashtë përdorimit, etj.).
Edhe për Telecom Albania, dikur një nga kompanitë me normë më të lartë fitimi në vend, kohët nuk janë aq të mira. Telecom, që kishte të ardhura 9.1 miliardë lekë, raportoi humbje tepër të larta 4.8 miliardë lekë (më se gjysma e të ardhurave) në 2017-n, pas fitimeve minimale prej 155 milionë lekësh në 2016-n.
Përkeqësimi i rezultatit financiar ka ardhur si rrjedhojë e rënies së të ardhurave me 14%, ndërkohë që kosto e shitjes dhe shërbimeve të ofruara u rrit me 30%, duke bërë që kompania të rezultojë me një humbje bruto (përpara shpenzimeve administrative) prej 815 milionë lekësh, nga 2.9 miliardë lekë që ishin fitimet bruto vitin e mëparshëm. Rezultatet e përkeqësuara financiare kanë nxitur kompaninë mëmë, gjermanët e Deutsche Telekom, të fillojnë negociatat për shitjen e filialit në Shqipëri.
Energjia u godit nga thatësira
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) raportoi rënie të fitimeve me 84%, në 3.4 miliardë lekë në 2017-n, për shkak të një situate mjaft të vështirë hidrike, si pasojë e thatësirës më të rëndë të 20 viteve të fundit. “Shqipëria është një vend me varësi të theksuar nga burimet hidrike dhe OSHEE-ja e vuajti këtë varësi gjatë vitit 2017, çka e detyroi ta siguronte energjinë jo nga burimet e vendit, si KESH apo HEC-et private, por nga importi me çmime shumë të larta (gati dyfish) krahasuar me vitet e mëparshme. Kjo thatësirë i shkaktoi OSHEE-së impakt negativ me mbi 100 milionë euro në financat e saj”, pohoi administratori i OSHEE, Adrian Çela.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) raportoi ulje të fitimeve nga 1.8 miliardë lekë në 2016-n në 506 milionë lekë, si rezultat i thatësirës që solli rënie të ndjeshme të të ardhurave. Ecuri më pozitive kishte Operatori i Sistem Transmetimit, që raportoi fitime prej 1.3 miliardë lekësh, para taksave, me rritje 15% me bazë vjetore.
Tregtia dhe shërbimet sjellin 61% të fitimeve në ekonomi
Pjesa më e madhe e shqiptarëve jetojnë me të ardhurat që sigurojnë nga zanati i vjetër i shitblerjes dhe nga shërbimet e akomodimi (kryesisht baret e restorantet). Në vlerë absolute, fitimet nga tregtia ishin rreth 510 milionë euro, dhe ato nga shërbimet dhe nga akomodimet rreth 240 milionë euro. Në total nga tregtia dhe baret-restorantet, që janë të përhapur në çdo cep dhe hoteleria, gjenerohen rreth 61% e totalit të fitimeve në ekonomi. Kjo është e lidhur me numrin e lartë të ndërmarrjeve që operojnë në këtë sektor, rreth 45 mijë në tregti dhe 20 mijë në shërbime, që së bashku përbëjnë 60% të totalit të ndërmarrjeve në vend.
Më pas renditet ndërtimi, që u ka sjellë ndërtuesve rreth 180 milionë euro fitime në 2017-n, i ndjekur nga industria përpunuese (154 mln euro), Transporti, informacioni dhe komunikacioni (70 mln euro), Industria nxjerrëse (45 mln euro).
Sektorët më fitimprurës
Shërbimet rezultojnë sektori më fitimprurës në ekonomi, ku 14% e të ardhurave mbetet në fund si fitim neto. Në krahasim me 2016-n, norma e fitimit ka rënë me 4 pikë përqindje. Ndërtimi renditet në vend të dytë, me normë kthimi prej 9.3%, edhe ky me rënie në raport me një vit më parë. Industria përpunuese kthen si fitime 8.1% të të ardhurave. Pas humbjeve të vazhdueshme, industria nxjerrëse raportoi normë fitimi prej gati 8%, duke qenë sektori me ecurinë më të mirë të përfitueshmërisë në 2017-n.
Nga tregtia, nga e cila e sigurojnë jetesën pjesa më e madhe e shqiptarëve, normat e fitimit kanë rënë në 6.8%.
Baret dhe restorantet (akomodimi dhe shërbimi ushqimor) nuk po rezultojnë më aq fitimprurës. Për çdo 100 lekë të gjeneruara, në 2017-n fitohej vetëm 6.6 lekë, nga gati 12 lekë vitin e mëparshëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.