Bien të ardhurat dhe shpenzimet e familjeve, sa u duhet që të mbijetojnë në një muaj, 24% kanë kredi (a mjafton ndihma financiare)

30/04/2020 9:56 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Nga vrojtimi mbi Gjendjen Financiare dhe Huamarrjen e Familjeve, të kryer nga Banka e Shqipërisë për 6-mujorin e dytë të 2019-s, rezulton se ka pasur një rënie të numrit të të punësuarve në këtë periudhë, çka ka sjellë uljen e të ardhurave dhe ka detyruar që ata të tkurrin shpenzimet.

Më shumë se 50% e familjeve kanë të ardhura mujore deri në 50 mijë lekë, ndërsa në kahun tjetër dhe shpenzimet janë në këto nivele (ndërkohë paga minimale që po marrin si ndihmë pas krizës së punësimit nga Covid-19 është 26 mijë lekë).

Sipas gjetjeve të Bankës së Shqipërisë, numri total i të punësuarve në kampionin e vrojtuar ka rënë krahasuar me 6-mujorin e kaluar dhe krahasuar me një vit më parë, dhe rënia ka ardhur nga të tre kategoritë e të punësuarve (sektor shtetëror, privat dhe të vetëpunësuar). Niveli i përgjithshëm i të ardhurave dhe shpenzimeve të familjeve ka rënë gjatë periudhës së vrojtuar, por rënia e shpenzimeve ka qenë më e theksuar, duke rezultuar në një përmirësim të lehtë të balancës financiare (të ardhura – shpenzime) të familjeve.

Numri total i anëtarëve të familjeve që sigurojnë të ardhura nga punësimi/vetëpunësimi në sektorët shtetëror, privat dhe/ose burime të tjera , ka shënuar rënie si në terma 6-mujorë (me 3.6%) dhe në terma vjetorë (me 7.9%).

Duke e fokusuar analizën vetëm në pjesën e të punësuarve të kampionit të vrojtuar (tabela në vijim), numri total i tyre ka shënuar rënie si krahasuar me 6 muaj më parë (me rreth 6%) dhe krahasuar me një vit më pare (me rreth 10%). Si në terma 6-mujorë dhe në terma vjetorë, rënia e numrit të të punësuarve në kampionin e vrojtuar, ka ardhur nga të tre kategoritë e të punësuarve (sektorët shtetëror, privat dhe të vetëpunësuar).

Të ardhurat dhe shpenzimet e familjeve.

Gjatë 6-mujorit në analizë, struktura e shpërndarjes së familjeve sipas nivelit të të ardhurave, ka vijuar të përqendrohet drejt nivelit ’17-50 mijë lekë’, si në terma 6-mujorë dhe në terma vjetorë, duke rezultuar në 56% të familjeve. Nga ana tjetër, rreth 10% e tyre deklarojnë të ardhura të ulëta mujore ‘deri në 17 mijë lekë’ (në rënie me 1 pp krahasuar me 6MI-2019), 27% deklarojnë të ardhura mujore ‘50-100 mijë lekë’ dhe 6% deklarojnë të ardhura në nivelin ‘100-200 mijë lekë’.

Shpërndarja e familjeve, sipas nivelit të shpenzimeve të domosdoshme të jetesës, është zhvendosur disi drejt nivelit mesatar të shpenzimeve mujore. Kështu, rreth 57% e të anketuarve deklarojnë shpenzime mujore në nivelin ’20-50 mijë lekë’, dhe kjo peshë është rritur me 6.5 pp krahasuar me 6-mujorin e kaluar, dhe me 4.4 pp krahasuar me një vit më parë.

Nga ana tjetër, pesha e familjeve që deklarojnë shpenzime në nivelet e tjera, më të larta apo më të ulëta, ka rezultuar kryesisht në rënie krahasuar me vrojtimin e kaluar. Indeksi i të ardhurave dhe Indeksi i shpenzimeve kanë shënuar rënie gjatë periudhës së vrojtuar, por rënia e indeksit të shpenzimeve ka qenë më e theksuar, duke rezultuar në një përmirësim të lehtë të balancës financiare (të ardhurave – shpenzime) të familjeve.

Huamarrja e familjeve

Në këtë vrojtim, numri i familjeve që deklarojnë se kanë një ose më shumë hua për të paguar në momentin e intervistimit, pavarësisht llojit, burimit apo vlerës së kësaj huaje, ka rezultuar në 257 familje ose rreth 24% e të përgjigjurve. Kjo peshë ka mbetur e pandryshuar krahasuar me 6-mujorin e kaluar dhe ka shënuar një rënie të lehtë (me 1.8 pp) krahasuar me një vit më parë, duke vijuar të mbetet nën mesataren historike të vrojtimit prej rreth 28%.

Qëllimet e huamarrjes. Qëllimet kryesore të huamarrjes mbeten: ‘për konsum’ në 34% të rasteve të huamarrjes, ‘për blerje/riparim i një prone’ në 30% të rasteve dhe për ‘zhvillim biznesi’ në 12% të rasteve. Pesha e rasteve të huamarrjes për ‘blerje/riparim prone’ ka rezultuar në rritje me 2 pp gjatë gjashtëmujorit të vrojtuar dhe në rritje me 4 pp krahasuar me një vit më parë. Nga ana tjetër, huamarrja për ‘konsum’ ka shënuar një rritje të lehtë (me 1 pp) në terma 6-mujorë, por ka shënuar rënie (me 4 pp) në terma vjetorë. Huamarrja për ‘zhvillim biznesi’ ka rezultuar në rënie gjatë të dyja periudhave.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of