Kompania rezultonte në gjendje të qëndrueshme financiare, sipas bilancit të 2012-s. Detyrimet ndaj bankave 8.1 milionë euro; kompania në bilanc njeh si detyrime ndaj shtetit vetëm një shumë prej 250 mijë eurosh. Aktivet fikse ishin 45 milionë euro në fund të 2012-s.
Nga Ornela Liperi
Një kompani që ka arritur të ruajë të ardhurat, por është përballur me shtim të shpenzimeve, çka ka reduktuar fitimin në nivele minimale, por që gjithsesi me rezultat pozitiv dhe fitim të qëndrueshëm operacional, që nuk të lë shkas të mendosh se po vuan një krizë të rëndë financiare.
Ky është konkluzioni nga një vështrim i bilancit të vitit 2012 të kompanisë Belle Air, e cila, vetëm pak ditë më parë, shpalli falimentin, duke cituar “situatën e përgjithshme ekonomike, rënien e fuqisë blerëse, recesionin në tregjet kryesore ku operojmë, si edhe bllokimi prej më se 18 ditësh i të gjitha llogarive bankare të kompanisë Belle Air”.
2012, të ardhura të qëndrueshme, bie ndjeshëm fitimi
Ndonëse, sipas të dhënave nga INSTAT, lëvizjet nga ajri në total ranë me gati 10% në 2012-n, në krahasim me një vit më parë, Belle Air raporton të ardhura të qëndrueshme në bilancin e saj. Për vitin 2012 kompania rezultoi me të ardhura prej 15.3 miliardë lekësh, me një rritje prej 4.3% (rreth 634 milionë lekë më shumë) në raport me një vit më parë.
Përballë rritjes së shpenzimeve për karburante, atyre navigacionale dhe shpenzimeve aeroportuale, Belle Air nuk ka arritur të frenojë shtimin e shpenzimeve, që janë zgjeruar me 6.6% (apo rreth 930 milionë lekë), duke sjellë një fitim të reduktuar.
Fitimi operacional është përgjysmuar në 240 milionë lekë, ndërkohë që fitimi para tatimit zbriti në 50 milionë lekë (360 mijë euro), nga 312 milionë lekë (2.2 milionë euro) që ishte një vit më parë. Shtimi i shpenzimeve financiare ishte një tjetër element që ndikoi negativisht në tkurrjen e fitimit (shiko tabelën e të ardhurave dhe shpenzimeve).
Huatë, 8.1 milionë euro detyrim ndaj Intesa San Paolo dhe Raiffeisen
Janë rreth 8.1 milionë euro, që Belle Air kishte detyrim huaje ndaj bankave në vend në fund të vitit 2012, shumë që vlerësohet të jetë rritur në fund të 9-mujorit të këtij viti.
Sipas shpjegimit të pasqyrave financiare të bilancit të Belle Air në fund të vitit 2012, “shuma prej 1.13 miliardë lekësh përfaqëson detyrimin e një linje overdrafti me Bankën Intesa San Paolo Albania dhe Raiffeisen Bank për një limit overdrafti prej 5 milionë eurosh, për një vlerë të mbetur overdrafti prej 767 milionë lekësh, si dhe pjesa afatshkurtër e qirasë financiare afatgjatë prej 312 milionë lekësh, si dhe pjesa afatshkurtër e kredisë afatgjatë prej 60 milionë lekësh. Overdrafti ka normën mesatare të interesit prej 7.25%.
A do t’i jepnin kredi bankat një kompanie me një bilanc të tillë?
Nëse një kompani do t’i drejtohej një banke për të marrë hua, duke paraqitur një bilanc të ngjashëm me atë të Belle Air, elementi i parë që do të shihnin bankat do të ishte treguesi i fitimit operacional, EBITDA (fitimi para interesave, taksave, zhvlerësimit dhe amortizimit), që tregon se sa aftësi ka kompania për të gjeneruar të ardhura dhe cash. Elementi i dytë do të ishte ngarkesa me borxh që ka kompania.
Treguesi i EBITDA për Belle Air për 2012-n rezultonte pozitiv, ndonëse në rënie në raport me një vit më parë. Fitimi operacional ishte rreth 240 milionë lekë (1.7 milionë euro).
Me një borxh rreth 4 herë mbi EBITDA (niveli që preferojnë bankat është 3-4 herë), bankat do të binin dakord që të kreditonin një sipërmarrje me një ecuri të tillë financiare.
Në analizën e menaxhimit të riskut, që vetë shoqëria ka bërë në bilanc, vlerësohet se raporti borxh/kapital është 0.64 në fund të 2012-s, nga 0.69 që ishte në fund të 2011-s.
Menaxhimi i riskut, nuk paralajmërohet dështim
Belle Air shprehet në pasqyrat financiare se grupi zbaton parimet në lidhje me menaxhimin e riskut të përgjithshëm dhe politikat e shkruara që mbulojnë fusha specifike të tilla si risku nga kursi i këmbimit, risku i normave të interesit, risku i kreditimit, risku operacional etj.
Llojet më të rëndësishme të risqeve të grupit janë risku i kreditimit, risku i likuiditetit, risku i tregut dhe risqet e tjera operacionale. Risku i tregut përfshin riskun e monedhës, riskun e normës së interesit dhe riskun e inflacionit.
Qëllimi i grupit është të arrijë një balancë të përshtatshme midis riskut dhe kthimit dhe të minimizojë efektet potenciale të kundërta në performancën financiare të grupit.
Në analizën e riskut të kompanisë nuk paralajmërohet rreziku i ndonjë dështimi të mundshëm të aktivitetit në afatin e shkurtër.
Detyrimet ndaj shtetit dhe të tjerëve
Belle Air njeh në bilanc si detyrime ndaj shtetit për tatimin mbi të ardhurat nga punësimi, sigurime shoqërore dhe të tjera detyrime afatshkurtra një shumë prej 35 milionë lekësh, apo 250 mijë euro.
Një tjetër detyrim që shfaqet është ai për shpenzime aeroportuale, përpunimi dhe karburant, prej 1.4 milionë eurosh.
Nuk figuron në bilanc detyrimi për taksën prej 10 eurosh për biletë, që autoritetet shqiptare pohojnë që nuk është paguar.
Totali i detyrimeve afatshkurtra të kompanisë në fund të 2012-s rezultonte rreth 2 milionë euro, ku pjesën kryesore e zë detyrimi për shpenzime aeroportuale.
Asetet e kompanisë
Belle Air raporton në fund të vitit 2012 aktive fikse me vlerë rreth 6.4 miliardë lekë, apo rreth 45 milionë euro, nga të cilat një tokë me vlerë rreth 5 milionë euro, e cila mësohet se është vënë si kolateral për huanë e marrë në banka.
Pjesën më të madhe të aktiveve fikse të kompanisë e zë flota, me një vlerë prej 4.3 miliardë lekësh (30 milionë euro). Avionët ishin marrë me qira financiare, çka i jepte fleksibilitet kompanisë në menaxhimin e shpenzimeve, por dhe vështirëson punën e autoriteteve në Shqipëri në administrimin e pasurisë së kompanisë. Shoqëria, nga ana tjetër, pjesën më të madhe të llogarive bankare i ka në Itali, për vetë llojin e aktivitetit të saj.
Përgjigjet e ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, në Komisionin e Ekonomisë
Cani: Ja detyrimet e Belle Air
Kompania Belle Air sh.p.k., e regjistruar më datë 09.06.2005 me NIPT K51817001T, rezulton se për periudhën gusht 2008-tetor 2013 ka detyrime të papaguara, “tarifë shërbimi”, ndaj buxhetit të shtetit në vlerën prej 845,912,200 lekësh, të pranuara nga ana e tyre.
Përse janë mbajtur këto para të buxhetit të shtetit (shtetasve) për 5 vite nga kompania në përdorim? Ku kanë qenë institucionet përgjegjëse të shtetit që nuk i kanë kërkuar e mbledhur këto para? Pikëpyetje që duan e do marrin përgjigje.
Shuma e detyrimit ka ardhur në rritje vitet e fundit. Në vitin 2011 detyrimi ishte 1.88 mln euro; në vitin 2012 – 3.57 mln euro dhe për vitin 2013, deri në qershor – 4.57 mln euro. Nga qershori deri në tetor 2013, shoqëria ka paguar 700,000 euro, ndërkohë që ka krijuar një detyrim të ri rreth 1.0 mln euro. Shoqëria konteston një shumë prej 1.26 mln euro, që, po të përfshihet në detyrim, shuma e detyrimeve gjithsej në fund të tetorit, e shprehur në euro, shkon në rreth 6.1 mln.
Kjo shoqëri ka pasur një aktivitet të madh (xhiro) gjatë këtyre viteve. Shumat e marra me kredi në banka, detyrimet e papaguara ndaj të tretëve (si rasti më sipër), janë tejet të larta (mbi 20 mln euro). Ku kanë shkuar këto para? Organet shtetërore nuk kanë bërë asnjë analizë të gjendjes?!!!
Duhet të përmendim që për periudhën 2006–2013, shoqëria Belle Air ka paguar detyrime tatimore (tatimfitim, sigurime shoqërore dhe tatim mbi të ardhurat personale) në shumën 1,177,345,015 lekësh. Me një llogaritje të thjeshtë, mesatarisht, i bie që detyrimi për tarifën e shërbimit të jetë sa 72 për qind e detyrimeve tatimore. A mos vallë shoqëria përdorte detyrimet për tarifën e shërbimit që të paguante detyrimet tatimore? Përgjigjja, nëse nuk mund të pohohet, nuk mund të mohohet.
Konstatuam gjendjen dhe kuptohet reaguam menjëherë në përputhje me aktet në fuqi. Për mospagimin e detyrimeve të kësaj shoqërie ndaj Buxhetit të Shtetit u morën këto masa nga DPT:
1. Në datë 23.10.2013 u bë njoftimi për pagesën e plotë të detyrimit për tarifën e shërbimit, ku ju la afat 10 ditë për të bërë pagesën vullnetarisht.
2. Në datën 08.11.2013 u bë bllokimi i llogarive bankare të shoqërisë dhe administratorit të kësaj shoqërie.
3. Në datën 8.11.2013 u bë vendosja e barrës siguruese për automjetet e shoqërisë, ku është bërë bllokimi i dokumentacionit të tyre.
4. Në datën 8.11.2013 u bë vendosja e barrës hipotekore për pasuritë e paluajtshme të shoqërisë.
5. Në datën 8.11.2013 u bë njoftimi i shoqërisë për vendosjen e masave shtrënguese.
Pas kërkesës së shoqërisë në datë 13.11.2013 dhe pas disa takimeve me ta në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në Drejtorinë Rajonale të Tatimpaguesve të Mëdhenj dhe në Ministrinë e Transportit, u ra dakord për pagesë me këste për detyrimet e papaguara midis shoqërisë Belle Air dhe DRTTM për detyrimin prej 845,912,200 lekë, marrëveshje e cila nuk u respektua nga shoqëria (kusht i sugjeruar nga shoqëria për garancinë bankare brenda afatit të kërkuar sipas pikës 8 të aktmarrëveshjes), ndërkohë që u zhbllokuan llogaritë. Marrëveshja e mësipërme u lidh duke marrë në konsideratë edhe interesin e qytetarëve, të cilët kishin prerë biletat pranë kësaj shoqërie. Për mosrespektimin e kësaj pike, në datë 25.11.2013, u bë ribllokimi i llogarive bankare të shoqërisë, administratorit dhe aksionerëve të saj. Janë të bllokuara edhe 15 automjete të shoqërisë, si dhe është dërguar shkresë për bllokimin e pasurive të paluajtshme pranë ZRPP-së.
Gjithashtu, jemi informuar se kjo shoqëri në datë 22.11.2013 ka depozituar në gjykatë kërkesën për hapjen e procedurave të falimentit, në datë 24.11.2013 ka njoftuar pezullimin e fluturimeve, ndërkohë që deri në datën 27.11.2013 ka vijuar shitjen e biletave???
Përse ky veprim i shitjes së biletave edhe pas kërkesës për faliment e për më tepër pas pezullimit të fluturimeve?
Në këto momente, shoqëria është në proces gjyqësor me DPT-në në Gjykatën Administrative.
Hapa të mëtejshëm: gjendja duket pak a shumë e qartë dhe tashmë nuk lë hapësira për hamendësime. DPT e MF në bashkëpunim dhe me ministri të tjera përgjegjëse ka filluar nga puna për plotësimin e dosjes së plotë (përfshirë edhe DPPP) për ndjekje deri në fund të kësaj çështjeje, që nga sa duket ka jo pak elemente abuzimi në disa plane dhe nga shumë persona. Kjo do të na ndihmojë në dhënien e përgjigjes së pyetjeve të mësipërme dhe potencialisht të kthimit të parave në buxhet dhe ndoshta dhe qytetarëve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.