Bilanci i virusit, i cili ka ngritur ‘në këmbë’ gjithë botën vijon të rritet. Të paktën në 70 vende është zbuluar me 90 mijë raste të prekura dhe 3,100 persona që kanë humbur jetën.
Bota është në një ‘territor të paeksploruar’ me shpërthimin e koronavirusit, deklaroi kreu i Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH) Tedros Adhanom Ghebreyesus.
“Asnjëherë më parë nuk kemi parë një sëmundje të frymëmarrjes të jetë e aftë të përhapet kaq shpejt në komunitet, por që gjithashtu mund të përmbahet me masat e duhura. Vendet mund të ndalojnë transmetimin dhe të shpëtojnë jetë,” shtoi ai, nëse marrin “masa të hershme, agresive”.
Bashkimi Europian ka ngritur vlerësimin e rrezikut të hënën, duke paralajmëruar se tani ekziston një rrezik i moderuar deri i lartë i përhapjes së qëndrueshme të virusit në shtetet anëtare dhe Mbretërinë e Bashkuar në javët në vijim.
Komisionerja për Shëndetësinë në BE Stella Kyriakidou njoftoi se Qendra Europiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (ECDC) kishte ngritur nivelin e rrezikut, pasi blloku përpiqet të bashkërendojë përpjekjet për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.
Përhapja e virusit ka ardhur duke u rënë në Kinë. Të martën numërohen vetëm 125 raste të reja nga 202 një ditë më parë. Kina vijon të mbetet vendi më i goditur me 80.151 të prekur dhe 2,943 të vdekur.
Nga ana tjetër rastet e koronavirusit në Korenë e Jugut janë rritur këtë të martë, me 477 të raste të reja të raportuara. Në total, 4,812 në Korenë e Jugut kanë testuar pozitive për virusin.
Numri i të vdekurve në Itali është rritur në 52, mes një rritje të rasteve në vendin më të prekur në Europë. Deri tani rezultojnë 2.036 raste pozitive ndaj virusit.
Në Iran virusi i ka marrë jetën një prej këshilltarëve të udhëheqësit suprem të Iranit, pasi vendi njoftoi një seri rastesh të reja duke çuar numrin e vdekjeve atje në 66, më i larti në çdo vend pas Kinës.