Flet z. Artan Lame, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës
Dy vite më parë, çështja e pronësisë hyri në një cikël të ri të imponuar nga një kuadër ligjor i ndryshuar dhe reformimi i institucioneve zbatuese që nga tre u shkrinë në një, Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Sot janë të paktën 10 procese që menaxhohen nga ky institucion.
Bilanci dyvjeçar tregon se janë 210 mijë familje që kanë në dorë sot lejet e legalizimit. Hipotekimi i pallateve të braktisura nga ndërtuesit është një tjetër element që po ndiqet ku 381 objekte kanë marrë zgjidhje dhe procesi është në vijim. Në vazhdim, ASHK do të ndjekë edhe regjistrimin e AMTP-ve ndarë me ligjin 7051, kurse rivlerësimi i banesave do të jetë një tjetër angazhim i këtij viti.
Nga Nertila Maho
Çështja e pronësisë, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të qeverive për t’i dhënë zgjidhje, ka mbetur problematike vit pas viti. Jo në pak raste është përdorur si kartë politike sa herë ishte kohë zgjedhjesh. E në rast rotacionesh, më shumë sesa është dhënë zgjidhje, janë krijuar ligje mbi ligje, e reforma mbi reforma duke e komplikuar edhe më shumë.
Për thuajse tre vite, një kuadër ligjor tërësisht i ri, që rikonceptoi pjesën institucionale dhe rrugën që do t’i jepej çështjeve pezull të pronave nga legalizimet te hipotekimi i pallateve të braktisura apo regjistrimi i Akteve të Marrjes së Tokës në Përdorim, shënoi një tjetër “start”. Krijimi i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, nga bashkimi i tre institucioneve ku si bosht shërbeu ish-Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ishte një nga pjesët më të rëndësishme të kësaj reforme.
Artan Lame, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, në një intervistë për “Monitor” bën sot një bilanc të çështjes së pronave në vend dhe sfidat që ka përpara institucioni. Në shifra, sot, falë procesit të legalizimit u janë dorëzuar 210 mijë familjeve lejet e legalizimit për ndërtimet informale. Paralelisht ka vijuar hipotekimi i pallateve të braktisur nga ndërtuesit, ku numërohen të paktën 14 mijë familje përfituese.
Lame parashtron se problematika e pronës nuk mund të zgjidhet në afatshkurtër, por vënia në rrugë e disa proceseve të lëna pezull si dhe krijimi i disa modeleve që funksionojnë dhe kanë dhënë rezultat, është padyshim diçka e mirë, që po aplikohet edhe në hallka të tjera që lidhen me pronësinë, si regjistrimi i lejeve të legalizimit, regjistrimi i banesave të vjetra, kalimi i oborreve të dhëna në përdorim e procese më të vogla që në total bëhen 10 për ASHK.
Ku ndodhemi sot në raport me pronën në Shqipëri, po të kemi parasysh proceset që e kanë shoqëruar atë si legalizimi, regjistrimet, privatizimet?
Kanë kaluar 30 vjet nga ndryshimi i sistemit të fundit, dhe në këto 108 vjet, Shqipëria ka ndërruar 3-4 sisteme themeltare, nga të cilët, asnjë nuk ka arritur asnjëherë të zgjidhë në themel problematikën e pronës. Kjo problematikë nuk është krijuar në vitet ’90, por ka nisur që në 1912. Të gjithë regjimet deri në 1944-n, kanë menduar t’i japin një zgjidhje në kahjen e zhvillimit kapitalist, por për shkak të ndryshimeve të shpeshta, nuk e kanë finalizuar.
Edhe Zogu, i cili mori iniciativën për Reformën Agrare, nuk arriti ta çonte deri në fund, edhe pse për disa gjëra mund të kritikohet, por për disa të tjera, përpjekjet i çoi deri në fund. Sa i përket pronës, nuk arriti të krijojë një kadastër themeltare të vendit, sepse edhe ai, kohë pas kohe e braktiste si ide, për shkak të presionit të brendshëm të shtresave të ndryshme politike të momentit.
Pastaj filloi lufta dhe në ’44-ën, ne ndryshuam totalisht sistem. Ky i fundit u përpoq me logjikën e vet ta zgjidhte ndryshe, në kuadër të ideologjisë marksiste. U pa që dhe ky sistem, i cili vazhdoi deri në 1990, la pas shkatërrimin e vet.
Në vitet ‘90 e nisëm tërësisht nga fillimi. Na u duk sikur po i ktheheshim sistemit të para ’44. Në fakt, për shkak të mungesës së përvojës, interesave, padijes dhe faktit që kishte humbur lidhja e qartë e pronësisë së para ‘44 dhe pas ’90, nuk ishim në gjendje të ndërtonim një skemë të qartë funksionale.
Harxhuam 3 dekada në përpjekje për të ngritur një sistem të ri, duke krijuar një mish-mash të jashtëzakonshëm. Në themel të këtij kaosi, ishte mungesa e një boshti orientues që duhet të fillonte në ’90, e vazhdonte pafund. Sa herë ndryshonin qeveritë, ndryshonin politikat, ndërsa legjislacioni mbivendosej pa asnjë koherencë.
Në disa sektorë parimi ishte “kush të shqyejë ç’të mundet”. Në fund, mbërritëm deri në mesin e viteve 2010-2015 me situatën që e njohim: një pafundësi gjyqesh për prona, krime e vrasje për shkak të pronave, me mbivendosje e abuzime.
Merita e parë e qeverisë aktuale ishte hapja e kapakut të një tenxhereje që vlonte prej vitesh. Nëse deri në atë kohë, rreth 2015, ishte thjesht një refren çështja e pronave, e pastaj vazhdonte fundi i pafundmë, të paktën u frenua procesi, për ta nxjerrë ballë popullit dhe ballë çdo njeriu që mund të kontribuonte në situatën reale.
U nxorën gjithë problematikat, pa fshehur asgjë. I kemi thënë dhe pranuar të gjitha, sepse në një mënyrë apo në një tjetër, politika shqiptare ka qenë e përfshirë, diku me malinjitet, diku nga padija. E vetmja mënyrë për ndryshim, është një reformë themeltare në pjesën ligjore të pronës. Unë e kam vrarë mendjen për të kuptuar agravimin 30-vjeçar të situatës në fushën e pronave që kishte arritur në ekstreme të patolerueshme.
Arsyet mendoj janë dy.
E para, sepse tenxherja e pronave arriti në pikën e shpërthimit. Pra vazhdoi të mahisej për gjithë këto vite dhe, ose do të uleshim ta zgjidhnim, ose do të na merrte me vete të gjithëve.
E dyta, ka të bëjë me zhvillimin ekonomik të vendit, nxitjen e investimeve, joshjen për të investuar e për të ndërtuar në gjithë fushat, nga investimet në bregdet tek ndërtimet në qytete, investime në bujqësi e energjetikë, linja prodhimi e paketimi. Rritja e interesit për to, papritur i dha vlerën e munguar pronave.
Për shembull, prona në Theth ishte problem dhe në vitin 2000. Por atëherë, nuk i shkonte kujt në mendje të shkonte Theth. Turisti i huaj nuk e dinte ku binte Thethi. Në Theth kishte banorë që jetonin, por s’kishin dokumente, e as ju duheshin dhe këtu mbaronte çështja. Kur në Theth nisën të shkojnë turistët, u bë interesant, u kërkua të ndërtoheshin hotele dhe bujtina. Papritur, prona mori vlerë e gjithë këta njerëz kërkuan menjëherë dokumentet.
Kjo ka ndodhur në të gjithë vendin. Shpërthimi i investimeve, i rriti vlerën pronës dhe kërkoi pajisjen me dokumentacion. Ky fakt e vuri qeverinë shqiptare para dilemës se pa zgjidhur pjesën e pronave, nuk zgjidhim dot atë të investimeve.
Si ka ecur reforma e nisur në fushën e pronës deri më tani duke pasur parasysh ndryshimet ligjore dhe mënyrën sesi u organizua institucioni pas shkrirjes së tre prej tyre në një?
Kur flasim për reformë, ka disa hapa. E para ishte reforma legjislative. Filloi të konceptohej që para tre vjetësh dhe u kthye në një paketë prej dy ligjesh dhe 36 VKM-sh, apo akte nënligjore shoqëruese. Nga dy ligjet, njëri ishte ai “Për kadastrën” që u miratua në 2018 dhe hyri në fuqi në fillim të vitit 2019, duke krijuar institucionin që do të ishte Agjencia Shtetërore e Kadastrës, e konceptuar si shkrirje së bashku, fillimisht të tre institucioneve ekzistuese dhe më pas edhe të institucioneve të tjera që kanë të bëjnë me pronën. Boshti në strukturën e re ishte Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe aty do bashkohej Agjencia e Legalizimeve dhe Agjencia e Transferimit të Pronës Publike.
Ky ligj ishte mjeti i realizimit të reformës, së bashku me ligjin tjetër “Për përfundimin e proceseve tranzitore të pronësisë në RSH”.
Në thelb ky ligj trajton: Në 1990 gjithë prona shtetërore, pastaj bëmë një mori ligjesh për ta kaluar këtë pronë shtetërore, tek privatët. Këto ligje nuk u harmonizuan asnjëherë më njëri-tjetrin dhe dolën në kohë të ndryshme. Por edhe pas 30 vitesh vazhdonin efektet e tyre njëlloj. Atëherë, gjithë këto procese duhet t’i konsiderojmë si procese tranzitore të pronësimit dhe duhej vendosur afat se kur përfundojnë.
Bëhet fjalë për procese nga më të rëndësishmit e deri tek më minorët e në total janë dhjetë. Përfshijnë procese, nga ai i ligjit 7501 që është ndarja e tokës në fshat e deri te procese të tilla si legalizimet, privatizimet e industrisë dhe ekonomisë, kthimin dhe kompensimin e pronave të ish-pronarëve, një ligj i bërë shumë keq.
Po kështu edhe regjistrimi i banesave të vjetra, sepse janë ende të paregjistruara shtëpitë e kohës së Zogut apo ato të kohës së Turqisë.
Një tjetër proces është edhe regjistrimi i oborreve të dhëna në përdorim. Të gjitha këto u konsideruan procese tranzitore të shpronësimit të shtetit drejt privatit, që nisën nga ‘90. Problem mbi problemet ishte se e gjithë reforma, duhej bërë mbi një bazë hartografike që ish-ZRPP e kishte në nivele katastofike.
25 vitet e fundit në Shqipëri janë harxhuar shifra të paimagjinueshme për të hartëzuar pronat, por prapëseprapë niveli i hartografisë është jashtë çdo imagjinate. Kjo ishte pak a shumë edhe logjika e këtij ligji. Baza ishte të zotëronim një hartë. I gjithë ky proces duhej ndërmarrë duke riparuar defektet pa ndalur trenin në stacion, sepse zyrat nuk mund të mbyllen për qytetarët të cilët duan shërbim.
Ndalemi tek shërbimet e ASHK. Si ka qenë ecuria e tyre duke pasur parasysh proceset në të cilat është e përfshirë direkt?
Me statistikë, në 5-6 vitet e fundit, Kadastra shqiptare jep mesatarisht, 900 mijë – 1.1 milionë shërbime në vit. Në 2020 patëm një shifër shërbimesh prej 1.1 milionë e diçka. E thashë pak më lart se nuk mund të mbyllen dyert e të thuhet se “do të rregullohemi një herë dhe pastaj do të vazhdojmë me shërbimet”. Rregullimi i kuadrit ligjor, ristrukturimi dhe dhënia e shërbimeve, ecin paralel.
Vetëm për procesin e rindërtimit për institucionet shtetërore dhe qytetarët që patën nevojë për të, u kryen 120 mijë shërbime. Ishin saktësime për pronat para tërmetit, përcaktimi i pronave të reja ku do zhvendoseshin, e aspekte të kësaj natyre.
Duke u ndalur te legalizimet, ato tashmë konsiderohen një betejë e fituar me paligjshmërinë dhe flitet aktualisht për 210 mijë legalizime të kryera. Janë pasuri në treg, e familje që kanë një shtëpi me dokumente.
Dua të ndalem pak tek ky proces të cilin e shoh edhe si shumë edukativ për pjesën e popullatës, që kuptoi se prona kërkon dokument. Unë jam marrë me histori dhe historikisht, e kuptoj neverinë e shqiptarëve për letrat. Të gjithë flasin për një pronë “është tokë babe dhe gjyshi”, por nuk e kanë konceptin e dokumentit.
E dyta, imagjinoni një shtëpi pa asnjë dokument pronësie. Minimalisht, legalizimi shërben si dokument që të thuash se “është shtëpia ime”. Në Shqipërinë tonë të çudirave, mund të të vijë dikush me kapuç në kokë dhe të të nxjerrë nga shtëpia dhe ti nuk e provon dot që është shtëpia jote. Dokumentet shërbejnë edhe për aspekte të tjera, të trashëgimisë, apo ndarjes së pronës mes fëmijëve.
Ndaj them që beteja e legalizimeve është e fituar, edhe pse thuhet gjithmonë: kur do të mbarojë? Në Shqipëri nuk do të mbarojë asnjëherë, sepse ndërtime pa leje do të ketë gjithmonë. Ndërtime pa leje ka dhe në Zvicër, por nuk bëhet më fjalë për masivitet, por raste sporadike, ndaj shkohet drejt normalitetit. U fitua shumë përvojë nga ALUIZNI dhe tani kalohet te pjesë të tjera të mekanizmit, që nuk kanë funksionuar siç duhet.
Thelbi i suksesit tek legalizimet, ishte thjeshtimi i procedurave. Ka një parim në artin e qeverisjes, burokracia është si ajri, zë gjithë hapësirën që i jepet. Nëse një burokrati i jep hapësirë për të bërë dy dokumente ai bën dy të tilla, nëse i jep për 20 dokumente, aq do kërkojë. Vumë re se, sa më shumë procedura hiqeshin, aq më shpejt ecte procesi dhe aq më shumë ulte marzhin e vulnerabilitetit të nëpunësit.
I njëjti koncept filloi të aplikohet edhe tek hallka të tjera të zinxhirit. Kjo nuk është shpikje e jona, pasi eficienca në administratë, është problem në të gjithë botën e qytetëruar. Për më tepër në Shqipëri, ku administrata ka dhe probleme të tjera të brendshme.
Pika më kyçe që vihet re se ka nisur të japë efektet e para ende të vogla, është fusha e regjistrimit të tokës në fshat. Një nga reformat më të mëdha të regjistrimit të tokës bujqësore, sfida më e madhe që ka përpara aktualisht institucioni në planin e tij 4- vjeçar.
Ky është një proces që ju ngarkua ASHK. Si është planifikuar të zhvillohet ai dhe si është konceptuar pjesa e procedurave?
Janë afërsisht 430 mijë familje bujqësore që kanë marrë tokën me ligjin 7501 dhe shumica janë ende të paregjistruara. Arsyeja kryesore, (duke lënë pjesën joobjektive pra korrupsion e gjëra të tilla), është kaosi i procedurave. Ekzistonin 23 procedura në 8 institucione të ndryshme për të regjistruar një AMTP (Akt i Marrjes së Tokës në Pronësi). Të gjitha këto u fshinë dhe u grupuan në tre procedura të veçanta dhe në një institucion të vetëm që është Kadastra.
Ka dhe një parim tjetër shumë thelbësor, një fshatar (preferoj të përdor këtë term, edhe pse kjo ka marrë një konotacion negativ, por kjo rregullohet jo duke i ndryshuar termin, por duke i dhënë dinjitet punës) që ka një pronë dhe ka 20 e ca vjet që përdor, gjendet përballë kërkesave të tipit: ke pasur për të marrë 2500 metra, ke marrë 2600 metra. Por ai ka 25 vjet që e mbjell. Apo, çfarë kuptimi ka pas 25 vitesh që e përdor, ti thuash: “nuk duhet ta kishe këtu, por duhet ta kishe aty”.
Pra, për sa kohë vetë fshatarët me njëri-tjetrin, e kanë gjetur paqen, aty ku e kanë gjetur, shteti duhet ta legjitimojë këtë dhe jo ta bëjë çorap nga e para. Këtu do doja të përmendja një parim tjetër surreal tipik shqiptar. Regjistrimi i pronës në themel që nga Babilonia, sumerët dhe Kodi i Hamurabit, ka një logjikë. Shteti përpiqet të regjistrojë pronat e qytetarëve, që mbi bazë të tyre, të kërkojë taksa. Qytetarët mundohen vazhdimisht t’i fshehin, sepse nuk duan të paguajnë taksa.
Në Shqipëri, ka 30 vjet që ndodh e kundërta. Qytetarët thonë “na regjistroni” dhe shteti surreal shqiptar, nuk është në gjendje t’i regjistrojë këto prona. Është thyerje e një procesi 5 mijë vjeçar të zhvillimit të qytetërimit.
Njëlloj është situata edhe me oborret në përdorim që u janë dhënë familjeve që kishin shtëpi para 40-50 viteve në qytet e fshat dhe ende i kanë pa letra. Ka 30 vjet që ka nisur ideja e privatizimit të oborreve dhe procedura sorollatet nëpër institucione të ndryshme.
Një herë e merrte shteti përsipër, pastaj ua kalonte bashkive. Këto të fundit s’e bënin dot dhe e kthenin prapë tek shteti e më pas i jepej dikujt tjetër. Tani, edhe kjo pjesë i ka kaluar kadastrës me logjikën “thjeshtoni procedurat”. E njëjta gjë po ndodh edhe për regjistrimin e banesave dhe për gjithë proceset tranzitore.
A ju ka ndikuar COVID-19 në lidhje me ecurinë e punës në institucionin tuaj?
Mjafton të marrësh një pjesë të grafikëve të punës dhe vihet re menjëherë ndikimi i COVID-it, por na shpëtoi diçka që ishte jashtë vullnetit tonë. Në fillim të vitit 2020, qeveria i hyri një reforme të madhe të dixhitalizimit. Asnjeri nuk e dinte që do të vinte COVID-19. Synimi ishte për të dixhitalizuar shërbimet, për të shmangur kontaktin e qytetarëve me nëpunësin me qëllim edhe uljen e korrupsionit.
Në janar filloi implementimi i procesit, ndërsa në mars “plasi” pandemia. Nëse nuk do të funksiononte e-Albania, shumë nga shërbimet do të paralizoheshin, jo vetëm tonat, por dhe të institucioneve të tjera. Ishte një rastësi, për të gjithë bashkë.
Dixhitalizimi është një nga prioritetet absolute të institucionit për 4-vjeçarin e ardhshëm. Ngritja e një sistemi të ri elektronik, pasi ky i tanishmi, nuk e mban më ngarkesën dhe gjithë risitë e hedhura në të. Po kështu edhe një orientim më i mirë drejt shërbimeve të specializuara, sipas sektorëve. Kjo do të thotë që e-Albania është një platformë e përbashkët ku qytetari, noteri, institucioni dhe subjektet private, aplikojnë njësoj. Me pak fjalë kaluam në një fazë më të zhvilluar. Bëmë edhe një platformë më vete për institucionet që kanë probleme pronësie, sepse nuk mund të aplikojnë njëlloj si një qytetar që ka të tjera specifika. Platforma filloi nga funksioni në 1 dhjetor 2020.
Kjo lehtësoi sistemin për shërbimin ndaj qytetarëve. Bëmë një marrëveshje me Dhomën e Noterëve për të pasur në mënyrë të specifikuar operimin me ta. Në gjykimin tim, noterët dhe avokatët mund të kthehen një nga hallkat më të rëndësishme të punës, në raport me institucionin tonë dhe institucione të tjera.
Është pak e vështirë dhe shpresoj të mos keqkuptohet, kur them se është një nga hallkat më të rëndësishme. Shqiptari i para ’90, është rritur me mungesën e hallkave mes tij dhe shtetit. Ne jemi rritur me logjikën e proletarit që shkonte tek drejtori, përplaste duart dhe ai të jepte letrën që duhej. Ishte koncepti i mungesës së burokracisë. Shteti, ngaqë ishte paternalist, mbulonte shumë gjëra që sot duhet t’i bëjë vetë qytetari.
Në shtetin modern, gjërat specifikohen dhe specializohen. Ligjet bëhen gjithnjë e më të koklavitura dhe të specifikuara, për fusha të ndryshme. Qytetari e ka gjithnjë e më të pamundur për t’i kuptuar të gjitha dhe kjo nga një anë, vështirëson gjuhën e marrëveshjes me administratën. Ndaj bëhen të domosdoshme hallkat ndërlidhëse që bota i ka zgjidhur që para 300 vjetësh.
Ta themi me një shembull të thjeshtë: kur ti shkon te doktori dhe ai të jep ilaçet, ti shkon te farmacisti, nuk i bën vetë. Kur ti ke një problem me financat, thërret ekonomistin. Në rastin konkret, për pronën, këtë rol e luajnë disa subjekte: noteri, avokati, topografi, arkitekti. Është pak e vështirë të kuptohet rëndësia dhe roli i hallkave të tilla.
Qytetari preferon të vijë dhe të thotë kam këtë problem se nuk e kupton ligjin, ndërkohë që administrata nuk mund të pretendohet t’ia shpjegojë atë. Këtë gjë duhet ta bëjë avokati dhe noteri që sigurisht, kanë kostot e tyre. Ky proces po merr rrugë edhe pse me vështirësi.
Kam ndeshur pafund raste njerëzish që kanë shpenzuar vite të tëra për të marrë pronat dhe vijnë në dyert e institucionit, sepse nuk marrin avokat. Sot që flasim, avokati dhe noteri janë bërë të domosdoshëm dhe të mirëpranuar në nivelin e biznesit. Por është më e vështirë për t’u pranuar nga qytetari i thjeshtë, edhe pse mendoj se me kalimin e kohës, kjo do të kuptohet.
Tani po bëhet një vendim i veçantë për rolin e agjentit imobiliar. Është një hallkë tjetër e rëndësishme në sistemin e pronës. Janë këto hallka që shteti modern i ka të domosdoshme për të funksionuar.
Si është sot në shifra situata me objektet e legalizuara, ato të palegalizuara dhe ato që nuk do të legalizohen?
Në total janë 320 mijë vetëdeklarime: nga këto 210 mijë janë legalizuar. Mbeten edhe 110 mijë objekte. Nga këto, 60-70 mijë objekte janë të palegalizueshme, çka bën që numri i atyre që ende do vazhdojnë të jenë në proces dhe do marrin një leje të jetë 40 mijë objekte. Ato që nuk mund të legalizohen, do të ishte krim ndaj vendit t’i legalizoje.
Për shembull, në Qafën e Llogarasë, apo në gjithë bregun, anës rrugës, ku janë bërë lokale, këto nuk kanë sens të legalizohen. Ashtu si ndërtimet brenda parqeve kombëtare, brenda monumenteve. Gjithsesi, edhe këtij grupi iu dha zgjidhje, duke ua njohur investimin. Nuk legalizohen, nuk u jepet toka, por u jepet një dokument tranzitor që tregon se investimi që u gjet në momentin e inspektimit, do dëmshpërblehet në një, apo disa mënyra, kur të prishen.
Një nga problematikat më të mëdha ka qenë legalizimi i pallateve të braktisura nga ndërtuesit. Sot kemi mbi 14 mije familje që u janë formalizuar banesat, që i korrespondon 381 pallateve. Keni një shifër se sa njësi mbeten ende të palegalizuara dhe cilat janë problematikat që i shoqërojnë ato?
Legalizimi i pallateve të braktisura është padyshim një histori suksesi. Ishte një tjetër situatë surreale tipikisht shqiptare e qindra pallateve të ndërtuara me dhe pa leje; të pahipotekuara asnjëherë; pallate të ndërtuara tërësisht pa leje; pallate të ndërtuara me leje, por që kanë shkelur lejen ndaj s’mund të regjistroheshin në hipotekë; pallate të nisura nga një biznesmen dhe të lëna përgjysmë se falimentonte, pra, një mori e pafundme tipologjish.
Të gjitha këto raste kanë dy të përbashkëta: janë të pahipotekuara, por të banuara. Problemi ishte mahisur në vite. Fillimisht u mor për pak kohë qeveria nga vitet 2000 e ca. Pastaj, iu kalua bashkive që morën një nismë sesi mund t’i hipotekonin. Edhe ato dështuan. Në fund qeveria ia ngarkoi ALUIZNI-t.
Procesi nisi në vitin 2018, në mënyrë masive dhe u legalizuan rreth 1 milionë e 600 mijë m² ndërtim, nga të cilat, një pjesë janë njësi biznesi. Procesi ndikoi pozitivisht tek investitorët që kishin ende para për të marrë nga qytetarët. Procesi ende vijon me ritme të plota.
Ka shumë raste ndaj u detyruam të bënim legjislacion të ri, për këtë pjesë. Të parat u bënë pallatet e Hawai në Tiranë, me një VKM të veçantë për legalizimin dhe marrjen e certifikatës së pronësisë. Ajo përvojë u përdor për të krijuar më pas një VKM që parashikonte gjithë tipologjitë që përmenda më lart.
Ishte vërtet histori suksesi, por me stres të madh, sepse janë pallate me 50, 100, apo 200 familje dhe secila ka histori të ndryshme. Procesi i legalizimit të pallateve, si vetë procesi i legalizimit, nuk është një proces ku njerëzit presin se kur do t’ju vijë radha. Ata kanë bërë vetë deklarime dhe ato vazhdojnë të evadohen kohë pas kohe. Pallate të tillë ka ende kudo nëpër Shqipëri, por ajo që është bërë, tregon që mekanizmi funksionon dhe do të vazhdojë.
Ju keni evidentuar se një nga problematikat e ZRPP me një imazh të keq ishte pjesa e aplikimeve pa përgjigje që llogaritet t’ju ketë kushtuar qytetarëve 10 milionë USD. Cilat kanë qenë masat që keni marrë në këtë aspekt dhe mund të themi dy fjalë për shërbimet e diferencuara?
Një nga sukseset më të jashtëzakonshme është ulja e numrit të aplikimeve pa përgjigje. Vitin e kaluar kanë qenë vetëm 7 mijë aplikime pa përgjigje. Duket e tmerrshme që institucioni nuk u është përgjigjur kaq shumë qytetarëve, por, po ta krahasosh me atë ku kemi qenë, evidenton qartësisht progresin, pasi shifra është ulur me 20 herë. Edhe kjo situatë i ka shkaqet e veta të administratës, të pandemisë, nivelit profesional të stafeve, problemeve të korrupsionit etj.
Sa u përket shërbimeve të diferencuara, më lejoni të them diçka paraprakisht: siç fola për konceptin e ndërmjetësit, do të thoja se tek administrata është shumë e vështirë që të kuptojnë se duhet të paguajnë për shërbimin. Aktualisht, Kadastra është institucion me vetëfinancim, pra nuk merr asnjë lek nga buxheti i shtetit. Kjo do të thotë që prodhon dokumente, “i shet” dhe me ato të ardhura siguron funksionimin, si institucion.
Shumica e institucioneve nuk e logjikojnë dot se duhet ta paguajnë një shërbim që kërkojnë nga ASHK-ja, siç e paguan qytetari: “Ne jemi shtet, ç’është kjo që shteti të paguajë shtetin”. Është e njëjta luftë e madhe si dikur, kur duhet të bindje institucionet shtetërore të paguanin energjinë elektrike. Një mall që prodhohet, duhet të paguhet. Dokumentet e hipotekës, harta, janë një mall që prodhohet dhe si të tillë duhet të paguhen. Ndaj them që janë procese që kërkojnë ndryshim mentaliteti si te qytetarët, ashtu edhe tek institucionet.
Sa u përket tarifave të diferencuara, dua të sqaroj se sa ishte zyra e ish-ZRPP, u ndërtua një sportel i dedikuar, që u quajt “Fast track”. Zyra jepte shërbim të shpejtë, që do të thotë që nëse një shërbim e merrje normalisht për 21 ditë, tek “Fast track” jepej shërbim brenda 48 orëve, me një tarifë tjetër. Ishte në nivelin primitiv, pra, bëhej aplikimi dhe punonjësi e merrte dorazi dhe kryente verifikimet dhe jepte shërbimin.
Aktualisht “Fast track” ra dhe nuk ka më sens për shkak të shërbimit online E-Albania: nëse dokumentacioni që ti kërkon është i hedhur në sistem, në momentin që ti aplikon dhe paguan, për gjysmë ore, të vjen përgjigjja në postën elektronike. Nëse shërbimi që kërkohet përfshin punonjësin të bëjë kërkime në “back office”, aty mund të ketë nevojë për pagesë ekstra, për të të dhënë shërbim.
ASHK pritet të ketë një volum në rritje të punës edhe për shkak të procesit të rivlerësimit, i shtyrë deri në 30 shtator 2021. Aktualisht si ka qenë interesi për këtë pjesë? Sa aplikime rezultojnë deri në fund të vitit të kaluar? Cili është efekti që ka rivlerësimi në tregun e përgjithshëm të pasurive të paluajtshme?
Rivlerësimi u shty deri në fund të 2021 me logjikën që gjatë vitit 2020 kemi pasur një ritëm konstant aplikimesh çdo muaj. Më duket se 3-4 mijë çdo muaj. Por jo çdo aplikim do të thotë rivlerësim. Plus që ka dublime në aplikime, pasi janë bërë online dhe nuk e kanë kuptuar se është nisur dy, apo tre herë.
Aplikimet shkojnë në institucion, ky i fundit i përpunon dhe bën edhe përllogaritjen sesa shkon rivlerësimi dhe këtu ndodh një tjetër fenomen. Jo të gjitha këto paguhen. Një pjesë skarcohen në këtë fazë nga qytetari. Kategoria e tretë, janë ato aplikime që përfundojnë. Fakti që gjithë këta muaj, kjo masë aplikimesh ishte e barabartë nga muaji në muaj dhe nuk erdhi në rënie, tregon se ia vlente të zgjatej, pasi ka shumë njerëz që kanë kërkesa.
Nëse do të kishte rënie aplikimesh, pra një muaj 10 mijë e më pas 500, nuk ia vlente të zgjatej afati. Për vitin 2020 janë kryer 58.617 aplikime për “Rivlerësim Pasurie”. Nga këto, 29.620 aplikime janë të paguara. Diferenca e këtyre aplikimeve ndahet në aplikime të papaguara nga qytetari që janë 12.075; aplikime të patrajtuara nga ana e ASHK që janë 8.116 dhe aplikime të anuluara 8.806. Vlera totale e të ardhurave në Buxhetin e Shtetit për 2020, është 3,77 miliardë lekë.
Doja të vija në dukje edhe një fenomen që konstatova këtë vit dhe që s’ka të bëjë vetëm me rivlerësimin, por me qasjen e njerëzve për pronën në kohë pandemie. Gjatë 2020-s, nuk ranë aplikimet edhe pse njerëzit ishin të bllokuar, nuk lëviznin dot, administrata e stresuar për arsyet që dihen, prioritetet që ndryshojnë, por sërish mbetën 1.1 milionë aplikime.
Gjykoj që ndër faktorët ka qenë edhe ai psikologjik: “pale çfarë ndodh”. Njerëzit të gjendur para një dukurie që e kishin parë vetëm nëpër filma, historitë me pandemi e me katastrofa, u ndikuan psikologjikisht të bënin dokumentet e shtëpisë. Pra, “të bëj një dokument e ta kem”.
A keni kapacitete njerëzore dhe investime në teknologji që t’i përgjigjet reformës dhe ritmit të punës?
Të dyja çalojnë. Sepse nuk kemi të bëjmë me sektorë ndërtimi që duhen punëtorë krahu dhe punëson 100 vetë me lopatë. Duhen specialistë në fusha të caktuara dhe me përvojë pune nga të njëjtat fusha, që të futen brenda sistemit. Sistemi shkollor prodhon një sasi të caktuar inxhinierësh, topografësh, gjeodetësh.
Kur vjen puna, mjafton të dalë një biznes i madh në një fushë të caktuar, që institucioni, të hyjë në krizë. Rasti është me TAP (Gazsjellësi) ku u bë thirrje për të marrë në punë topografë e gjeodetë për të bërë hartografinë në gjurmën ku do kalonte gazsjellësi, që gjithë zyrat e kadastrës të hynin në krizë. Punonjësit ikën nga ne te privati, me paga shumë më të larta.
Ose një lloj tjetër krize. Në vitin 2019 u bënë zgjedhjet vendore dhe administratat e reja “joshën” 60 punonjës të kadastrës për të shkuar drejt zyrave vendore, drejtor urbanistike, shef kadastre nëpër bashki, sepse kaq janë kapacitetet e punës. Jemi vazhdimisht në kërkim stafesh të specializuara: në teknologji, në marrëdhënie me publikun, në regjistrimin e tokës bujqësore. Në aspektin e brendshëm, sfida më e madhe është ribërja e një sistemi elektronik të pasurive të paluajtshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Po pallatet. Qe kane shtesa katesh prej vitesh si do Behet me to,se ato jane pa hipoteke .
Pallatet e arabit te kthesa e Kamzes jane pa hipotekuar. I gjithe kompleksi