Prej tre muajsh, Gjermania ofron bileta mujore shumë ekonomike për të gjithë trenat, metrotë, tramet dhe autobusët. Skema u mendua për të nxitur përdorimin e transportit publik dhe për të lehtësuar peshën e inflacionit dhe kostove të tjera energjetike.
Plani duket se ka rezultuar i suksesshëm. Më shumë se 52 milionë njerëz kanë blerë bileta me çmim 9 euro dhe përdorimi më i paktë i automjeteve ka reduktuar emetimet e dioksidit të karbonit me 1.8 milionë tonë, sipas VDV, organizata kryesore e transporteve publike në Gjermani.
“Bileta 9 euro, jo vetëm lehtësoi qytetarët nga pikëpamja ekonomike, por ka pasur ndikim pozitiv të dukshëm në klimë” – deklaroi Oliver Wolff, CEO i VDV.
Ndikimi i biletave 9 euro në Gjermani
Në zonat urbane janë regjistruar edhe përmirësime të ndjeshme në cilësinë e ajrit. Kërkuesit e Universitetit të Potsdam zbuluan se nivelet e ndotjes atmosferike u reduktuan deri në 7%, si pasojë e planit të biletës me kosto të ulët.
“Rezultatet tona mund të sjellin implikime të rëndësishme politike dhe shëndetësore – ato tregojnë se subvencionimi i transportit publik mund të jetë një mundësi e zbatueshme për të reduktuar ndotjen atmosferike, sidomos në qytete, duke ndihmuar në objektivin e qëndrueshmërisë së Kombeve të Bashkuara për të krijuar aglomerate urbane më të qëndrueshme, të sigurta dhe të shëndetshme” – lexohet në raportin e Universitetit të Potsdamit.
Studimi i bën jehonë raportit të fundit të Forumit Ekonomik Botëror “Sustainable Road Transport and Pricing”, i cili kërkoi një transport publik me çmime ekonomike “për të nxitur më tej përhapjen dhe reduktimin e barrës financiare te përdoruesit aktualë”.
Deutsche Bahn, autoriteti kombëtar hekurudhor i Gjermanisë, tha se ka shitur 26 milionë bileta me çmim 9 euro dhe ka regjistruar rritje të udhëtimeve me 10% në muajt e verës. Evelyn Palla, anëtar i këshillit drejtues të Deutsche Bahn, e cilësoi eksperimentin e biletave 9 euro “sukses të plotë”.
Bileta me zbritje përbënte një ulje të madhe çmimi. Biletat mujore për transportin lokal në Berlin zakonisht kushtojnë 107 euro. Mes blerësve të rinj të biletave mujore për transportin publik që nga qershori, më shumë se gjysma deklaroi se çmimi i reduktuar ishte faktori kryesor, sipas sondazheve të VDV.
Shumë presin që sistemi i biletave 9 euro, i parashikuar të përfundonte më 31 gusht, të zgjatet.
“Të gjithë aktorët përgjegjës duhet të vendosin me shpejtësi mbi vazhdimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të kësaj oferte – shtoi Wolff. – Nëse e marrim seriozisht ndryshimin e trafikut dhe ndryshimin klimatik, atëherë duhet të veprojmë menjëherë”.
Vendimi vjen ndërkohë që Gjermania vijon të përballet me inflacionin e lartë, që arriti thuajse 8% në gusht. Rritja përmbysi një prirje të lehtë rënëse të regjistruar në muajt e mëparshëm.
/ World Economic Forum