Teksa qeveria kërkon që bizneset e vogla dhe të mesme të ndërgjegjësohen duke deklaruar çdo shitje me kasë fiskale dhe në mënyrë të rregullt, vetë institucionet publike jetojnë në një realitet tjetër.
Një rast i tillë duket se është edhe Muzeu Historik Kombëtar, i audituar së fundmi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ku një ndër problematikat e ngritura është shitja e biletave. Kështu, sipas raportit nga verifikimet e grupit të auditimit, rezultoi se në praktikën e të ardhurave dytësore që dorëzohet në Sektorin e Financës, në asnjë rast Biletaria nuk ka dorëzuar kuponin tatimor, që të shoqërojë raportimet ditore të të ardhurave nga shitja e biletave, duke mos dhënë siguri mbi shifrën e të ardhurave të realizuara (për vitin 2018, sipas deklaratës në Tatime, të ardhurat nga biletaria rezultuan 8,428 mijë lekë, ose 295 mijë lekë më pak nga sa ka deklaruar Muzeu Historik Kombëtar.
“U konstatuan raste të paraportuara të biletave të pavlefshme dhe të padorëzuara në Sektorin e Financës (me procesverbalet përkatëse), duke shtuar kështu riskun e rishitjes së tyre, në kushtet e mungesës së kontrolleve mbi procesin. Në përfundim konstatuam se në asnjë rast nuk është kryqëzuar informacioni i sjellë nga Biletaria me: (1) deklarimin sipas kasës fiskale; (2) raportin e gjeneruar nga sistemi elektronik i Biletarisë ; (3) nuk janë mbajtur procesverbale dhe nuk janë dorëzuar fizikisht biletat e dala ‘të pavlefshme’ si dhe (4) nuk janë kryer inventarizime periodike mbi gjendjen e biletave pas shitjes” nënvizon KLSH.
Lidhur me këtë, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë edhe rekomandimet përkatëse ku, së pari, është kërkuar kryerja e inventarizimeve periodike e gjendjes fizike të biletave për të verifikuar saktësinë e shifrës së deklaruar.
Së dyti, që të bëhet çelje e aksesit në sistemin elektronik të biletave (Nëpunësit Zbatues) për të gjeneruar të gjitha ato raporte që vlerëson se forcojnë kontrollet që lidhen me deklarimin e të ardhurave nga shitja e biletave.
Së treti, kryerja e kontrollit nëse procesverbalet e dorëzuar nga biletaria po respektojnë sistemin e dy nënshkrimeve, si dhe kontrollit nëse bashkëngjitur procesverbalit është edhe kuponi tatimor i gjeneruar nga kasa, i cili duhet të rakordojë me shifrën e raportuar në procesverbal dhe arkëtuar në bankë;
Të verifikohet gjithashtu nëse ka pasur raste të biletave të pavlefshme dhe të sigurohet që ato të dorëzohen fizikisht në Financë, shoqëruar me procesverbalet përkatëse.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.