Bill Gates: Për të ndalur koronavirus, duhen miliarda investime

29/02/2020 9:35 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME: ,

Bill Gates publikoi të premten një editorial në blogun e tij GateNotes i titulluar “Si t’i përgjigjemi Covid-19” (How to respond to COVID-19).

Në të, ai shkruan se për të ndalur pandemitë, qeveritë dhe sektori privat duhet të investojnë miliarda, duke e cilësuar atë “një marrëveshje të mirë” krahasuar me “pasojat e rënda ekonomike” të koronavirusit, që vijon të përhapet dhe të godasë tregjet në të gjithë botën.

Gates shkruan se bota duhet të përgatitet për t’u përballur me kërcënime sëmundjesh në të ardhmen.

Bill Gates (i cili zë vendin e dytë në klasifikimin e miliarderëve të Forbes) i referohet epidemisë së koronavirus si një pandemi, edhe pse Organizata Botërore e Shëndetësisë ka refuzuar ta cilësojë sëmundjen si të tillë deri më sot.

Gates këshillon që vendet e pasura duhet të dërgojnë persona të kualifikuar në sektorin e shëndetësisë në vende të varfra të Azisë dhe Afrikës për të monitoruar sëmundjet dhe për të administruar vaksinat; të krijohet një bazë të dhënash ndërkombëtare në të cilën vendet të kenë akses; të krijohet një sistem për të identifikuar substancat që mund të përdoren pa frikë te vaksinat; dhe vaksinat duhet të prodhohen në pak javë nëpërmjet përpjekjeve të përbashkëta nga qeveritë dhe donatorët privatë.

Sipas Gates “miliarda dollarë më shumë” janë të nevojshme si për qeveritë edhe për sektorin privat për miratimin normativ të vaksinave, po ashtu dhe për monitorimin dhe kërkimin mbi sëmundjet pasi “pandemitë janë jashtëzakonisht të rrezikshme”.

Në vitin 2017, Gates bëri një paralajmërim mbi një “patogjen të përhapur në ajër” që mund të vriste deri në 30 mln persona dhe mund të përhapej në 10 – 15 vitet e ardhshme.

Një e dhënë e rëndësishme: “Javën e kaluar, Covid-19 filloi të vepronte në mënyrë të ngjashme me patogjenin për të cilin kishim shprehur shqetësim” – shkruan Gates. “Shpresoj të mos ketë pasoja kaq të rënda, por duhet të supozojmë se kjo do të ndodhë deri sa të dimë diçka tjetër”.

Shifrat: 100 milionë dollarë amerikanë. Kjo është shuma e parave që ka dhuruar Gates Foundation për të luftuar koronavirusin, 10-fish më shumë krahasuar me 10 milionë dollarë të dhuruar në janar. Fondet do të shkojnë për kërkimin dhe për vaksinat, si dhe për të ndihmuar vendet në zhvillim.

Në fund: Kur Gates publikoi editorialin e tij të premten, rezultonin të prekur më shumë se 88 mijë persona dhe më shumë se 2800 të vdekur. OBSH e ka rritur rrezikun e koronavirusit “në nivelin më të lartë”. OBSH njoftoi se janë në fazë zhvillimi të paktën 20 vaksina të ndryshme për koronavirus dhe priten disa rezultate në javët e ardhshme.

Burimi: Forbes

https://www.gatesnotes.com/Health/How-to-respond-to-COVID-19

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of