Industria vendase e prodhimit të birrës vijon të humbë terren ndaj importit, i cili në vitin që lamë pas kishte 32% të peshës së tregut. Mes kostove të larta të prodhimit, mungesës së konkurrueshmërisë, uljes së aftësisë blerëse dhe shitëse, si dhe vështirësive financiare për të qenë më të pranishme me promocione në treg, industria po rrudhet vit pas viti…
Nga Ledina Loga
Në rënie vit pas viti, industria shqiptare e prodhimit të birrës nuk di si të ngrejë krye. Shitjet për prodhimin vendas të birrës nuk mundën të gjallëroheshin as gjatë Kampionatit Botëror, ndërsa kushtet atmosferike ishin kundër tyre. Të dhënat nga Ministria e Bujqësisë tregojnë se prodhimi i birrës në vend, edhe për vitin 2017, ka shënuar rënie. Ky ka qenë viti i tretë radhazi kur prodhimi vendas ka njohur tkurrje. Ndryshe ka ndodhur me importet, të cilat kanë vijuar që të fitojnë terren në tregun vendas.
Prodhimi i birrës në vend, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë ishte 885 mijë hektolitra, me një rënie prej 10 mijë hektolitrash krahasuar me një vit më parë. Ndërsa importet kanë fituar më shumë terren. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, sasia e importuar në vitin 2017 ishte 418 mijë hektolitra, me një rritje me bazë vjetore prej 35%.
Aktualisht, birra e importuar ka një peshë totale prej 32%, në krahasim me prodhimin vendas, ndryshe nga vitet e mëparshme kur prodhimi i vendit kishte një peshë prej 75% të tregut, ndërsa importet rreth 25% të tij.
Tkurrja që ka njohur vit pas viti prodhimi vendas është ndikuar nga faktorë: si mungesa e konkurrueshmërisë, ulja e aftësisë blerëse, trajtimi i diferencuar i importit, kostot e larta në prodhim dhe së fundmi dhe nga ulja e pragut të TVSH-së për biznesin e vogël, gjë që ka ulur aftësinë shitëse të kompanive shqiptare të prodhimit të birrës.
Birra Tirana vijon të kryesojë tregun vendas sipas qarkullimit vjetor të deklaruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Luan Bregasi, administrator i kompanisë më të madhe në vend, me një qarkullim mbi 1 miliard lekë (në vitin 2016), thotë për “Monitor” se kanë arritur së paku që të frenojnë rënien e mëtejshme të shitjeve. “Edhe pse nuk kemi pasur rritje, për ne ka qenë një sukses që frenuam rënien e mëtejshme në treg”, – thotë Bregasi për “Monitor”.
Birra Stela renditej e dyta në tregun vendas për nga qarkullimi vjetor në 2015-n, ndërsa një vit më pas, shitjet e kompanisë do të uleshin me 25%. Stefan Pinguli, administrator i Birrës Stela, argumenton se tkurrja e shitjeve ka ardhur nga disa faktorë të kombinuar bashkë, por më kryesori është pozita e pabarabartë që kishin me birrat e importit.
Barazi e vonuar
Edhe pse aktorët kryesorë të tregut pohojnë se ligji mbi akcizën, që diferencon prodhimin vendas me importin ka filluar të zbatohet, tashmë dëmi është bërë. Zbatimi i ligjit mbi akcizën, sikurse është i shkruar, për Luan Bregasin, administrator i Birrës Tirana, në këtë vit operimi i ka dhënë një dorë industrisë vendase. Ndërsa për sa i përket kompanisë që ai drejton arriti që të frenojë rënien. Për shkak të mungesës së konkurrencës korrekte në 4 vitet e fundit, sipas aktorëve kryesorë të tregut, birra vendase u detyrua të humbiste tregun vendas dhe të tkurrte shitjet dhe prodhimin. Ndryshe nga vitet e tjera, kompanitë që prodhojnë nën 200 hektolitra kanë paguar një akcizë prej 15 lekësh, ndërsa kompanitë mbi 200 hektolitra kanë paguar 30 lekë për litër akcizë.
Politika e ndarjes me fasha për sasinë e prodhimit dhe detyrimin e akcizës së paguar nuk është diçka shqiptare, është një politikë që e ndjekin me rigorozitet edhe vendet europiane për të mbrojtur prodhimin vendas. Por, sipas industrisë së birrës në vend, kjo praktikë në Shqipëri nuk po funksionon për të gjithë njëlloj.
Stefan Pinguli thotë se zbatimi korrekt i ligjit ka afruar çmimet e birrave të importit me çmimet e birrave vendase, por si do që të jetë dëmi te prodhuesit vendas është bërë dhe do të jetë shumë e vështirë (thuajse e pamundur që të rimarrin tregun përsëri). “Së fundmi, me shumë vështirësi, rregulluam marrëdhënien me birrën Peja dhe Elbar, të cilat janë trajtuar si birra vendase për 4 vite me radhë, ku kapën edhe tregun. Duhet që shteti të na jepte mundësinë që të konkurronim”, – thotë ai. Një vit më parë, birrat e importit operonin në treg me një çmim thuajse 15% më lirë në treg se sa prodhimi vendas.
Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës, Stefan Pinguli, e lidh çmimin e ulët edhe me mungesën e konkurrueshmërisë së industrisë së prodhuesve në përgjithësi në vend, duke qenë se kanë kosto mjaft të larta operimi. Ai gjithashtu shton se kompanitë e huaja hynë në tregun vendas me aftësi të mëdha për promocione, por edhe lehtësi fiskale, gjë e cila e ndihmoi që të kapte segmentet e tregut në vend.
Sipas zotit Bregasi, shteti duhet të ketë filozofinë që të mbështesë prodhimin vendas, në mënyrë që ekonomia të riaktivizojë vlerat e veta. “Ne duam politika nxitëse dhe do të kërkojmë ulje të çmimeve për kostot. Kemi kërkuar të hiqet kostoja e ambalazhit, të hiqet kosto për pullën fiskale, janë para që nuk shkojnë as në buxhetin e shtetit, por si e ardhur për koncesionarin”, – argumenton Bregasi.
Kostot më të larta të operimit në rajon
Birra është një pije e thjeshtë dhe si lëndë të parë kryesore për prodhimin e saj janë uji, energjia, malto, si dhe elbi të cilin e marrin nga importi, pasi industria nuk ka arritur që të mbyllë ciklin në vend. Aktorët kryesorë të tregut pohojnë për “Monitor” se, krahasuar me rajonin, industria po operon me 60-70% kosto më të larta. Sipas Luan Bregasit, energjia është komponenti më i lartë për sa u përket kostove. “Nëse rajoni paguan rreth 7 cent për kWh, industria vendase paguan 11-12 cent për kWh”.
Ndërsa për sa u përket kompanive të importit, ato janë me kapacitete të larta prodhimi dhe për shkak të përfitimit nga ekonomia e shkallës, produkti i tyre del me kosto më të ulët të prodhimit për njësi. Sipas aktorëve kryesorë të tregut, kostot e larta për njësi prodhimi janë arsyeja kryesore pse industria vendase nuk është aspak konkurruese.
Pragu i TVSH ngushtoi aftësinë shitëse
Përveç problemeve të shumta që industria e prodhimit të birrës në vend i mbart vit pas viti në kurriz, këtë vit janë goditur edhe prej uljes së pragut të TVSH-së te biznesi i vogël. Sipas aktorëve të tregut, kjo ngushtoi aftësinë e tyre të shitjes. Për shkak të uljes së pragut, shitësit me pakicë refuzonin që të merrnin mall me faturë prej prodhuesve të mëdhenj. Kjo është kthyer në një problem për industrinë prodhuese në vend.
Stefan Pinguli, kryetari i Bashkimit të Prodhuesve të Birrës, tha për “Monitor” se një pjesë e distributorëve po furnizojnë tregun në informalitet. Ai shtoi se përveç vështirësive që kanë pasur me shitësit me pakicë, edhe fuqia blerëse ka ndikuar në tkurrjen e shitjeve të prodhimit vendas. Sipas Pingulit, vetëm birra Stela që ai drejton ka ulur shitjet në masën prej 25%.
Vendosja e pragut të TVSH në nivelin e 2 milionë lekëve ka qenë problem edhe për Birrën Tirana. Luan Bregasi shton se ky ka qenë një faktor që ka rrudhur tregun për birrën vendase. “Në mendimin tim, duhet që biznesi i vogël ta deklarojë TVSh-në por të mos e paguajë. Pavarësisht lehtësive që u morën ndaj biznesit të vogël, unë jam për lehtësi të mëtejshme. Ne kemi një rezistencë tëjashtëzakonshme, një nga arsyet që ka rënie të biznesit prodhues është mospranimi i produkteve me faturë prej nesh, tha Bregasi për “Monitor”.
Po shkurtojnë stafin
Në pamundësi për t’u bërë ballë humbjeve të njëpasnjëshme, zgjidhja që i mbetet një pjese të kompanive të prodhimit në vend është shkurtimi i stafit. Stefan Pinguli, drejtues i Birrës Stela, thotë se ka nisur reduktimin e stafit në fabrikën e tij. Në rast se situata e tregut do të vijojë e njëjtë, do të detyrohet që të ketë shkurtime të mëtejshme. Aktualisht Birra Stela po tenton që të eksportojë birrë jashtë vendit, mirëpo sipas zotit Pinguli, edhe pse kanë lidhur kontrata me disa kompani italiane, e kanë të vështirë që të jenë konkurrues për shkak të kostove të larta të operimit që kanë si industri.
Birra artizanale, mbështetje nga turistët
Xhimi Begeja nuk e kishte menduar kurrë se do të bëhej pjesë e industrisë së birrës. Tani, përveç sportit të alpinizmit, birra është një nga pasionet e tij më të mëdha. Për herë të parë ra në kontakt me birrën kur vendosi të investojë, duke blerë Hotel Turizmin në Pukë, pjesë e të cilit ishte edhe punishtja e prodhimit të Birrës Puka. Sot, Birra Puka është një ndër birrat vendase, të prodhuara në mënyrë artizanale. Xhimi tregon se birra e tij kërkohet më së shumti nga turistët e huaj, ai merret vetë me shpërndarjen e saj në lokale të ndryshme në të gjithë Shqipërinë dhe tregon se ka shitjen e garantuar për të gjithë sasinë e prodhuar. Birra Puka mban një çmim rekord të lartë krahasuar me të gjitha birrat e tjera vendase, 144 lekë për litër, ndërsa mesatarja e çmimit të birrave është 100 lekë për litër – thotë Begeja për “Monitor”.
Birra Puka është përzgjedhur për të qenë birrë ekskluzive në Hotelin Graden Inn, pjesë e gjigantit të hotelerisë në botë, “Hilton”. Begeja thotë se në pranimin e kërkesës është treguar modest dhe me këmbë në tokë. Kontratën e ka nënshkruar vetëm për tre muaj, për të parë edhe ecurinë.
Nga 36 punishte të vogla artizanale që u ngritën në Shqipëri në vitin 1997, pjesë e një projekti për zhvillimin e qendrave të qyteteve në vend, sot kanë mbetur vetëm 5 ose 6 prej tyre, ndër të cilat edhe Birra Puka.
Begeja, si operator i vogël në treg, pasi punishtja e tij prodhon sasi të limituara, për shkak të kapaciteteve të ulëta, thotë se shkak për falimentimin e tyre, përveç menaxhimit të dobët, është edhe akciza e lartë.
Shqipëria dhe Maqedonia, vendet me konsumin më të ulët të alkoolit në vend
Shqipëria dhe Maqedonia janë vendet me konsumin më të ulët të alkoolit për frymë. Sipas të dhënave të përpunuara nga portali Our World in Data dhe të publikuara nga Banka Botërore, konsumi mesatar për frymë për popullatën mbi moshën 15-vjeçare në Shqipëri është 6.6 litra. Konsumin më të ulët për frymë në rajon e ka Maqedonia, ku sipas hartës interaktive të portalit, konsumi për frymë në Maqedoni për të njëjtën grupmoshë të popullatës është 5.7 litra.
Konsumi i ulët i alkoolit, referuar të dhënave të përpunuara nga portali i të dhënave, është tipar i vendeve me të ardhura të ulëta. Mesatarja botërore e konsumit të alkoolit në vendet me të ardhura të ulëta, sipas të dhënave të Bankës Botërore (2015 është viti ku ka të dhëna të vlefshme për të gjitha ekonomitë botërore) është 4.2 litra, apo rreth 2 litra më pak se në Shqipëri.
Konsumin më të lartë për frymë të alkoolit në rajon e ka Serbia, ku sipas të dhënave është 12.9 litra, apo sa dyfishi i konsumit të tij në Shqipëri.
Më pas renditet Mali i Zi, ku konsumi i alkoolit për frymë për grupmoshën mbi 15 vjeç, është 11.5 litra për frymë dhe Bosnja me 7.5 litra për frymë (rreth 1 litër më shumë se në Shqipëri). Mesatarja e Bashkimit Europian për konsumin e alkoolit është 10.6 litra, ndërsa ajo e vendeve me të ardhura të larta është 9.3 litra.
Cili vend konsumon më shumë birrë në botë
Vendin e parë, për sa i përket konsumit më të lartë të alkoolit në të gjitha ekonomitë që Banka Botërore ka mbledhur të dhëna, e mban Moldavia. Konsumi vjetor i alkoolit në Moldavi llogaritet 17.4 litra. Vendet e ish-Bashkimit Sovjetik janë në krye të renditjes. Në vendin e dytë pas Moldavisë renditet Bjellorusia me 17.1 litra, më pas Lituania, 16.2 litra; Rusia, 14.5, Australia, 12.6; Irlanda, 10.9 litra dhe Shtetet e Bashkuara, 9 litra.
Vendet me konsumin më të ulët
Për shkak dhe të kulturës së tyre, vendet e Lindjes së Mesme dhe një pjesë e vendeve të Afrikës së Veriut kanë konsum shumë të ulët të alkoolit, nën 1 litër për frymë. Libia është i vetmi vend ku konsumi i alkoolit për frymë është 0 litra. Thuajse i papërfillshëm është dhe konsumi në Arabinë Saudite, Kuvajt, Jemen apo Pakistan.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Ornela, te dhenat ne artikull jane te pasakta. Keni perdorur te dhenat e konsumit te pijeve te forta alkolike, sikur te jene per konsumin e birres. Konsumi vjetor per person ne Shqiperi eshte rreth 35 lira birre.
Enea te dhenat jane zyrtare, por prodhimi eshte marre nga Ministria e Bujqesise dhe ata nuk eshte se jane shume te sakta. te dhena te sakta te marra nga Doganat (akciza) jane ne shkrimin e mevonshem https://www.monitor.al/agonia-e-birres-vendase-operatoret-e-huaj-po-marrin-terrenin/?fbclid=IwAR1XBj5sck1bx-TfminGde1CP-Wd5Z6ZpRdAkyXTYv07pkkJ1YtAcD3sqBc
importi dhe prodhimi jane rreth 85 mln litra (rreth 30 lirta per fryme)
Pershendetje,
Jam duke bërë një kerkim per arsye personale rreth birrave vendase dhe birrat qe importohen në Shqipëri. Kam vënë re qe nuk ka asnjë konsistencë në shifrat qe publikohen në artikujt e ndryshem ‘online’. Duke konsideruar ketu edhe ‘raportin e monitorimit te mallrave te aksizes’. Ku i keni gjetur keto te dhena? Dhe, a ësht e mundur te me dergove referencat e informacionit qe keni publikuar ketu?
Ju falenderojj!
Ermal Zeka
Per importin eshte Ministria e Financave qe i raporton ne statistikat mujore fiskale te buxhetit (te sheet mallrat e akcizes) http://www.financa.gov.al/statistika-fiskale-mujore/ dhe qe eshte i sakte. Inkosistenca ehste kryesisht per prodhimin vendas, qe raportohet nga Ministria e Bujqesise dhe qe shifrat nuk jane te sakta edh eper faktin qe informaliteti eshte i larte. te dhena me te sakta per prodhimin vendas ndoshta duhet te marresh te Ministria e Financave qe e mat permes pullave te shitura, po Ministria ka dy vjet qe nuk e publikon kete te dhene