Biznes Albania është më optimiste për vitin 2016. Dozat e shtuara të optimizmit janë injektuar që gjatë vitit të kaluar tek disa prej përfaqësuesve të shoqatës, nisur nga shlyerja e detyrimeve të prapambetura shtetërore ndaj tyre. Sipas presidentit të kësaj shoqate, Luan Bregasi, nga pikëpamja ekonomiko-financiare, që vitin e kaluar sipërmarrjet patën një situatë më të qëndrueshme krahasuar me krizën e përhapur në rajon. Në pritshmëritë pozitive të industrive të mëdha, vlerësohet të kenë ndikuar edhe masat e fundit për rimbursimin e TVSH-së. Ato që po u “gëzohen” rimbursimeve brenda afatit kanë riaktivizuar dëshirën për të investuar. Në këtë kategori, sipas Biznes Albania-s futen edhe sipërmarrjet e fasonit. Pjesë e pritshmërive më të mira këtë vit, sipas Biznes Albania-s është edhe pritja e qeverisë për një rritje mbi 3% të ekonomisë, çka ka rritur besimin që edhe mund të investohet. Pavarësisht se planet e biznesit po vlerësohen gjithnjë e me më shumë vështirësi nga bankat, një faktor lehtësues për sipërmarrjet e mëdha duket prirja e qeverisë për t’u financuar nga jashtë, duke u lënë hapësirë financimi sipërmarrjeve vendase.
Por, shpresa më e madhe e sipërmarrjeve të mëdha lidhet me formalizimin e ekonomisë. Duke filluar nga rrjetet e shitjes me pakicë deri te shërbimet, sipërmarrjet e organizuara e të deklaruara plotësisht janë shumë të interesuara që lufta ndaj informalitetit të shkojë deri në fund, pasi i vë ata në kushte të barabarta konkurrence.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.