INSTAT tregon se importi i mjaltit ka qenë i konsiderueshëm në dy vitet e fundit, 2013 dhe 2014, duke pasur një rritje me 40.5%, duke shënuar edhe një “goditje” kundrejt prodhimit vendas, pasi raftet e supermarketeve kryesore në vend kanë jo pak produkte mjalti të ardhura nga jashtë.
Nga Deada Hyka
Nëpër shekuj bletët kanë qenë simbol i produktivitetit, bollëkut, prodhimtarisë, ndërsa i ka shoqëruar gjithnjë misteri se si arrin të fluturojë me strukturën e vet të krahëve. Konkluzioni i këtij misteri ka qenë se bleta i rreh krahët aq shpejt sa krijon energjinë e nevojshme për të ngritur trupin dhe fluturuar. Prandaj ajo është një simbol i idesë që gjithçka është e mundur…
Energjik ka qenë dhe biznesi i mjaltit dhe nënprodukteve të tij në Shqipëri vitet e fundit, si prodhimi ashtu dhe importi. Sipas të dhënave të INSTAT rezulton se prodhimi i mjaltit në vendin tonë, me kalimin e viteve, ka ardhur duke u rritur. Nga viti 2001 në vitin 2013, prodhimi i mjaltit pothuajse është dyfishuar, ndërkohë që në dy vitet e fundit, rritja ka qenë modeste (shih grafikun e prodhimit të mjaltit).
Bletarët tregojnë se vetëm prodhimi i mjaltit nuk është i mjaftueshëm për të pasur një performancë të mirë në tregti, ndaj edhe ata merren me prodhimin dhe tregtimin edhe të qumështit të bletës, të propolisit etj. Madje, disa prej tyre, e kanë kthyer “faqen” e biznesit të tyre, duke vendosur prioritet edhe në tregtimin e ushqimit për bletët, duke qenë se, sikur pohojnë të gjithë aktorët e tregut, numri i bletarive në vend është shtuar shumë.
INSTAT tregon se importi i mjaltit ka qenë i konsiderueshëm në dy vitet e fundit, 2013 dhe 2014, duke pasur një rritje me 40.5%, duke shënuar edhe një “goditje” kundrejt prodhimit vendas, pasi raftet e supermarketeve kryesore në vend kanë jo pak produkte mjalti të ardhura nga jashtë.
“Shpërthimi” i qumështit të bletës
Qumështi i bletës, sipas aktorëve në treg, ka pasur një shpërthim këto vitet e fundit, për të cilin të shumtë janë shqiptarët që paguajnë, shifra jo të vogla, për një produkt në sasi të limituara. Sa i përket çmimit, ata tregojnë se varet nga zonat (pra varësia me kullotat më të mira), shkojnë në 350-1000 lekë/gram. Fatmir Mehmetaj tregon se punishtja e tij në Kavajë prej vitesh tashmë është fokusuar në shitjen e qumështit të bletës, sikurse edhe të ushqimit për bletaritë, e parë kjo si një formë më e sigurt biznesi krahasuar vetëm me shitjen e mjaltit, për të cilën të shumta janë aktivitetet. Z. Mehmetaj thotë se kërkesa është në rritje, sikurse edhe informacionet për të tashmë janë shtuar. Por, sipas tij, këto nuk janë “ditët e arta” të bletërritësve, pasi kundrejt punës së tyre të madhe në terren, mbështetja nga shteti mungon.
Çështjet estetike
Mjalti është një ndër përbërësit natyralë për kujdesin e trupit njerëzor, nga ana estetike. Fushat në të cilat ai është pjesë ë rëndësishme janë: lëkura, flokët, etj. E kontaktuar nga ‘Monitor’, dermatologia Mira Shehu tregon se në Shqipëri nuk ka kompani të mirëfillta në fushën e estetikës që “ushqehen” nga mjalti, por jashtë ky sektor është tepër fitimprurës. Gjigantët e produkteve si kremra fytyre, duarsh, shampo e të tjera derivate të tyre, marrin si përbërës kryesor mjaltin. Sipas dr. Shehu, mjalti ka efekte shëruese, trajtuese dhe hidratuese për lëkurën njerëzore, por kur përdoret në formën e duhur. Gjithashtu, edhe në fushën e fizioterapisë është një ndër faktorët kryesorë që ndihmon në zhvillimin e kësaj sipërmarrjeje.
Të paktë “bletarët profesionistë”
Znj. Lejla Shehu, kryetare e Shoqatës së Bletarëve Shqiptarë, tregon për ‘Monitor’ se në Shqipëri të paktë janë bletaritë profesionale. Sipas saj, një shifër e ulët prej 2% të tyre, janë kundrejt pjesës tjetër, që kanë një punishte modeste pjesë e trashëgimisë familjare, tregtia e të cilëve është tejet e pakonsiderueshme. Znj. Shehu tregon se vështirësia më e madhe që po hasin bletarët shqiptarë është investimi për një kullotë të mirë dhe të qëndrueshme. “Këtë vit u përballëm me përmbytje të mëdha, fakt ky që ndikoi në cilësinë e kullotës dhe si pasojë, e ushqimit të drejtpërdrejtë të bletëve. Nga ana tjetër, kjo ndikon në rritjen e konkurrueshmërisë në rajon e më gjerë”, – tha ajo.
Thembra e Akilit
Bletarët me përvojë të gjatë në këtë sektor në vendin tonë ngrenë si shqetësim kryesor të këtyre dy viteve të fundit përdorimin e pesticideve të “tepruara”, sipas tyre, në bimët nga ku “kullosin” bletët. Z. Gëzim Skermo i Bletarisë “Morava” në Korçë tregon për ‘Monitor’ se shpeshherë, përdorimi i shpeshtë i tyre çon deri në ngordhjen e bletëve, që jo rrallëherë është hasur nga ai, në biznesin e tij në qytetin e Korçës.
-Një çështje tjetër që mungon, sipas të gjithë aktorëve të tregut, përforcuar edhe nga kryetarja e Shoqatës Shqiptare të Bletarëve, është stimulimi. Sipas tyre, krahas granteve të pakta të dhëna nga shteti, mungon stimulimi i mëtejshëm në çështjet e prodhimit, shitjes dhe certifikimit. Një çështje më vete është kjo e fundit, për të cilët përfaqësuesit nga bletaritë tregojnë se duhen tre vjet për të marrë certifikimin për mjaltin dhe se kjo procedurë shpeshherë ka zvarritje në procedura.
-Çështja e eksportit. Teksa bletarët pohojnë se dërgesat jashtë kanë qenë sporadike, burime nga INSTAT nuk japin të dhënat për eksportet e kësaj kategorie, duke argumentuar se këto të dhëna janë konfidenciale, bazuar në nenin 15 të ligjit për statistikat zyrtare nr. 9180, datë 5.2.2004, i ndryshuar. Z. Fatmir nga ‘Bletaria Mehmetaj’, tregon se eksporti është temë e “nxehtë” ende, me shumë mangësi, pasi, sipas tij, nuk ka laboratorë të akredituar për analiza të produktit.
………….
Intervistë me administratorin e “Bletari Mehmetaj”, Kavajë, z. Fatmir Mehmetaj
Leverdi ka qumështi i bletës
A është biznes fitimprurës “mjalti” në Shqipëri?
Nëse është mjalti biznes fitimprurës, unë do të përgjigjesha: jo. Vetëm një pjesë e fermerëve, të cilët kanë sasi të konsiderueshme familje bletësh dhe që nxjerrin edhe produkte të tjera nga bletët si qumështi i bletës etj., pra vetëm këta e kanë biznes bletarinë. Pjesa tjetër është ndihmëse në ekonominë familjare.
Cilat produkte tregtoni? A ka treg?
Unë tregtoj kryesisht qumësht blete dhe prej dy vitesh edhe ushqim për bletë. Treg ka, sepse numri i bletarive të mirëfillta është në rritje, për çështjen e ushqimit, ndërsa për qumështin e bletës, tani ka informacion për vlerën e tij, si rrjedhojë edhe kërkesë.
A eksportoni jashtë vendit dhe si janë çmimet në raport me rajonin, sa konkurrues jemi?
Nuk eksportoj për momentin. Jam duke bërë përpjekje për një gjë të tillë, por ka shumë mangësi, p.sh. nuk ka laboratorë të akredituar për analiza të produktit.
Çmimet e mjaltit janë në mesataren e rajonit.
Për mendimin tim nuk jemi konkurrues. Arsyet janë: Fermat e vogla, kullotat e pakta, teknologjia e ulët e mbarështimit, vjeljes, magazinimit, paketimit.
Po shitjet e qumështit të bletëve si janë? Cilat kategori tërhiqen?
Prodhimi është shtuar, po kështu konkurrenca. Kështu do të thosha se shitjet janë rritur, ndërsa për prodhuesit, natyrisht që nuk janë ditët e arta.
Në lidhje me kategorinë e përdoruesve nuk është se ka një statistikë, por kryesisht persona që e njohin, si dhe persona që kanë probleme me shëndetin. Sa për çmimet, ato variojnë nga 350-1000 lekë për gr. Kjo varet nga zona të veçanta të vendit.
……….
Intervistë me administratorin e “Bletaria Nahl”, Durrës, z. Idajet Merja
Në përmirësim
Si ecën biznesi i bletarisë?
Sezoni i bletëve për këtë vit duket më i mirë se sa sezoni i kaluar. Aktualisht është sezoni ku bletët mbledhin sasi të mëdha të mjaltit dhe polenit. Njëkohësisht punohet dhe me qumështin e bletës mbretëreshë. Vitin e shkuar kemi pasur disa vështirësi, një sëmundje preku pjesën më të madhe të bletëve, fenomen ky që po ndodh aktualisht edhe në vendet jashtë, në kompanitë më të mëdha të bletarisë dhe përpunimit të lëndës së parë.
A është biznes fitimprurës dhe cilat janë vështirësitë e saj?
Të merresh me bletët, si në çdo lloj pune, ka fitimin e saj. Në qoftë se kryen shërbimet e duhura në kohën e duhur dhe fazat gjatë zhvillimit të bletëve arrin të marrësh fryte të kënaqshme. Vështirësitë janë te ndihmat e pakta që jep shteti për të na mbështetur, sidomos këtë vit që pati përmbytje të shumta, që moti ka qenë i paqëndrueshëm dhe kullotat e pakta.
Në cilat zona kryesisht bëni tregti?
Vështirësisë që ka prodhimi, i shtojmë dy-tre herë dhe rezulton se shitja ka sfida të mëdha. Numri i bizneseve të tilla është përhapur shumë në të gjithë Shqipërinë, por cilësia bën diferencën. Ne zakonisht bëjmë shitje në Durrës, ku kemi edhe punishten, por edhe në qytete të tjera, si Tirana dhe fshatrat përreth.
A bëni dërgesa jashtë?
Prej dy vitesh tashmë produktet e mjaltit dhe të qumështit i ofrojmë kryesisht për të afërmit e klientëve tanë, në Itali, Suedi, SHBA, Greqi, Turqi etj.
Si janë çmimet e një kavanozi mjaltë? Po për produktet e tjera, si propolisi apo qumështi i bletës?
Duke tregtuar mjaltë 100 për qind natyral dalim me çmimin 1700 lekë kg. Ndërsa, qumështi i bletës, duke ditur që shitet me gram dhe sasia është vogël, del me kosto 500 lekë gr dhe paketimi standard me shishe 10 gr 5000 lekë dhe me shiringë 5 gr 2500 lekë. Propolisin e marrin kryesisht farmacitë industriale diku 10000-30000 lekë/kg dhe i tretur me shishe 10 gr 250-350 lekë.
A ju ofron shteti ndihma mbështetëse?
Vitin e shkuar kemi marrë grantet nga shteti, një fond i vogël, këtë vit jo. Sa i përket fushës së shitjeve dhe të certifikimit, shteti nuk ofron mbështetjen e duhur që ne kërkojmë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
kam shum mjal cilesor nqs jeni te interesuar kontaktoni 0684792859 dhe ju garasntoj qe shpjereni ndac ne laborator ku te doni eshte mjalte 100 % bio ..
dua edhe une nje treg per mjaltin