Bizneset 2021, mes optimizmit dhe frikës për falimente

15/01/2021 10:10 PM 0 komente

Si e presin ecurinë e aktivitetit sipërmarrjet kryesore në vend? Cilat janë parashikimet sipas sektorëve, që nga ndërtuesit për çmimet e apartamenteve. Frika e falimentimit për bizneset e shërbimit, si: baret, restorantet, ato të transportit, eventeve. Optimizmi i eksportuesve të bimëve mjekësore, sektorit të mobilieve, prodhuesve të çelikut e materialeve të ndërtimit, si dhe makinerive e pjesëve të këmbimit. Më pesimiste mbetet industria e tekstileve dhe e këpucëve, me këtë të fundit që është goditur më shumë nga kriza. Turizmi do të jetë në varësi të zhvillimeve të pandemisë. Si pritet ecuria e konsumit dhe si ka ndryshuar sjellja konsumatore pas pandemisë. “Monitor” ka intervistuar përfaqësues të sektorëve kryesorë në vend, lidhur me pritshmëritë e tyre për vitin 2021.

 

Nga Dorina Azo
Nertila Maho
Blerina Hoxha

 

BANKERS PETROLEUM, TË NJËJTIN NIVEL PRODHIMI SI NË 2020

 

Bankers Petroleum, i cili shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës dhe është eksportuesi më madh në vend, pret që prodhimi këtë vit të jetë në të njëjtat nivele si në 2020.

Kjo pritshmëri mbetet përsa kohë që çmimi do të qëndrojë në nivele të njëjta (në bursat ndërkombëtare, nafta Brent, treguesi referencë europian është rreth 55 dollarë për fuçi).

Kompania parashikon se nëse çmimi i naftës do të rritet do të mund të zgjerohen edhe investimet. Në kushtet kur rafineria kryesore vendase nuk ka nisur ende aktivitetin nafta bruto do të vijojë të eksportohet, kryesisht përmes blerësit kryesor në Spanjë. Bankers nuk parashikon hapje të puseve të reja. Investimet këtë vit do të fokusohen në rritjen e eficencës në procesin e prodhimit të naftës.

Kompania u prek nga pandemia në pjesën e parë të 2020-s, duke u detyruar të ndërpresë aktivitetin në prill, për më shumë se një muaj, për herë të parë në histori, teksa nafta zbriti në 20 dollarë për fuçi, konsumi global ra dhe aktiviteti i rafinerive partnere u reduktua në minimum.  Si pasojë, planet ambicioze të ‘Bankers’ për intensifikim të aktivitetit hidrokarbur u ndalën gjatë kësaj periudhe, duke ndikuar negativisht në planet për hapjen e puseve të reja.

Nga qershori, situata u rikthye drejt normalitetit, ndërsa në muajt e fundit të 2020-s, shitjet jashtë vendit rezultuan me rritje. Ndërsa për gjithë 11 mujorin 2020, eksportet e lëndëve djegëse drejt Spanjës, që është destinacioni kryesor i Bankers, kanë shënuar një rënie me 24% me bazë vjetore, sipas INSTAT. Të ardhurat e Bankers, sipas bilancit zyrtar, në vitin 2019 ishin 30 miliardë lekë, me një zgjerim prej gati 7% me bazë vjetore, duke e renditur të tretën më të madhen në vend.

 

“KURUM” PRET RRITJE DERI NË 20% TË QARKULLIMIT VJETOR

 

Prodhuesi i çelikut, “Kurum Albania”, një nga më të mëdhenjtë në vend, u detyrua të mbyllë aktivitetin për pak javë gjatë karantinës në prill 2020. Por, pas gushtit, aktiviteti filloi të rikuperohej me shpejtësi, i ndihmuar nga rritja e kërkesës në tregjet e eksportit dhe diversifikimi drejt një destinacioni të ri si Serbia.

Arif Shkalla, drejtor ekonomik i “Kurum”, pohon se “nga gushti e më pas, shitjet kanë pasur rritje të mirë, sidomos eksportet, shpresojmë të vazhdojë trendi. Kemi rikuperuar sasitë që nuk shitëm në mars – prill – maj, dhe viti u mbyll në volume shitje si në 2019-n, madje edhe 5% më shumë”.

Ai shton se gjatë mars – tetor, çmimet e shitjes, rrjedhimisht dhe marzhet e fitimit, kanë qenë shumë të ulëta, ndaj në 2020-n, të ardhurat e kompanisë pritet të jenë më të ulëta se një vit më parë.

Shkalla mbetet optimist për vitin 2021. “Nga fillimi i dhjetorit, çmimet kanë shënuar rritje në bursa dhe kjo është reflektuar dhe në çmimet tona. Njëkohësisht janë rritur shumë edhe çmimet e lëndëve të para. Shoqëria po tregohet e kujdesshme që të mos goditet nga luhatjet e menjëhershme të çmimeve në tregje”.

Kompania pret që në vitin 2021, shitjet në volum të rriten me 5-10%, ndërsa qarkullimi vjetor të zgjerohet me 20% për shkak të çmimeve më të larta të shitjes. Tregjet kryesore të shitjes mbeten Shqipëria dhe vendet e eksportit si Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut e më pak në Serbi.

Por, z. Shkalla pohon se ata janë ndër eksportuesit më të mëdhenj, por njëkohësisht më të penalizuarit në rimbursimin e TVSH-së. Kompanisë, që në janar të 2020-s nuk i është rimbursuar asnjë lek TVSH, pavarësisht shumave të konsiderueshme të miratuara për rimbursim (rreth 900 mln lekë). “Kjo natyrisht na vë në vështirësi likuiditeti, pasi pas periudhës së parë të pandemisë, bankat presin rikthim të pagesave normale të kësteve të kredive”.

“Kurum Albania”, po hyn në vitin e pestë të ristrukturimit për efekt falimenti, një proces i rëndësishëm i të cilit është shlyerja e kredive bankare. Shkalla pohon se gjatë vitit 2019 dhe 3-mujorit të parë 2020, shlyerja e kredive ka vijuar pa probleme, sipas parashikimeve. Me shpërthimin e pandemisë, në marrëveshje me bankat, u bënë shtyrje 3-mujore të kësteve të kredive, dhe në vijim po negociohet për riskedulim të planit, duke paguar një pjesë të kredive dhe duke shtyrë për vitin 2021 pjesën e mbetur. “Duhet thënë se bankat janë treguar mirëkuptuese në këtë proces”, pohon ai.

Në vitin 2019, të ardhurat e prodhuesit dhe përpunuesit të çelikut arritën në rreth 27 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej 3.4%, duke u renditur në sipërmarrjen e katërt më të madhe në vend, sipas qarkullimit vjetor.

 

INDUSTRIA AUTOMOTIVE OPTIMISTE, KOMPANITË PARASHIKOJNË RRITJE TË PRODHIMIT

 

Ndoshta është tek të paktat industri që vitin 2021 e sheh me optimizëm. Industria mbështetëse automotive, e cila prej vitesh po zgjerohet me fabrika në vendin tonë, parashikon që ky vit të sjellë rritje të prodhimit dhe të punësimit.

Pavarësisht pandemisë, në vitin 2020, edhe pse pati disa lëkundje, industria automotive iu rikthye, rritjes, edhe pse ritmi i saj ishte më i ngadaltë.

Instituti i Statistikave raportoi se grupi i eksporteve “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, ku bëjnë pjesë edhe produktet që finalizohen nga industria automotive, regjistroi vlerën 20 miliardë lekë për 11-mujorin, me rritje 4.5% me bazë vjetore.

Ritmi i rritjes së eksporteve të industrisë automotive, në dy vitet e fundit, 2017-2019, ishte mes 20-22%. Trendi ka nisur prej vitesh, e teksa kompani si “Forschner Albania”, “PSZ Albania” apo “Delmon Group Albania” kanë disa vite aktive në treg, në vitin 2020 nisën prodhimin edhe koreanojugorët e YURA-s në Fier, si dhe “SEWS Cabind Albania”.

Pas hyrjeve të reja, në nëntor, eksportet e këtij grupi “shpërthyen”, duke u rritur me 63% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke shënuar rritjen më të lartë nga të gjithë sektorët e tjerë. Në këto kushte, operatorët e tregut mendojnë se ka mjaftueshëm arsye për të menduar se, pavarësisht pandemisë, 2021-shi do të jetë një vit më i mirë. Ertjan Çabiri, Drejtor Menaxherial i “Delmon Group Albania”, pohon se kompania po vlerëson që të alokojë një pjesë më të madhe të prodhimit në Shqipëri për të ulur kostot.

“Viti 2021, për ne, parashikohet të ketë rritje. Në këtë periudhë jemi duke përgatitur buxhetin dhe rritja do të jetë e sigurt. Kriza ka ndikuar në atë formë që, megjithëse në nivel grupi, situata është e paqartë në lidhje me prodhimin, të synohet të alokohet sa më shumë prodhim në Shqipëri, për të ulur kostot. Kjo garanton rritjen tonë për vitin e ardhshëm, kuptohet duke marrë në konsideratë që situata nuk do të përkeqësohet, ose nuk do të ketë të papritura” – pohon Çabiri.

Edhe “SEWS Cabind Albania” pret rritje në vitin e ardhshëm. “Do të vazhdojmë zgjerimin në vitin 2021 me linja dhe projekte të reja për të arritur targetin tonë të parë, që parashikon 1000 të punësuar staf dhe operatorë direktë. Nuk mendoj se COVID-19 do të ketë ndonjë ndikim të madh në planin tonë. Ekipi ynë i di shumë mirë objektivat të cilat duhet t’i arrijë dhe kemi parashikuar të gjithë procedurat, në mënyrë që të menaxhojmë edhe këtë situatë” – thekson Mario Scarfalloto.

Për Agim Zenelin nga “Forschner Albania”, që prodhon pjesë kabllore për autobusët e “Mercedez Benz”, situata e këtij viti pritet të shihet hap pas hapi, sipas ecurisë së pandemisë.

“Nisur nga situata e rënduar e pandemisë dhe, specifikisht, rritja e numrit të rasteve pozitive me COVID-19 në vendet e BE-së, të cilat janë edhe tregu i prodhimit tonë, apo rikthimi i një mbylljeje të mundshme në Shqipëri, i ngjashëm me atë të periudhës mars-maj 2020, bëhet e paqartë ecuria se si do të vazhdojë prodhimi i automjeteve në vitin e ardhshëm.

Është për t’u përmendur fakti se ne si kompani, në komunikim edhe me klientët tanë, mund të parashikojmë vetëm 3-mujorin e parë të vitit 2021. Për këtë periudhë, kërkesa për produkte është e stabilizuar, nuk presim rënie. Sa i përket parashikimit për të gjithë vitin kalendarik 2021, do na duhet të presim dhe ndjekim ecurinë e pandemisë” – nënvizon ai.

 

Zhvendosja e zinxhirëve të furnizimit, Shqipëria mund të përfitojë

Në kulmin e shpërthimit të pandemisë, një nga debatet më të mëdha ishte përfitimi që mund të kishin vendet e Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Shqipëria, nëpërmjet afrimit të zinxhirëve të furnizimit. Kompanitë e mëdha botërore, kryesisht europiane, kuptuan se çfarë kërcënimi u kanosej në kushtet kur fabrikat e furnizimit i kishin në vende të largëta si Kina, ndaj ekspertët vlerësuan se do të kishte një rialokim më afër impianteve të prodhimit të këtyre fabrikave mbështetëse.

Ende sot është herët për të thënë nëse kjo ka nisur apo do të mbetet thjesht në rangun e një debati në kohë krize, por operatorët e industrisë automotive mbështetëse pranojnë se mundësitë për diverfisikim, duke zhvendosur një pjesë të prodhimit në Ballkan, janë të mëdha. Vendimmarrja, në raste të tilla, konsiderohet strategjike, ndaj merr një kohë relativisht të gjatë, por për vende si Shqipëria nënvizohet që të përfitojë nga ky moment, duke lehtësuar procedurat dhe duke afruar investitorë potencialë.

 

 

FARMACEUTIKA, RRITJE 2-5% MË 2021

 

Distributorët e mëdhenj të farmaceutikës presin rritje të të ardhurave 2-5% në vitin 2021, duke shpresuar kthimin në normalitet të tregut pas përfundimit të pandemisë.

Nadir Çausholli, i cili zotëron dhe drejton “CFO Pharma”, tha se pandemia ka çrregulluar tregun, pasi kërkesa është përqendruar vetëm në një grup produktesh, teksa për shumicën e furnizimeve, shitjet kanë rënë në mënyrë drastike. Ai tha se viti 2020 u mbyll me rënie të shitjeve, ndërsa këtë vit pret rritje të aktivitetit me 5-7%.

Të njëjtin shqetësim kishte edhe “Rejsi Farma”. Administratorja Merita Sheqi, tha se pandemia ka sjellë rënie për shumicën e produkteve, teksa kërkesa është përqendruar vetëm në dy-tre antibiotikë që lidhen me trajtimin e pandemisë dhe disa suplemente, ndërsa rënia për produktet e tjera ishte drastike.

Të dhënat mbi tregtinë me pakicë tregojnë se sektori i farmaceutikës i realizon shitjet më të mëdha në periudhën e dimrit, sidomos në muajt dhjetor, janar dhe shkurt. Ftohja e motit ndikon në përkeqësimin e barrës së sëmundjeve. Temperaturat e ulëta ulin imunitetin e për rrjedhojë nxisin përhapjen e virozave, rëndojnë sëmundjet kronike dhe e bëjnë më agresiv koronavirusin. Për këto arsye, Instituti i Shëndetit Publik ka parashikuar një situatë të rënduar gjatë dimrit.

Të dhënat zyrtare të tregtisë me pakicë nga INSTAT, që nga viti 2005, tregojnë se shitjet e medikamenteve janë përafërsisht 30% më të larta në periudhën e dimrit, teksa rënia më e madhe shënohet në muajt e verës. Ky cikël lidhet me ndryshimin e motit dhe shtimin e virozave, të cilat nxisin shitjet. Në periudhën e dimrit ndodhin edhe fatalitetet më të larta, edhe në vite të zakonshme.

Për arsye sezonale, por këtë vit, edhe për shkak të pandemisë, firmat pohojnë se presin më shumë shitje sidomos në dy muajt e parë të vitit 2021 dhe në muajt e fundit të vitit. Zhvillimet në tregtinë me pakicë të medikamenteve këtë vit tregojnë se, shitjet u rritën pas muajit qershor. Kjo tendencë përkon me përkeqësimin e pandemisë, e cila duket se ka rritur edhe qarkullimin e industrisë së farmaceutikës në këtë periudhë.

Megjithatë, operatorët e mëdhenj nuk presin të kenë të ardhura nga shitjet këtë vit, për shkak se konsumi është i përqendruar vetëm në disa medikamente dhe preparate. Të dhënat zyrtare tregojnë se, në 11-mujor janë importuar 22,1 miliardë lekë (180 mln euro) preparate dhe medikamente dhe zunë 4.1% të importeve totale të 11-mujorit. Importet e produkteve farmaceutike shënuan rritje vjetore me 2.6% gjatë janar-nëntorit, por ekspertët lajmërojnë për rritje të shitjeve në periudhën në vijim. Indekset e tregtisë me pakicë sinjalizojnë se shitjet e produkteve të farmaceutikës janë përmirësuar dukshëm nga qershori në nëntor, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019 (24% në shtator), kryesisht prej shitjeve shtesë që ka krijuar pandemia.

Shitjet kanë qenë të larta në 6-mujorin e dytë të vitit 2021, në krahasim me 6-mujorin e parë ku produktet farmaceutike panë shitje të dobëta. Masat e ashpra të karantinës në pranverë parandaluan avancimin e virozave, teksa kërkesa për shërbime shëndetësore dhe medikamente ra. Pavarësisht se treguesit e importit dhe shitjeve me pakicë janë me rritje, operatorët e mëdhenj të tregut nuk pohuan rritje të aktivitetit këtë vit.

Merita Sheqi, e cila zotëron dhe administron kompaninë “Rejsi Farma” tha se, përkundër vizionit në dukje se, biznesi i farmaceutikës ka shënuar rritje, shitjet në kompaninë e saj nuk kanë shënuar rritje në krahasim me 2019-n.

 

TRANSPORTI I UDHËTARËVE DO TË JETË NË KOLAPS EDHE PËR 2021

 

Pritshmëritë nuk janë pozitive edhe për vitin 2021 për sektorin e transportit të udhëtarëve në vend. Operatorët e këtij shërbimi kaluan ditët e tyre më të vështira në vitin 2020, për shkak të mbylljes 4-mujore të aktivitetit nga COVID-19.

Pas hapjes së shërbimit më 6 korrik, vendosja e kufizimit të orareve të lëvizjeve, frika nga infektimi dhe rregullat e sigurisë shëndetësore ndikuan te rënia e numrit të pasagjerëve. Për 2021, përfaqësues të kompanive të transportit të udhëtarëve parashikojnë përkeqësim të xhiros.

Konstandin Foni, drejtor i linjës urbane Kombinat-Kinostudio, i kompanisë “Shega”, e konsideruar si linja me më shumë pasagjerë në Tiranë, thotë se deri në mars të vitit 2021, ky sektor do të jetë thuajse në kolaps. “Për muajt shtator-tetor të 2020, para vendosjes së kufizimit të orarit, frekuentimi i pasagjerëve ra 50% krahasuar me periudhë normaliteti.

Në muajin dhjetor, për shkak të reduktimit të orarit të lëvizjeve (më 24 dhjetor hyri në fuqi vendimi për lejimin e lëvizjes së qytetarëve nga ora 06:00 deri në 20:30), frikës nga infektimi dhe protestat që u zhvilluan në Tiranë, numri i pasagjerëve në autobusë ra 70%.

Parashikimi i kompanisë për buxhetin e 2021 për sektorin urban është që, deri në muajin mars, të jetë e njëjta situatë si në nëntor-dhjetor të vitit 2020. Pas kësaj periudhe është rritur pak optimizmi, pasi pritet që të ketë përmirësim të situatës epidemiologjike në vend dhe të vendoset qarkullimi pa kufizime për popullatën. Nga ana tjetër, edhe qytetarët pas këtij 3-mujori nuk do të hezitojnë më të kryejnë shpenzime, çka pritet të sjellë rritjen e konsumit. Kjo do të ndikojë pozitivisht edhe për ekonominë në tërësi”, thekson z. Foni, nga kompania “Shega”.

Ecuri e ngjashme parashikohet edhe për transportin detar të pasagjerëve. Bernard Resto, përfaqësuesi për Shqipërinë i kompanisë italiane të lundrimit “Adria Ferris”, thotë se përkeqësimi i volumit të pasagjerëve do të vazhdojë deri në 6 muajt e parë të 2021. Arsyeja kryesore është moslejimi i udhëtimeve, sidomos me shtetin fqinj, Italinë, dhe vende të tjera të Europës.

“Nëse udhëtimet do të vazhdojnë të mos lejohen dhe tragetet nuk do t’i kthehen itinerarit normal deri në 6 muajt e parë të 2021, situata pritet të jetë e njëjtë si në dhjetor të 2020. Nëse kjo periudhë e vështirë vazhdon edhe në stinën e verës, atëherë pritet të ketë falimentim të kompanive në transportin detar të pasagjerëve, pasi stina e verës i jep oksigjen sektorit dhe operatorët do ta kenë të pamundur të mbajnë në punë punonjësit. Në qoftë se udhëtimet do të ndalen deri në maj, njerëzit do të jenë përsëri të frikësuar se nuk do bëjnë prenotimin për verën. Nëse rrugët nuk hapen në prill, bllokimi do të ndihet shumë te sektori i transportit detar”.

Situata është vështirësuar për “Adria Ferris” me nisjen e karantinës. Ajo operon në Shqipëri me tragete nga viti 2004, me linjat ndërkombëtare, Durrës – Ankona, Durrës – Bari dhe Durrës – Trieste. Për vitin 2020, lëvizja e udhëtarëve për këtë operator në periudhën gusht-nëntor u reduktua 70%. Pas vendimit të Italisë për vendosjen e karantinës së detyrueshme për periudhën 21 dhjetor deri më 10 janar, numri i pasagjerëve për këtë kompani thuajse u zerua. Nga ana tjetër, kriza pritet të ndikojë edhe tek investimet e sipërmarrjes së lundrimit, pasi pandemia i gjeti ato të papërgatitura.

“Në dhjetor të 2019-s, kompania italiane investoi në blerjen e një trageti me vlerë 40 milionë euro, pasi parashikohej që fluksi i transportit të pasagjerëve për linjat e Durrës-Itali të rritej. Për shkak të pandemisë, udhëtimet u pezulluan, por kjo situatë dëmton investimet e operatorit, pasi trageti është blerë me kredi”, shprehet Resto.

Sektori i transportit detar të mallrave, periudhën tranzitore të karantinës e kaloi menjëherë pas hapjes së ekonomisë në maj të 2020. Sipas të dhënave të INSTAT, volumi i mallrave me det për 10-mujorin 2020 u ul 10% në krahasim me 2019. Parashikimet për ecurinë e sektorit për vitin 2021, nga disa prej aktorëve kryesorë të tregut janë pozitive.

Artur Dedja, nga kompania “Dedja Shiping”, e specializuar për transport ndërkombëtar detar me anije, me degë në Durrës dhe seli në Florida, thotë se për vitin 2021, pritet që shërbimi i transportit të mallrave me anije do të ketë rritje. Arsyeja e rritjes së volumit të mallrave sipas z. Dedja do të ndikohet nga normalizimi i situatës epidemiologjike me daljen e vaksinës në shumë shtete.

“Kjo nuk është krizë si në vitin 2008 kur njerëzit nuk kishin vlera monetare dhe zgjidhja ishte që duheshin para nga bankat për t’u sistemuar situata. Çështja ka të bëjë me shpërndarjen e vaksinës dhe pas saj, rritja e aktivitetit të sektorit do të fillojë. Për momentin, është bllokim fizik dhe psikologjik. Në janar do ikë bllokimi psikologjik, pasi popullata do të vaksinohet dhe do të hiqen dhe kufizimet e lëvizjes.

Për produktet e importit, si nafta, gazi, gruri mendoj se shërbimi i transportit për këto mallra do të nisë të normalizohet shumë shpejt. Nuk parashikoj të ketë rritje të madhe të këtyre produkteve, sepse ato e kanë pasur konsumin e tyre gjatë vitit, sidomos në muajt e karantinës ku pati rritje të ndjeshme”.

Bernard Resto, nga kompania “Adria Ferris”, nuk parashikon të njëjtën qasje për shërbimin e transportit të mallrave në 2021. “Konsumi do të vazhdojë të ketë rënie si në 2020, pasi individët do të jenë të orientuar drejt shpenzimeve për mallrat bazike dhe jo ato të luksit. Si rrjedhojë, parashikohet të ketë rënie të shërbimit të transportit fason për veshjet e modës drejt Italisë, për shkak të mbylljes të dyqaneve dhe klubeve.”

 

CALL CENTER NUK DO TË RRISIN NUMRIN E PUNONJËSVE NË 2021

 

Sektori i call center, një ndër punëdhënësit më të mëdhenj të të rinjve në vend, nuk ka shpresa se për 2021 do të rrisë numrin e të punësuarve. Lorenc Goga, përfaqësuesi i kompanisë “Facile.it”, ku janë të punësuar rreth 450 punonjës, shprehet jo optimist për rritjen e fuqisë punëtore.

“Për vitin 2021, synimi kryesor është të mos kemi largim të punonjësve. Mendoj se nuk do të kemi zvogëlim, por do të jetë shumë e vështirë që të rritemi. Nëse situata epidemiologjike do të kthehet shumë shpejt në normalitet, pritet që të jetë një vit i mirë 2021. Por nëse vazhdon si në 2020, nuk do të ketë ndryshime. Mbase në vitin 2022, mund të rifillojmë të rrisim numrin e të punësuarve”.

Edhe pa COVID-19, sektori kishte nisur rënien, i ndikuar nga politika e qeverisë italiane, e cila prej tre vitesh ka ashpërsuar rregullat e delokalizimit, që të ruante vendet e punës në Itali. Në krahasim me 2016-n, kur ishte periudha më e mirë për sektorin, numri i të punësuarve në mes të 2019-s kishte rënë me 12%.

Me pandeminë, për këtë operator në 2020, humbjet nga kontratat e shërbimit ishin 10%. Kompania call center “Facile.it” parashikon që humbja e COVID-19 të rikuperohet në 2021, nëse situata do të kthehet në normalitet. “Parashikoj që në 6 muajt e parë, situata të jetë e ngjashme me 2020. Nga periudha korrik – gusht e më tej, duke shpresuar që me daljen e vaksinës, gjendja do të stabilizohet edhe për ne, do të nisë rikuperimi. Ne si operator nuk kemi pasur humbje të mëdha, por kompani të tjera që kanë humbur më shumë, mund të kenë mundësinë të rimëkëmben, nëse nuk do të kufizime në Itali, por kjo nuk është në dorë të kompanive”, nënvizon Goga.

Kompania call center, siç sqaron përfaqësuesi i saj, Lorenc Goga, operon në tre sektorë. “Sektori i sigurimeve është pjesa më e fuqishme e kompanisë, më pas janë kontratat për shërbimet si: drita, internet gaz dhe ndërmjetësimi në sektorin e kredisë. Humbjet që përmenda më lart kanë të bëjnë me këtë sektor, pasi bankat në Itali kanë rritur kriteret që duhet të plotësojë kreditori, sepse nga COVID-19 shumë njerëz humbën punën ose janë në punë me orar të pjesshëm.

Për këto arsye, edhe bankat janë më të kujdesshme për të disbursuar kredi në këto momente, pasi shumë nga klientët e tyre potencialë mund të mos kenë më fuqinë për të paguar këstet. E gjithë situata ka ndikuar edhe tek ne që kryejmë ndërmjetësimin e kredisë, pra në banka po raportojnë më pak kërkesa për kredi, se në situatë normale para pandemisë. Ne jemi të varur nga tregu italian. Për sektorin e kredisë, parashikojmë që situata të stabilizohet në 2021, në varësi të politikave që do të zbatojë qeveria italiane. Aktualisht, ky shtet është pothuajse tërësisht i mbyllur dhe në vështirësi. Por ne kemi pasur fatin që trajtojmë edhe sektorin e siguracioneve që nuk janë frenuar nga pandemia”, tha Goga.

 

VËSHTIRËSOHET POTENCIALI PËR ZGJERIM TE SEKTORI I PËRPUNIMIT TË PESHKUT

 

Parashikimet e operatorëve të industrisë së përpunimit të peshkut janë optimiste për vitin 2021. Helidon Rruga, përfaqësuesi i kompanisë më e madhe të përpunimit të peshkut “Coral” tha për “Monitor” se viti 2021 do të jetë me ecuri më pozitive se viti që lamë pas. Sipas tij, kërkesa për këto produkte do të rritet, si nga supermarketet, por edhe restorantet.

“Njerëzit do të jenë më të lirë, nuk do të ketë kufizim të lëvizjeve. Për këtë arsye, frekuentimi në restorante do të rritet. Përhapja e infeksionit nuk do të jetë në këto nivele për shkak edhe të vaksinës, çka do të kthejë optimizmin te popullata dhe shpenzimet për produktet ushqimore të luksit, siç është peshku.”

Nga ana tjetër, kuotat vjetore për eksportin e açuges do të jetë sfida kryesore e industrisë të përpunimit për vitin 2021. I gjithë sektori ka një peshë të konsiderueshme në punësim. Ai është një nga grupet kryesore të eksporteve të produkteve agroushqimore.

Përfundimi i kuotave të lejuara vjet që në muajin shtator për eksportin e açuges pa taksë drejt vendeve të BE-së, shkaktoi për të pestin vit radhazi të njëjtin problem për industrinë. Kuota e lejuar e eksporteve drejt vendeve të BE-së pa taksë është deri në 1,6 mijë tonë në vit, për produktet e përpunuara “Made in Albania”, e miratuar që në vitin 2005. Por kapacitetet përpunuese të industrisë, janë shumë herë më të larta se kuota e përcaktuar. Sipas të dhënave zyrtare, industria eksporton rreth 6 mijë tonë produkt të përpunuar, ku thuajse gjysma e tyre (2,5 mijë tonë) janë produkt i peshkut açuge.

Albi Ndoci, administratori i kompanisë “Mare Adriatik sh.p.k”, përpunuesi më i madh i açuges në vend, tha më herët për “Monitor” se sektori i përpunimit të açuges ka kaluar në kolaps dhe prej shtatorit 2020, malli kishte mbetur stok, pa u shitur në magazinë. Operatorët kërkuan që qeveria të nisë negocimin e menjëhershëm të marrëveshjes së MSA-së, që kjo situatë të mos përsëritet edhe për 2021, por potenciali për zgjerim duket se është i humbur.

Situata e krijuar me COVID-19 në shtetet fqinje, ndikoi te shitjet e industrisë vetëm për periudhën e karantinës. Konkretisht me kompaninë “Mare Adriatik”, një nga eksportuesit kryesorë të açuges së përpunuar në vend, me hapjen e ekonomisë dhe moskufizimit të lëvizjeve të kamionëve të tregtisë jashtë 70% e eksporteve u shitën në rrjetet e supermarketeve “Metro” në Itali dhe Spanjë, kurse pjesa e mbetur në restorante. Në periudhën e karantinës, aktiviteti i kompanisë u tkurr 70%.

Situata u paraqit e vështirë edhe për përfaqësuesin e kompanisë “Coral”, Helidon Rruga. Në periudhën e karantinës, ai nuk e ndërpreu punën në të dy fabrikat, si në Kavajë dhe Durrës, ku janë të punësuar 350 punonjës, por u punua me 10% të kapacitetit përpunues, ndërsa 90% e veprimtarisë ndali, për shkak të mbylljes të restoranteve.

 

BIMËT MEDICINALE, RRITJE, POR MBETEN NË POTENCIAL

 

Për vitin 2021, eksportet e bimëve medicinale parashikohet të shënojnë sërish rritje. Operatorët e eksportit të bimëve medicinale dhe aromatike nuk u prekën nga kriza e COVID-19 në 2020, pasi kërkesa për bimët e çajit, kryesisht ato që përmbajnë vitaminë C, ishte e lartë në tregjet e huaja.

Filip Gjoka, kryetar i Shoqatës së Bimëve Medicinale dhe Aromatike, thotë se premisat për rritje të eksporteve janë pozitive edhe për 2021. Por kjo industri vuan mungesën e investimeve për të rritur kapacitetet përpunuese. Parashikohet që edhe për 2021, industria të humbasë shansin për rritjen e kapaciteteve. Aktualisht, operatorët e tregut përpunojnë vetëm 20% të bimëve të grumbulluara, kurse 80% e tyre eksportohen bruto.

Z. Gjoka thotë se buxheti i këtij viti nuk ka përcaktuar fonde për përpunimin. Industria do të vazhdojë të përjashtohet nga fondet e BE-së, për shkak të kufirit të ulët të pragut të xhiros vjetore deri në 2,4 mln euro për thithjen e fondeve të huaja. Por disa nga eksportuesit kryesorë e tejkalojnë këtë tavan qarkullimi (kompanitë që kanë xhiro mbi 2,4 mln euro në vit në këtë sektor konsiderohen të zhvilluara dhe nuk përfitojnë nga fondet e BE-së.)

“Me hapjen e thirrjeve të IPARD II, sektori i përpunimit të bimëve mjekësore është i përjashtuar nga përfitimi i fondeve. Përfitues mund të jenë vetëm fermat që i kultivojnë këto bimë. Kjo do të sjellë që fondet që do të marrin fermerët, do të jenë shumë të vogla. Perspektiva për të përfituar fonde nga shteti për investime në përpunim do të jetë e zymtë. Mundësia e vetme do të jetë vetëm investimi i tyre nga vetë kompanitë, ose nëpërmjet kredive bankare që mund të marrin ato sipërmarrje q me rritje dhe të suksesshme, ku mund të negociojnë me bankat për interesat”, thotë z. Gjoka.

Alban Zusi, i Qendrës të Eksporteve Shqiptare, e konsideroi këtë një problem teknik që duhet të zgjidhet nga Ministria e Bujqësisë. “Burokratët ngatërrohen te problemet teknike, nuk kuptojnë procedurat ligjore se si duhet ndryshuar dhe pastaj qëndrojnë te gabimi i tyre i së shkuarës. Ata mendojnë se duhet të merret Parlamenti, por janë ata që duhet ta bëjnë përmirësimin”. Investimet për blerjen e makinerive përpunuese janë të kushtueshme me vlerë deri në 1 mln euro dhe kompanitë nuk kanë mundësi financiare për t’i përballuar.

Z.Gjoka pohon se, duke u bazuar te niveli i eksporteve për vitin 2020, që kaloi vlerën e 50 mln dollarëve në muajin nëntor, është tregues se premisat do të jenë të mira për rritje të mëtejshme në 2021. Kjo pasi është rritur kërkesa për bimë medicinale që përdoren për çaj, ndërsa kërkesa për erëza është më e ulët për shkak të mbylljes së restoranteve apo rënie të frekuentimit në to në shumë vende ku ne eksportojmë. Por kërkesa e lartë në tregun ndërkombëtar e bimëve medicinale, arriti të kompensonte humbjet që u krijuan nga rënia e shitjes të erëzave. “Ndërsa në total, kërkesa për bimët e çajeve me përmbajtje të vitaminës C do të rritet në vitin 2021”, pohon ai.

Gjoka shton se në muajin dhjetor, nisi hartimi i planit sektorial për periudhën 2022-2029, i cili do t’i dërgohet Brukselit. “Ne jemi duke vazhduar negociatat me hartuesit e studimit për të përfshirë financimin me grante të sektorit tonë, njësoj siç është ai i përpunimit të peshkut. Ne kërkojmë përfshirjen e sektorit për rritjen e pragut të xhiros deri në 10 mln lekë, siç është edhe për agropërpunuesit.

Për përfitimin e fondeve nga programet e BE-së, industria jonë është më e goditura për shkak të kufizimit të mbështetjes vetëm për kompanitë me qarkullim vjetor deri në 2,4 mln euro në vit. Kompanitë që kalojnë këtë prag të xhiros nuk përfitojnë grantet nga projektet e financimit nga IPARD të Bashkimit Europian.

Masa është vendosur para 7 vitesh nga qeveria, pasi sipas një studimi të kryer prej tyre, bizneset me xhiro mbi 2,4 mln euro konsiderohen të zhvilluara dhe nuk kanë nevojë për grante, ndërkohë që industri si përpunimi i qumështit, mishit dhe fruta-perimeve nuk kufizohen në përfitimin e ndihmës deri në qarkullimin vjetor prej 9 mln euro. Kjo mbetet një nga kërkesat kryesore që duhet të përmbushet”.

 

KRIZA E BAREVE DHE RESTORANTEVE, NIS FALIMENTIMI NË JANAR

Situata pritet të përkeqësohet deri me mbyllje të bareve dhe restoranteve që në javët e para të janarit të këtij viti. Viti 2020 pati ulje dhe ngritje për subjektet e shërbimit – baret, restorantet dhe klubet e natës ishin të parët që u mbyllën me shfaqjen e COVID-19 në muajin mars.

Pas hapjes së ekonomisë deri në përfundim të verës, xhiroja e tyre arriti të rikuperohej. Në periudhën vjeshtë-dimër qarkullimi te këto biznese iu rikthye rënies me rreth 40% krahasuar me një vit më parë, për shkak të uljes së frekuentimit. Parashikimi për 2021, duket i zymtë dhe jo premtues, thotë për “Monitor”, përfaqësuesi i Shoqatës të Bareve, Restoranteve dhe Klubeve z.Enri Jahaj.

“Në pragun e festave të fundvitit pritëm të kishim sadopak të ardhura, të cilat na u ndërprenë, nën pretekstin e përhapjes së virusit, ndërkohë të gjithë e dimë që njerëzit u mblodhën e festuan në shtëpi. Për vitin 2021, pritshmëria është e vakët nëse do të mbijetojmë 6-mujorin e parë, me shpresën se kufizimet do të ndërpriten në mars, si të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë, edhe ne shpresojmë, por theksoj ende nuk ka një panoramë të qartë.

Në janar, parashikohet që të mbyllen një sërë biznesesh që i kishin varur shpresat te festat e fundvitit. Bizneset e mëdha të sektorit janë të gjunjëzuar dhe të pafuqishëm për të bërë parashikime. Nëse nuk do të ketë një heqje kufizimesh, situata jonë nuk do të jetë aspak pozitive”.

Z. Jahaj thekson se situata paraqitet katastrofë për pronarët e klubeve të natës, ndërkohë që qeveria nuk parashikon të lejojë hapjen e tyre edhe për 2021. Baret dhe restorantet kanë një kontribut të rëndësishëm në këtë segment. Në vend ka rreth 14 mijë bare dhe rreth 4 mijë restorante, duke na bërë ndër të parët në botë për numrin e lokaleve në raport me popullsinë. Ky segment ka dhe nivelin më të lartë të vetëpunësimit në vend, me rreth 37% të totalit.

 

SHPRESA E KOMPANIVE TË EVENTEVE, PËR RIKUPERIM TË LEHTË PAS QERSHORIT 2021

 

Shfaqja e COVID-19 ndërpreu si me thikë aktivitetin e kompanive të eventeve për vitin 2020. Pjesëmarrja e njerëzve në festa, dasma dhe evente u konsiderua nga Komiteti Teknik i Ekspertëve me rrezikshmëri të lartë për përhapjen e virusit.

Shumë kompani të këtij sektori u orientuan drejt mbajtjes të seminareve online, festave të vogla dhe marketingut për të mbijetuar. Situata është e paqartë edhe për vitin 2021, deri sa qeveria do të vendosë të lejojë mbajtjen e dasmave dhe eventeve.

Operatorët kryesorë të tregut për eventet parashikojnë të njëjtën ecuri negative të aktivitetit deri në 6 muajt e parë të 2021. Optimizmi pritet të rikthehet pas qershorit, nëse do të lejohet mbajtja e ceremonive, siç shprehet Rafaela Rica, drejtuese e kompanisë “Iceberg”.

“Kriza e pandemisë na detyroi të diversifikojmë portofolin, pasi nëse do të fokusoheshim vetëm te reklamat dhe eventet, do të përkeqësonim situatën, siç ishte angazhimi në periudhën e festave të fundvitit me zbukurimet e disa qendrave urbane në vend. Për sa kohë që temperaturat nuk do të rriten (që të ulet fuqia e infeksionit) dhe të nisë vaksinimi i popullatës, 4 deri në maksimumi 6 muajt e parë të 2021 do të vazhdojnë të jenë të vështirë për sektorin, pasi mendoj se nuk do të lejohet mbajtja e tyre. Kufizimi për të lëvizur lirisht dhe për të zhvilluar aktivitete do të vazhdojë të mbartë 98% të problematikave të 2020-s.

Pas qershorit, situata pritet të ndryshojë pak. Nga përvoja e viteve të kaluara, kujtoj se mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme ka shtuar numrin e aktiviteteve dhe shpenzimeve. Duke qenë se në muajin prill do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare, mbase gjërat mund të lëvizin. Përveç kësaj, si për kompanitë, edhe individët, do të ndihet nevoja e kthimit të optimizmit.

Për këtë arsye pas 6-mujorit të parë do të duan të bëjnë evente, edhe pse buxhetet do jenë shumë të ulëta, pasi të gjithë kanë pasur krizë financiare. Për këtë arsye parashikoj që ky sektor ta rimarrë veten gradualisht nga pandemia. Rimëkëmbja do të jetë e ngadaltë dhe nuk presim të ketë bum të menjëhershëm”, nënvizon znj. Rica.

Armand Peza, drejtues i “Geraldina Sposa”, një ndër kompanitë kryesore të organizimit të eventeve në Shqipëri, parashikon vështirësi në përmirësimin e situatës së sektorit në 2021, pasi humbjet e shkaktuara nga viti i kaluar ishin të mëdha.“Pasi të mbarojë vala e parë e vaksinimeve në fund janar e më pas, do të fillojë vala e fushatës elektorale, ku do të duket sikur (por veç në dukje ama) ekonomia do të lëvizë disi.

Në vite shqiptarët, kanë treguar që kanë kujtesë shumë të shkurtër dhe në 2021 kemi nevojë për këtë ‘veti ekskluzive”’të shqiptarëve. Të harrojmë gjithë vështirësitë e 2020 dhe të rinisim normalisht jetën, si të rizgjuar nga një gjumë letargjik plot makthe”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of