Nuk kishte shkuar akoma ora 8 e mëngjesit, por para Qendrës Kombëtare të Biznesit ditën e djeshme kishte më shumë se 20 persona që prisnin në radhë. Disa prej tyre kishin ardhur që në orën 6.30. Të gjithë kanë të njëjtin shqetësim. Duhet të saktësojnë kodin e aktivitetit, pasi po hasen si me refuzimin e ndihmës ekonomike, ashtu dhe probleme me E-Albania për të marrë lejen për të ushtruar aktivitetin.
Shumë biznese u ndodhën dhe para paradoksit, ku nga njëra anë po u refuzohej ndihma si për paketën e parë ashtu dhe për të dytën dhe nga ana tjetër sistemi që menaxhohet nga E-Albania nuk u u jepte leje të punonin. Të tjerë nuk përfituan nga paketa e parë, ndonëse ishin në listën e aktiviteteve të mbyllura, por në të dytën dhe si rrjedhoje përfitojnë pagesëm 40 mijë lekë një herë dhe jo 26 mijë lekë pë tre muaj, pra rreth 50% më pak.
Lexo edhe këtë: Disa bizneseve u refuzohet ndihma financiare nga tatimet pasi aktiviteti lejohet të funksionojë, por sistemi nuk u jep leje të punojnë!
Pas këtij problemi, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i ftoi të gjithë tatimpaguesit, të cilët si arsye për refuzim të aplikimit për ndihmë financiare kanë mospërputhjen e Kodit të aktivitetit me përshkrimin e aktivitetit, apo me llojin e veprimtarisë që ata realisht ushtrojnë, se duhet të përditësojnë të dhënat e tyre. Personat fizikë mund ta bëjnë këtë në platformën e-albania, ndërsa tatimpaguesit me status ligjor person juridik, duhet të paraqiten pranë sporteleve të QKB në të gjithë vendi, çka ka krijuar dhe radhët në sportele.
Lexo edhe këtë: Tatimet: Përditësoni kodin e aktivitetit, nëse keni pasur probleme me ndihmën financiare dhe lejen për të punuar
Ibrahimaj: Tatimet nuk i kontrollojnë dot të gjithë, bizneset të specifikojnë kodet, si të veprojnë individët
Drejtoresha e Tatimeve Delina Ibrahimaj, tha në një intervistë për “Monitor Ekonomi” se Problematika kryesore që ne kemi patur gjatë këtyre ditëve për akordimin e pagës së luftës ka qenë kjo: “një biznes ka qenë i regjistruar me një subjekt aktiviteti, ndërkohë që faktikisht e ushtron aktivitetin e një objekti tjetër që i përket edhe një kodi tjetër. Është e pamundur nga ana e adminstratës tatimore që të kontrollojë 117 mijë biznese aktive, pra janë bizneset të cilët duhet të specifikojnë kodin e tyre të aktivitetit.
Gjithashtu edhe ato individë të cilët duan të ankohen se punëdhënësi i tyre nuk aplikon për marrjen e pagës së tyre të luftës mund të ankohen nëpërmjet një procedure tjetër e cila është e afishuar në faqen e tatimeve. Këtu i referohem atyre individëve, të cilët në bazë të masës 2 të paketës janë të larguar nga puna dhe punëdhënësi nuk pranon të aplikojë, atëherë cdo individ mund të ankohen nëpërmjet një adrese emaili duke plotësuar të dhënat në formularin e caktuar, dhe ne do të marrim masat që, nëse ai është përfitues të marrë pagën e luftës”, tha Ibrahimaj.
Sot afati i fundit i ankimimit për paketën e parë
Tatimet kanë njoftuar se të gjithë tatimpaguesit dhe individët e interesuar, të cilët konsiderojnë se mund të jenë përfitues të ndihmës financiare sipas VKM nr.254 datë 27.03.2020, por kërkesa e tyre është refuzuar, se afati përfundimtar për të paraqitur ankesën e tyre është deri në orën 12.00 të datës 29.04.2020.
Tatimet tërheqin vëmendjen se është e rëndësishme që kërkesa/ankesa e dërguar nga individët duhet të përmbajë NIPT e subjektit në të cilin është i punësuar dhe ka aplikuar, si dhe NID përkatës të individit, ndërkohë që tatimpaguesi në kërkesën/ankesën e tij duhet të vendosë NIPT-in e subjektit.
Lexo edhe këtë: Afati i fundit për t’u ankuar nëse s’keni përfituar nga paketa financiare 1
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.