The Second City është La Scala e komedisë. Në historinë e tij 60-vjeçare, klubi i famshëm i komedisë, The Second City, në pjesën veriore të Chicagos ka vënë në skenë gjatë natës vepra nga artistë si Joan Rivers, John Candy, Bill Murray etj, shkruan The Economist.
Ndërsa gjatë ditës, ai shndërrohet në një akademi humori, ku zhvillohen kurse të ndryshme, në të cilat u mësohen të pranishmëve teknika të ndryshme për t’i bërë të tjerët të qeshin.
Aktorët e famshëm bashkëkohorë si Steve Carrell dhe Tina Fey kanë qenë nxënës të kësaj akademie. Firmat e ndryshme e kanë përdorur komedinë si një mënyrë për të nxjerrë në pah aftësitë e punonjësve të tyre, të cilët kanë qenë të tërhequr në fillimet e tyre dhe që e kanë pasur të vështirë për të ndërvepruar me kolegët e tjerë.
“Numri i firmave në fjalë po rritet, shprehet Kelly Leonard, drejtuesja e klubit të “improvizimit të aplikuar”. Disa prej komedianëve të saj kanë bashkëpunuar me Twitter, Google dhe Facebook për të gjetur mënyra sesi inxhinierët e zgjuar të softuerëve por që pothuajse nuk flisnin fare gjatë ditës së punës, të bashkëvepronin më lehtë me kolegët e sektorëve të tjerë si shitjet apo strategjia.
Kompanitë nga Motorola dhe McDonald’s deri te Nike dhe Nissan besojnë se dërgimi i drejtuesve të lartë në kurse komedie mund t’i ndihmojë ata që të menaxhojnë dhe të drejtojnë më mirë kompanitë. Për të minimizuar sa më shumë ankesat e klientëve, (se edhe pse ata ishin të aftë, ishin të sertë dhe aspak të komunikueshëm), menaxheri i firmës u kërkoi komedianëve që t’i mësojnë stafit të tij sesi të jenë më të komunikueshëm dhe se si të bëjnë batuta me klientët. Qindra klientë të korporatës mendojnë se prania e një xhokeri në mjediset e kompanisë mund të nxisë “mendimin anësor” midis punonjësve dhe t’i bëjë ata që të pranojnë mendimet dhe idetë e të tjerëve.
Një ushtrim që bëhet në këtë drejtim detyron punonjësit të thonë gjithmonë “Po” dhe të pranojnë çdo ide të re të thënë nga kolegët e tyre. Klasat e “improvizimit të aplikuar” janë hapësira të sigurta ku zhvillon biseda të sinqerta, ku të pranishmit mund të flasin edhe për pasiguritë e tyre, pra jo vetëm për situata të këndshme, duke qenë se ata ndihen të lirë për të folur për tema të ndryshme, madje për të thënë mendime të cilat në ambiente të tjera nuk do të merrnin guximin t’i shprehnin.
Agjentët e marketingut, nga ana e tyre, po i afrojnë komedianët në ambientet e tyre të punës për të marrë sa më shumë ide të reja prej tyre. Farmers Insurance, një kompani sigurimi, mundësoi që të gjithë komedianët e The Second City të regjistronin një video trajnuese e cila do të shikohej nga punonjësit e kompanive të ndryshme.
Një pasdite, drejtuesit e firmave të ndryshme me seli në Çikago u takuan për të marrë pjesë në një kurs komedie për të diskutuar mbi çështje të ndryshme. Nuk është se të gjitha problemet e tyre u zgjidhën aty menjëherë, por ajo që u arrit me siguri ishte se në atë kurs nuk mungoi e qeshura dhe batutat ndërmjet të pranishmëve.
Klube të tjera të komedisë në të gjithë Amerikën, si IO në Çikago dhe teatri Upright Citizens Brigade në Nju Jork, ofrojnë shërbime profesionale. Sipas, The Second City, aktivitetet që kanë të bëjnë me trajnime të ndryshme të korporatave, tashmë përbëjnë gati një të tretën e të ardhurave të tij, të cilat arrijnë vlerën mbi 50 milionë dollarë në vit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.