Motori i ekonomisë shqiptare, bizneset e vogla kanë raportuar përkeqësim të aktivitetit në gjysmën e parë të vitit 2019 sipas një vrojtimi të Bankës së Shqipërisë.
Banka raportoi se ndërmarrjet e vogla vijojnë të raportojnë rënie të nivelit të shitjeve gjatë periudhës (balancë neto -23.4%), në përkeqësim krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe krahasuar me një vit më parë.
Nga ana tjetër, situata ka rezultuar pozitive për ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha, të cilat kanë shënuar balanca neto pozitive të shitjeve, (respektivisht +7.1% dhe +12.5%), por gjithashtu në rënie krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar .
Lidhur me pritshmëritë për nivelin e shitjeve të përgjithshme për gjashtëmujorin e ardhshëm, të tre grupet e ndërmarrjeve paraqiten optimiste, duke pritur një rritje të nivelit të shitjeve.
Subjektet janë shprehur më optimiste në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar dhe në nivele të krahasueshme me një vit më parë.
Rezultatet ecin në mënyrë të ngjashme edhe për ndryshimin e rezultatit financiar në gjysmën e parë të vitit 2019, duke ndjekur ecurinë e balancës së shitjeve të përgjithshme.
Kështu, ndërmarrjet e vogla vijojnë të vlerësojnë rënie të rezultatit financiar gjatë periudhës, me një balancë neto negative -21.9%, në thellim të dukshëm në krahasim me periudhat e mëparshme.
Nga ana tjetër, ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha deklarojnë balanca pozitive të rezultatit financiar të tyre gjatë periudhës, respektivisht +3.3% dhe +12.4%, por në përkeqësim krahasuar me periudhën e kaluar. Pritshmëritë për gjashtëmujorin e ardhshëm janë pozitive për të tre grupet e ndërmarrjeve, dhe më optimiste se në gjashtëmujorin paraardhës, çka shkon në të njëjtën linjë me pritshmëritë për ecurinë e shitjeve.
Në grupin e ndërmarrjeve të përgjigjura, mbi 85% e tyre, për secilën kategori madhësie, kanë raportuar fitim gjatë periudhës. Kjo peshë ka rezultuar më e lartë tek ndërmarrjet e mëdha (92.6%) dhe më e ulët tek ndërmarrjet e vogla (85.0%). Krahasuar me periudhën e kaluar dhe sikurse u vu re deri tani, peshat e ndërmarrjeve që kanë raportuar fitim kanë qenë në rënie tek të tre grupet e ndërmarrjeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Nuk jane motorr bizneset e vogla , por mbijetese. Kudo neper boten e avancuar fokusi eshte te bizneset e mesme edhe te medha !!! Vetem ato jane ne gjendje – nepermjet economies of scale- te prodhojne mireqenje. A mund vetem nje individ te prodhoje makina apo celulare ?!!!! Kjo qe po ndodh eshte dicka pozitive ne terma afat-mesme.