Bizneset e mëdha po marrin më pak kredi për investime, dhe kjo tendencë pritet të vijojë dhe në të ardhmen afatshkurtër. Rënia e besimit të biznesit dhe nga situata e perceptuar ekonomike dhe perspektiva e saj citohen si një nga arsyet që ka ndikuar në uljen e kërkesës. Në kahun tjetër vetë bankat perceptojnë se rreziku është shtuar si në situatën e përgjithshme ekonomike, ashtu dhe aftësinë e bizneseve për të paguar.
Banka e Shqipërisë publikoi vrojtimin për aktivitetin kreditues për tremujorin e dytë të vitit, ku thotë se Bankat tregtare vlerësuan se mbajtën të pandryshuara standardet për kreditë dhënë bizneseve gjatë tremujorit të dytë të vitit 2019, raportoi
Kërkesa për kredi nga ana e bizneseve, sipas opinionit të bankave, ishte më e ulët në tremujorin e dytë, si në segmentin e biznesit të madh ashtu edhe në atë të mesëm e të vogël, e ndikuar nga kreditë me qëllim investimi. Kërkesa për kredi në financimin e nevojave për likuiditet u perceptua më e lartë në tremujorin e dytë.
Bankat nga ana e tyre kanë perceptuar një rrezik të shtuar si nga situata e përgjithshme ekonomike ashtu dhe kapaciteti i bizneseve për të kthyer huanë.
Standardet e kreditimit për individët, në gjykimin e përgjithshëm të bankave, ishin pak më të lehtësuara se një tremujor më parë, si në kreditë konsumatorë ashtu edhe në ato për blerjen e banesave. Kërkesa për kredi konsumatore u perceptua më e ulët, ndërkohë që ajo për blerjen e banesave u raportua disi më e lartë.
Standardet e kreditimit vlerësohen të mbeten të pandryshuara për bizneset, ndërkohë që ato për individët priten të lehtësohen disi në tremujorin e tretë të vitit 2019. Kërkesa për kredi e bizneseve në tremujorin e tretë, sipas gjykimit të bankave, pritet të jetë më e ulët, kushtëzuar nga reduktimi i kërkesës për kredi me qëllim investimi. Individët priten të shfaqin një kërkesë më të gjallëruar në tremujorin e tretë, nxitur nga kërkesa më e lartë si për kredi konsumatore ashtu edhe për blerje banesash.
Bankat perceptuan se kërkesa më e ulët për kredi, në tremujorin e dytë të vitit, i atribuohej: nevojave më të ulëta për financimin e investimeve dhe për rifinancimin e borxheve ekzistuese; përdorimit më të lartë të burimeve të brendshme të financimit nga ana e bizneseve; si edhe perceptimit për kushte jo të favorshme të financimit, nxitur kryesisht nga rënia e besimit të biznesit dhe nga situata e perceptuar ekonomike dhe perspektiva e saj. Në kahun rritës të kërkesës për kredi u raportuan kërkesa më e lartë e bizneseve në mbulimin e nevojave për likuiditet, si edhe shtimi i nevojës për financim, si pasojë e ristrukturimit të kompanive.
KREDIA PËR BIZNESE
Standardet e kreditimit
Sipas opinionit të bankave tregtare, standardet e kreditimit për bizneset në tërësi mbetën thuajse të pandryshuara në tremujorin e dytë. Standarde të njëjta kreditimi me një tremujor më parë u raportuan si në kreditë dhënë me qëllim financimin e investimeve, ashtu edhe në ato për plotësim të nevojave për likuiditet nga ana e bizneseve. Në kategorinë e bizneseve të vogla e të mesme, standardet e kreditimit u lehtësuan disi, ndërkohë që për kreditë dhënë bizneseve të mëdha standardet mbetën të pandryshuara.
Për tremujorin e tretë, bankat vlerësojnë se nuk do ketë ndryshime në standardet e kreditimit për bizneset, si në aspektin e madhësisë së biznesit, ashtu edhe në atë të qëllimit të përdorimit të kredisë.
Si faktorë me ndikim pozitiv në lehtësimin e standardeve të kreditimit për bizneset, bankat raportuan shtimin e konkurrencës në sistemin bankar, si dhe kostot dhe kufizimet më të ulëta që burojnë nga pozicioni kapital apo i likuiditetit të bankave. Në kahun shtrëngues të standardeve të kreditimit vepruan faktorët e lidhur me perceptimin e rrezikut nga ana e bankave, që janë: aftësia paguese e kredimarrësit, situata ekonomike dhe perspektiva e saj, si dhe rreziqet lidhur me kolateralin. Po ashtu, edhe toleranca më e ulët e bankave ndaj rrezikut ndikoi në shtrëngimin e standardeve të kreditimit.
Bankat shtrëngojnë kushtet për bizneset
Kushtet dhe termat e përgjithshëm mbi kreditë e reja akorduar bizneseve u shtrënguan disi nga një tremujor më parë. Shtrëngimi i lehtë i kushteve dhe termave të kreditimit për bizneset u arrit nëpërmjet aplikimit të marzheve disi më të larta mbi kreditë me rrezik, si edhe nëpërmjet shtrëngimit të lehtë të kushteve të tjera joçmim. Këto të fundit u shprehën nga reduktimi i madhësisë së kredisë, si edhe nga rritja e kushtëzimeve në marrëveshjet e kredisë për bizneset. Në kahun lehtësues të kushteve dhe termave të kreditimit u raportuan marzhet më të ulëta mbi kreditë normale.
Faktorët që përcaktuan shtrëngimin e lehtë të kushteve dhe termave të kreditimit ishin të lidhur me kostot më të larta të fondeve dhe kufizimet nga bilanci, si edhe me perceptimin e bankave për rrezik të shtuar.
Bie kërkesa për kredi nga bizneset e mëdha
Kërkesa për kredi e bizneseve u perceptua në rënie edhe në tremujorin e dytë të vitit 2019. Kërkesë më e ulët se një tremujor më parë u raportua për kreditë e marra me qëllim investimi, ndërkohë që për ato të përdorura në financimin e nevojave për likuiditet, kërkesa u perceptua më e lartë. Parë në prizmin e madhësisë së biznesit, rënia më e theksuar e kërkesës për kredi u vlerësua nga ana e bizneseve të mëdha.
Kërkesa për kredi e ulët dhe në vijim
Në tremujorin e tretë të vitit 2019, bankat presin një kërkesë më të ulët për kredi nga bizneset, e drejtuar nga pritjet për një kërkesë të dobët të kredisë për investime, ndërkohë që kërkesa për kredi në financimin e nevojave të likuiditetit vlerësohet të mbetet e pandryshuar. Në këndvështrimin e madhësisë së biznesit, pritjet janë për një kërkesë thuajse të pandryshuar për kredi në tremujorin e tretë, si nga bizneset e vogla e të mesme, ashtu edhe nga bizneset e mëdha.
KREDIA PËR INDIVIDË
Standardet e kreditimit
Standardet e kreditimit për individët u raportuan disi më të lehtësuara në tremujorin e dytë të vitit 2019. Lehtësimi i standardeve u vërejt si në kreditë për blerje banese, ashtu edhe në ato konsumatore.
Lehtësimi i standardeve të kreditimit për individët pritet të vijojë edhe në tremujorin e tretë të vitit, fokusuar kryesisht në segmentin e kredive për blerje banesash.
Lehtësimi i standardeve të kreditimit ishte pasojë e trysnisë së shtuar që vjen nga konkurrenca në sistemin bankar. Në kahun shtrëngues të standardeve të kreditimit për individët u raportuan kostot dhe kufizimet më të larta që burojnë nga pozicioni i kapitalit të bankave.
Kushtet dhe termat e kreditimit
Kushtet dhe termat e përgjithshëm për kreditë akorduar individëve u lehtësuan në tremujorin e dytë të vitit, kryesisht në sajë të aplikimit të marzheve më të ulëta mbi kreditë normale. Gjithashtu, edhe kushtet e tjera joçmim u raportuan më të lehtësuara, si pasojë e: kërkesave më të ulëta për kolateral në raport me kredinë e marrë; shtimit të madhësisë së kredisë; si dhe zgjatjes së maturitetit të saj.
Lehtësimi i kushteve dhe termave të kreditimit, në tremujorin e dytë 2019, ka vijuar të nxitet nga trysnia e shtuar prej konkurrencës në sistemin bankar, si edhe nga reduktimi i kostove të fondeve dhe kufizimeve më të ulëta nga bilanci.
Kërkesa për kredi
Kërkesa e individëve për kredi u perceptua disi më e lartë në tremujorin e dytë të vitit. Kërkesa për kredi me qëllim blerje banesash u raportua pak më e lartë, ndërkohë që kërkesa për kredi konsumatorë u raportua disi më e ulët. Bazuar në opinionin e bankave, kërkesa për kredi e individëve pritet të jetë më e lartë në tremujorin e tretë të vitit 2019, e nxitur nga nevoja më e lartë për financim si të konsumit, ashtu edhe të blerjes së banesave.
Në kahun rritës të kërkesës për kredi nga ana e individëve, sipas gjykimit të bankave, ndikuan nevojat më të larta në financim, si në blerjen e banesave, ashtu edhe për konsum. Ndërkohë, përdorimi më i lartë i burimeve të brendshme të financimit, si edhe shtimi i kredive nga institucionet financiare jobanka, janë raportuar si faktorë që kanë ulur nevojën për financim të individëve nga sistemi bankar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.