Paketa mbështetëse për bizneset dhe punonjësit e prekur nga përhapja e koronavirusit në vend do të zgjerohet gjatë muajit prill. Këtë ka paralajmëruar kryeministri Rama në një status në rrjetet sociale, por pa dhënë detaje më shumë.
“Me bankat për paketën financiare të luftës;
Vënien menjëherë në lëvizje të instrumentit të garancisë sovrane për pagat e punonjësve që nuk shkojnë dot në punë;
Zgjerimin e paketës gjatë muajit prill”, shkruan Rama.
Në fillim për ata që kanë më shumë nevojë, pastaj do të zgjerohet me tej duke parë situatën, ka deklaruar kryeministri në një intervistë mediatike online.
“Sigurisht që do të ketë një zgjerim, sepse siç e kam thënë kjo situatë është dinamike dhe ka një nivel të lartë paparashikueshmëria për kohëzgjatjen. Ne jemi në kohë reale ditë-natë në ndjekje të të gjithë pasojave që krijohen në jetën e përditshme të njërëzve. Kemi diskutuar sot me bankat për të vënë në shfrytëzim instrumentin e garancisë sovrane për 100 milonë dollarë, si një ndihmë për pagat e punonjësve të bizneseve që nuk shkojnë dot në punë dhe për t’u zgjeruar duke pasur parasysh edhe elementë të pasojave të kësaj luftë të tnmerrshme”.
Kreu i qeverisë është përgjigjur edhe për kërkesat që kanë klubet e futbollit dhe mediat për ndihmë ekonomike në situatën e krijuar nga virusi.
“Klubet e futbollit nuk kanë çfarë i kërkojnë qeverisë dhe arkës së shtetit, për shumë arsye. Klubet deklarojnë paga të rremë, sikur janë fasonë, dhe nga ana tjetër kanë paga të majmë.
Sa për mediat, nuk është detyra e qeverisë të financojë ecurinë e programeve komerciale. Kjo është një përgjigje parimore jo përfundimtare. Detyra jonë është të plotësonë minimumin jetik. Gjithëkush duhet të mendojë se në Shqipëri ka disa mijëra familje që janë në mimimumin e ekzistencës”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.