Biznesi i vogël, sipas ligjit të ri “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” nuk do ta ketë të nevojshme që të ndjekë të njëjtën procedurë të fiskalzimit të faturave që gjeneron nga aktiviteti si bizneset e tjera por këtë hap mund ta kryejë përmes platformës qendrore.
Një draft vendim i publikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë “Mbi kriteret e përdorimit të procedurës së thjeshtëzuar të fiskalizimit” theksohet se bizneset duhet të plotësojnë disa kushte që të bëjnë pjesë në këtë grup. Pra do të fiskalizojnë faturat përmes platformës qendrore nëse: a) nuk janë subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar; b) nuk kanë asnjë shkelje të konstatuar në lidhje me mos-lëshimin e kuponit tatimor/faturës në 3 vitet e fundit; c) nuk kanë më shumë se një vendndodhje të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit; d) nuk lëshojnë më shumë se 350 kupona tatimorë apo/edhe fatura gjatë një viti fiskal.
Këto kushte vlejnë për biznesin e vogël që ushtron aktivitetin me para në dorë ndërsa për ata që lëshojnë fatura elektronike për transaksione pa para në dorë draft vendimi përcakton fiskalizim të thjeshtë vetëm nëse plotësohen dy kushte nga katër.
I njëjti draft parashikon që secili subjekt mund të përdorë platformën qendrore të faturave për lëshimin dhe fiskalizimin e faturave, për sa kohë që përmbush të gjitha kriteret e kërkuara.
“Në momentin kur një nga kriteret nuk përmbushet më prej tatimpaguesit, tatimpaguesi nuk mund të përdorë më tej platformën qendrore të faturave për lëshimin dhe fiskalizimin e faturave, por duhet të zbatojë procedurën e fiskalizimit me anë të zgjidhjeve softuerike të certifikuara, sipas rregullave të përgjithshme të përcaktuara në ligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”.
Përjashtimisht për rastet e mos-përmbushjes së kriterit b që lidhet me shkleje të konstatuar në tre vitet e fundit për kupon, tatimpaguesi ka 30 ditë afat të zbatojë procedurën e fiskalizimit me anë të zgjidhjeve softuerike të certifikuara, sipas rregullave të përgjithshme të përcaktuara në ligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”” thuhet në vendim.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka nxjerrë për konsultim këtë javë draftin e udhëzimit që sanksionon mënyrën sesi do të zbatohet ligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” apo siç njihet ndryshe fiskalzimi. Ky draft do të revolucionarizojë tërësisht mënyrën se si funksionon sistemi i deklarimit online, ku çdo faturë do të deklarohet në kohë reale dhe jo një herë në fund të ditës siç ndodh aktualisht.
Në udhëzimin e plotë prej 44 nenesh jepen shembuj rast pas rasti lidhur me mënyrën sesi bëhet regjistrimi në sistemin e ri, elementët që duhet të përmbajë fatura dhe kodi QR, si veprohet kur biznesi ska akses në internet, si ndahet limiti i arkës kur aktiviteti ushtrohet në disa vende apo edhe fazat nëpër të cilat do të kalojë zbatimi i ligjit deri në 1 korrik 2020 kur është afati zyrtar. Afati fillestar ishte parashikuar 1 janari, por biznesi kërkoi shtyrjen e tij. Fillimisht afati i ri ishte 1 prilli ndërsa tashmë është caktuar 1 korriku.
Ministrja e Financave, Anila Denaj informoi pak ditë më parë se procesi i Fiskalizimit do të realizohet në disa faza, ku faza e parë prek transaksionet me para në dorë Biznes-Konsumator dhe parashikohet të nisë zbatimin në datën 1 korrik 2020.
“Duke qënë se operatorët e përfshirë në këtë fazë do të jenë rreth 80 mijë biznese të cilët do të kalojnë nga sistemi aktual i kasave te projekti i fiskalizimit, u gjykua se një periudhë tranzitore prej 6 muaj do të ishte mëse e mjaftueshme për të lehtësuar tranzicionin. Për këtë arsye nga 1 janar 2020 deri në fund Qershori 2020, bizneset do të kenë mundësi të përdorin njërin nga sistemet. Prej datës 1 korrik 2020, të gjithë bizneset detyrimisht duhet të zbatojnë ligjin e fiskalizimit dhe dispozitat e tij”, sqaroi Denaj.
Faza e dytë e Fiskalizimit prek transaksionet pa para në dorë Biznes – Qeveri dhe do të fillojë nga data 1 janar 2021;
Faza e tretë prek transaksionet pa para në dore Biznes –Biznes dhe do të fillojë të zbatohet nga data 1 korrik 2021, ku monitorimi i pagesave të këtyre transaksioneve do të realizohet nëpërmjet sistemit bankar;
Faza e katërt përfshin ngritjen e regjistrit të aseteve të biznesit dhe do të fillojë zbatimin gjatë vitit 2020.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.