Bizneset kanë afat deri në 10 tetor të dorëzojnë bilancet, nëse kanë marrë numër aplikimi

06/09/2020 11:00 PM 0 komente

Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) ka bërë të ditur se, bizneset që nuk kanë arritur të dorëzojnë pasqyrat financiare të vitit 2019, kanë afat deri më 10 tetor ta bëjnë këtë, nëse ata e kanë marrë një numër aplikimi deri më 3 gusht, kur ishte dhe afati i fundit për dorëzimin e bilanceve.

Në një njoftim zyrtar, QKB njofton se “subjektet, të cilat kanë aplikuar online për depozitimin e pasqyrave financiare në regjistrin tregtar, nëpërmjet portalit e-albania deri në datën 03.08.2020 dhe rezultojnë se aplikimi i tyre ka marrë një numër aplikimi (CN…), si dhe i është komunikuar me e-mail nga sistemi për mosvalidimin e pasqyrave financiare në momentin që është tentuar të bëhet dorëzimi brenda datës së përcaktuar nga ligji, por për shkak të fluksit të madh të aplikimeve në të njëjtën kohë, është bërë i pamundur plotësimi dhe dërgimi në mënyrën e duhur të tyre brenda datës 03.08.2020, lutemi që të depozitojnë pasqyrat financiare në bazë të kriterit të më sipër, deri më datë 10.10.2020”.

 

Bizneset dorëzuan 19.1 mijë bilance këtë vit

Më herët, QKB njoftoi se 19.1 mijë biznese kanë dorëzuar bilancin e vitit 2019 online në Qendrën Kombëtare të Biznesit nga 6 janari deri më 3 gusht të këtij viti. Nga këto, 17.6 mijë janë miratuar, dhe 1,535 u refuzuan, ose rreth 8% e totalit të bilanceve të dorëzuara.

Gjithsej janë rreth 20 mijë subjekte që kanë detyrimin për të dorëzuar bilancin.

“Për periudhën 6 janar – 3 gusht 2020, u depozituan online nëpërmjet portalit e-Albania 19,127 bilance nga biznese me administratorë shqiptar. U aprovuan 17,592 bilance. U refuzuan 1,535 bilance, kryesisht për parregullsi dokumentacioni. Numri i bilanceve te depozituara nëpërmjet portalit e-Albania, shënon një tjetër sukses të aplikimeve online”, thuhej në njoftimin e publikuar nga QKB.

Si gjithnjë, një pjesë e madhe e subjekteve e lënë dorëzimin për ditët e fundit, gjë që shkaktoi ngarkesë në sistem gjatë javës së fundit. Deri në datën 24 korrik ishin dorëzuar 12.6 mijë bilance dhe në javën e fundit aplikuan rreth 6 mijë biznese, sipas të dhënave të mëparshme nga QKB. Kjo bëri që ditët e fundit, sistemi të kishte shumë ngarkesë, duke shkaktuar probleme te subjektet për dorëzimin e pasqyrave financiare. Tashmë, këto subjekte kanë mundësi që deri më 10 tetor të përfundojnë aplikimin.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of