Bizneset kërkojnë shtyrjen e fiskalizimit, përndryshe kostot do jenë të mëdha

06/09/2019 10:09 PM 0 komente

Tashmë ka filluar numërimi mbrapsht për 1 janarin 2020, i cili është afati i përcaktuar “për të marrë jetë” procesi i fiskalizimit. Konsultimet në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë nuk kanë përfunduar ende, ndërsa pikëpyetjet e biznesit në lidhje me procesin nuk po marrin dot përgjigje shteruese nga ekspertët e Financave. Koha e mbetur në dispozicion, sipas palëve të interesit, nuk premton që ky proces të vihet në jetë në afatin e përcaktuar, ndërsa Ministria e përjashton mundësinë që ky proces të shtyhet. Testimi i sistemit është ende diçka e paqartë, ndërsa vetë bizneset kërkojnë që fillimisht të implementohet një projekt pilot.

 

Nga Ledina Loga

 

Në javët e fundit, korridoret e Ministrisë së Financave po gumëzhijnë nga prania e shtuar e njerëzve, që nuk punojnë në atë institucion, por që e gjithë puna e tyre varet nga vendimmarrjet e rëndësishme që dalin prej tij. Që prej datës 31 korrik, Ministria ka nisur konsultimet me grupet e interesit për projektligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit”, ndërsa së fundmi, ministrja Denaj njoftoi edhe shtyrjen e tyre deri në mesin e muajit shtator. Pas ekspertëve të IT-së, kontabilistëve dhe audituesve, bizneset, bankat, ofruesit e shërbimit të internetit dhe AKEP-it kanë dhënë komentet e tyre mbi projektligjin.

Në sinkron, të gjitha palët bashkohen në pikën që fiskalizimi do të shërbejë për adresimin e problemit të informalitetit në këtë sektor, por koha e shkurtër e vënë në dispozicion dhe “radha e punëve” që është përcaktuar për implementimin e tij, nuk premton shumë. Procesi pritet të nisë fillimisht nga monitorimi i transaksioneve me para në dorë, pra B2C, në janar 2020.

Një vit më vonë do të fillojë zbatimi midis transaksioneve midis biznesit dhe qeverisë, ndërsa në fund në muajin korrik të vitit 2021, do të zbatohet për transaksionet midis bizneseve. Palët e interesit kanë shprehur mendimin se do të ishte më mirë që ky proces të niste së pari nga bizneset e mëdha, të cilat kanë kapacitete më të larta si nga ana e burimeve njerëzore, në njohuri, por edhe në të ardhura. Një nga propozimet e tyre ka qenë edhe implementimi fillimisht i një projekti pilot, i cili do të nxirrte në pah më mirë çka nuk funksionon në sistemin.

Edhe pse njëzëri bien dakord dhe është në interesin e tyre që procesi i fiskalizimit të ndodhë, biznesi ende nuk po merr përgjigje për të gjitha pikëpyetjet në lidhje me sistemin, që nga mënyra e funksionimit dhe deri te kostot ekstra që duhet të përballet ai. Bizneset janë ende të paqarta nëse pajisjet aktuale janë të përshtatshme me sistemin e ri.

Ndonëse Ministria mbështet teorinë e përshtatjes së tyre, ekspertë të fushës thonë se është e pamundur që pajisjet ekzistuese t’u përgjigjen kërkesave të reja të sistemit, i cili kërkon raportim në kohë reale të të gjitha transaksioneve. Për më tepër që transmetimi i të dhënave është një ndërveprim dypalësh, ku biznesi njofton për veprimin që do të kryejë dhe Tatimet e miratojnë atë duke çuar një kod unik. Për bizneset, mënyra e funksionimit të këtij sistemi do të jetë shumë e vështirë për t’u realizuar në shumë zona në vend. Sistemi ende le të paqartë mënyrën se si do të operohet edhe në raste të shpeshta që has biznesi, si për shembull parapagimi apo shkëmbimet me klering, të cilat zbatohen masivisht në shumë sektorë.

Transmetimi në kohë reale i të dhënave kërkon që bizneset të jenë të pajisura në mënyrë të vazhdueshme me internet. Vetë AKEP deklaroi gjatë mbledhjes me Ministrinë që jo i gjithë territori është i mbuluar. Vetëm 92% e territorit është i mbuluar nga rrjeti 3G, ndërsa 57% e territorit mbulohet nga rrjeti 4G.

Por, sipas ekspertëve të sektorit, më problematike se vetë mbulimi me rrjet, është sigurimi 24 orë me shërbim. Në zonat e thella ende vijon të jetë problem ndërprerja e energjisë elektrike. Sipas operatorëve, në dimër ndërprerjet dhe defektet janë më të shpeshta.
Në mjaft zona jo urbane, sipas përfaqësuesve të biznesit, do të sillte problematikë në zbatim si rrjedhojë e mundësive reale të infrastrukturës së shërbimit të internetit në këto zona dhe të cilat janë jashtë kontrollit të bizneseve. Ata shtojnë se në shumë zona rurale mund të ketë ofrues të internetit por cilësia e ofruar e internetit nuk plotëson kriteret bazë për një komunikim të qëndrueshëm).

 

Shqetësimet e hotelierëve mbi sistemin, problem kryesor afati i shkurtër

Me ligjin e ri të Fiskalizimit, që mendohet të fillojë në janar 2020 dhe të hyjë plotësisht në fuqi në vitin 2021, bizneset do të lëshojnë fatura elektronike, të cilat do të regjistrohen në kohë reale nga organet tatimore nëpërmjet internetit. Për shitjet cash, mendohet të jenë faturat elektronike, që do të zëvendësojnë kuponin tatimor. Platforma elektronike e faturave do të mundësojë kryqëzimin e informacionit dhe ndjekjen e rrugës së produktit, nga prodhuesi (hoteli, bujtina, restoranti, etj.), deri te konsumatori final.

Zak Topuzi, nga Shoqata e Hotelerisë, tha për “Monitor”: “Si shoqatë janë dhe kanë qenë gjithmonë të gatshëm të mbështesin formalizimin e tregut të akomodimit dhe standardizimin e tij”. Por, shoqata ka disa rezerva në lidhje me sistemin e ri fiskal. Më poshtë ata kanë artikuluar shqetësimet në lidhje me sistemin dhe veçoritë e sektorit, të cilat i kanë parashtruar edhe gjatë konsultimeve me Ministrinë.

Hotelet e mëdha dhe të mesëm, pothuajse e përdorin këtë sistem nëpërmjet programeve të avancuara të menaxhimit të cilat janë të lidhura me kasat fiskale online, por sistemi i kasave fiskale të sotme nuk e suportonte transmetimin e të dhënave në kohë reale.
Disa nga shqetësimet e sektorit hotelier për implementimin e këtij sistemi u paraqitën në takim, e shkurtimisht janë:

1-Afat i shkurtër i konsulencës për një ndërhyrje rrënjësore në sistemin fiskal dhe koha e papërshtatshme (muaji gusht) kur sektori i industrisë turistike, për vetë natyrën e punës është në ngarkesën maksimale. Propozuam që konsultimet duhet të shtyhen deri në shtator.

2-A do të ketë mundësi praktike të suportohet në një kohë kaq të shkurtër sistemi i ri tatimor, kur niveli i përdoruesve është mjaft i ulët në drejtim të njohjes së programeve, por dhe njohurive ligjore e financiare? Të kuptohemi që numrin më të madh në biznesin e akomodimit e përbëjnë biznesi i vogël me hotele të vogla, bujtina, vila apo apartamente. Në këto raste, administratori apo menaxheri është vetë pronari, ose thjesht i zoti i shtëpisë. Propozuam që ndërhyrje kaq radikale të kapin një periudhë deri 4-vjeçare, praktikë e ndjekur në vendet e BE-së.

3-Janë ndryshuar tre herë kasat fiskale. Kërkuam që Biznesi i vogël, të përjashtohet nga kostot shtesë të ndërrimit të sistemit. Vetë kompanitë e furnizimit të kasave ekzistuese të marrin përsipër përmirësimin e softuerëve të pajisjeve ekzistuese.

4- Sistemi i menaxhimit të hoteleve të mesme dhe të mëdha, ai shqiptar, por dhe i huaj (OPERA, SOFTMOGUL, etj.) janë programe të avancuara që punojnë të lidhur në sistem me kasat fiskale. Janë kasat ekzistuese që nuk suportojnë këto operacione si p.sh.: fatura pending (e hapur) që bën të mundur kontrollin në çdo moment të operacioneve financiare dhe konkludon në fund me një faturë përmbledhëse në momentin e pagesës dhe lënien e gjurmës të çdo veprimi që në hapjen e kësaj fature. Firma që ka marrë përsipër implementimin e programit të ri Fiskal, duhet të marrë përsipër lidhjen e sistemit të ri me programet e menaxhimit të hoteleve me kostot e saj.

5 – “Gjendja në arkë në sasi të limituar” përbën problem për industrinë turistike, pasi largimet e klientëve mund të ndodhin në çdo orë të ditës apo natës dhe të paparashikuara, ndërkohë që bankat, mbyllin veprimet pas orës 14:00 – 15:00. Të lihet opsioni i derdhjes së cash-it brenda 24-orësh.

6- Operacionet financiare me sistemin e ri do të duhen të kryhen online, kur shitësi dhe blerësi (në rastin tonë klienti hotelit) të pranojnë veprimin. Në rastin kur nuk punon interneti apo në zonat e thella që mungon energjia, operacioni nuk mund të kryhet. Është e pamundur që për shkak të problemeve në sistem, klienti të mos ketë mundësi të paguajë dhe të largohet, pasi duhet të kapë avionin, etj. Kërkojmë parashikimin në ligj.

7-Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve duhet të fshijë nga sistemi bizneset me “Status Pasiv”. Nuk ka pse të penalizohen bizneset që kryejnë transaksione online kur sistemi i faturimit pranon blerësin dhe konfirmon veprimin.

 

Implementimi të shtyhet në vitin 2021, projekt pilot në Tiranë

Për Arben Shkodrën, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, procesi i dixhitalizimit të ekonomisë është i pashmangshëm. Megjithatë, për prodhuesit, zbatimi duhet të shtyhet në janar të 2021, pasi ekonomia shqiptare nuk është gati t’i përgjigjet menjëherë këtij procesi, për shkak të shumë faktorëve, që duhen rregulluar. Ata propozojnë që fillimisht të nisë një projekt pilot në Tiranë.

 

Flet Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë

 

Përpara se të paraqes shqetësimet tona si Bashkimi i Prodhuesve, dua të bëj një parantezë: Ekonomia shqiptare “nuk i shpëton” dot dixhitalizimit, pasi është një proces që do të ndodhë shumë shpejt edhe në Bashkimin Europian, në vitin 2021, ku do të fillojë të implementohet teknologjia 5G, e cila është 10-fish më e shpejtë se sistemi aktual.

Interneti do të jetë sërish vektori, por për ne do të ndryshojë mënyra e të bërit biznes, do të ndryshojë qasja ndaj aktorëve të tjerë të ndërmjetëm siç janë: bankat, shoqëritë e sigurimeve, ofruesit e shërbimeve etj. Gjithashtu do të ketë zhvillime të reja në mënyrën e menaxhimit të një biznesi dhe mënyrën e zgjidhjes së problemeve.

Ky revolucion dixhital, që në gjuhën ekonomike quhet “Revolucioni i Katërt Industrial” ose “Industria 4.0”, do të ndryshojë në mënyrë të pakthyeshme fizionominë e ekonomisë botërore dhe si pasojë, edhe të ekonomisë shqiptare.
Për t’ju kthyer pyetjes suaj, në lidhje me nismën e fundit të Qeverisë për dixhitalizimin e sistemit fiskal, qasja në këtë moment paraqet disa rreziqe, të cilat janë kthyer në shqetësime për sipërmarrjen. Ky proces përbëhet më së shumti nga tre aktorë:

Aktori i parë është qeveria (shteti), i cili ka për detyrë: së pari – të hartojë strategjinë e inovacionit dhe të krijojë një axhendë dixhitale, së dyti – të investojë fondet publike në ndërtimin e një infrastrukture serioze që mundëson zbatimin e kësaj strategjie dhe axhendë dixhitale dhe, së treti – të edukojë dhe trajnojë administratën publike për t’u qasur sa më mirë dhe denjësisht në këtë proces sfidues. Menjëherë na vijnë ndër mend disa pyetje:

A kemi sot një indeks kombëtar për sa i përket nivelit të futjes së teknologjisë së informacionit? Sa është buxheti i planifikuar për çdo njësi shpenzuese në shtetin shqiptar për dixhitalizimin dhe inovacionin? Cili është pozicionimi në indeksin global për inovacionin? A është e harmonizuar infrastruktura aktuale publike me atë private? Cilat janë kapacitetet aktuale të kësaj infrastrukture? Në ç’nivel është mbulimi me internet në shkallë vendi dhe çfarë cilësie ka ky produkt në Shqipëri? Sa është shkalla e njohurive të administratës sonë publike në lidhje me këtë proces?

Të dytët janë aktorët ndërmjetës, ku përfshihen shoqëritë e telekomunikimit, shoqëritë e IT dhe të ofrimit të shërbimeve që do të integrohen në këtë proces, bankat e nivelit të dytë etj. Në këtë rast, nuk kemi një pamje të qartë nëse këta aktorë janë të përgatitur për një proces të tillë dhe nëse janë gati, me të gjithë infrastrukturën e nevojshme, për t’u përballur me fazën e implementimit. Në dijeninë tonë, për të garantuar një funksionim të përkryer të procesit, këta aktorë duhet të kryejnë një sërë investimesh jo pak të vogla, duke marrë në konsideratë që shpenzimi fillestar për qeverinë shqiptare për ndërtimin e një platforme ka qenë rreth 15 milionë euro.

Aktori i tretë është sipërmarrja shqiptare e cila, së pari, nuk është marrë në konsultim nga shoqëria që ka ndërtuar platformën. Siç e dimë fizionomia e ekonomisë sonë dhe profilet e sipërmarrjeve paraqesin problematikat e veta, bazuar në sektorët ku kryejnë aktivitet. Qasja në ekonominë kombëtare të një sipërmarrje që ka si aktivitet bazë grumbullimin, riciklimin dhe prodhimin, nuk është e njëjtë me një sipërmarrje që importon dhe tregton, ose me një sipërmarrje që ofron shërbime turizmi apo ndërtime. Duke marrë parasysh këtë element duhet pasur kujdes jo vetëm në hartimin e një strategjie apo legjislacioni por, mbi të gjitha, të platformave software të cilat kryejnë më pas në mënyrë automatike jo vetëm monitorimin, por edhe ofrimin e shërbimeve online. Gjithashtu nuk kemi pasur kohë të mjaftueshme për konsultim, pasi në gusht, jo vetëm sipërmarrja por edhe ekspertët konsulentë qe duhet të punojnë, kanë qenë me pushime.

 

Disa nga shqetësimet e para si sipërmarrje prodhuese:

Ne po shkojmë drejt dixhitalizimit të proceseve që më parë bëheshin fizikisht, por nuk kemi shembuj konkretë, p.sh. si do të funksionojë faturimi nga magazina e një sipërmarrje deri te konsumatori final, duke marrë parasysh të gjithë hallkat e procesit dhe problematikat e tregut.

Si do të funksionojë faturimi elektronik në rastin e importit dhe eksportit. Si do të funksionojë procedura e korrigjimeve dhe stornimeve.Një problem mjaft i madh paraqitet te përcaktimet e gjendjes ditore të arkës, pasi vlerat e propozuara në projektligj nuk përputhen me disa sektorë apo sipërmarrje specifike.
Si do të funksionojë një transaksion në zonat ku dukshëm dhe vazhdueshëm nuk ka mbulim me internet.

 

Propozimet tona:

Duhet të fillojnë menjëherë informimi dhe komunikimi me sipërmarrjen sipas sektorëve të veçantë, duke organizuar workshop-e. Kjo do të sillte një informacion shtesë jo vetëm për ndërtuesit e platformës por edhe për hartuesit e projektligjit, me qëllim që të bëhen korrigjimet e nevojshme.

Duhet të shtyhet implementimi i këtij sistemi në shkallë kombëtare deri në vitin 2021, duke bërë projekt pilot vetëm për Tiranën, e cila është rreth 1/3 e sipërmarrjes, ku infrastruktura nuk paraqet shumë probleme dhe cilësia e internetit është e kënaqshme. Gjatë këtij viti testimi duhet të mos aplikohen gjoba, por të evidentohen problemet dhe të parashikohen zgjidhjet.

 

Kostot ekstra me të cilat do të përballet biznesi

• ndryshimi i sistemi i POS-eve
• vendosja e programeve të reja
• mirëmbajtja e sistemit
• 40 euro për firmën dixhitale
• kostot e trajnimit të stafit

 

Flet zv.ministri i Financave: Procesi nuk shtyhet, implementimi më 1 janar 2020

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of