Bizneset kundër liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë

30/03/2021 3:00 PM 0 komente

Deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës me përfaqësues të bizneseve kanë diskutuar për daljen në treg të hapur të energjisë për bizneset.

Bizneset paralajmëruar se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike do të sjellë shtrenjtim të çmimeve, duke kërkuar rishqyrtim të bazës ligjore.

Bizneset e Kosovës kanë paralajmëruar se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike do të sjellë rritje të çmimit të produkteve dhe shtrenjtim të çmimeve dhe të jetës.

Bizneset kanë kërkuar rishqyrtim të bazës ligjore të liberalizimit të këtij tregu.

Në një diskutim mes përfaqësuesve të biznesit dhe deputetëve, Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës ka thënë se është viti i tretë me radhë që diskutohet për një sfidë që po u paraqitet bizneseve.

“Kosova ka miratuar një pako ligjore e cila i ka hapur rrugë liberalizimit të tregut të energjisë. Kur është miratuar kjo pako është proklamuar si rritje e integrimit të Kosovës në proceset e tregut të energjisë dhe integrimit në Evropë. Barrën për implementimin e kësaj pakoje, që quhet pakoja e tretë, e ka pasur rregullatori dhe e ka. Është viti i tretë me radhë që i ka njoftuar një pjesë të kompanive që duhet të nënshkruajnë kontrata me furnizues të energjisë që aktualisht janë në treg dhe të marrin një çmim që është i derregulluar. Atëherë me përkrahjen e parlamentit, Komisioni Funksional i është drejtuar me letër rregullatorit i cili ka marrë vendim ta shtyjë. Tash, situata është më e komplikuar. Numri i kompanive që duhet të dalin në tregun e derregulluar tash është më i madh dhe dëmi është më i madh për to. Këto kompani të mëdha janë taksapaguesit më të mëdhenj të shtetit. Rritja e këtij çmimi ndikon në rritjen e çmimit të produkteve e që kjo ndikon në shtrenjtimin e çmimeve dhe jetës në Kosovë. Çmimi i derregulluar në çdo rrethanë do të jetë më i shtrenjtë se çmimi i rregulluar. Liberalizimi implikon dy çështje për bizneset: rritje të çmimeve për konsumatorët dhe humbje të tregut”, ka thënë Rukiqi.

Pas dëgjimit të ankesave nga ana e komunitetit të biznesit, deputetja nga radhët e VV-së, Mimoza Kusari-Lila theksoi se në situatën aktuale janë paradokset të cilat veç u përmenden, megjithatë ajo shtoi se të hënën kanë pasur një takim me drejtues të ZRRE-së për mundësinë e thirrjes të një seance të veçantë në Kuvend për të bërë një ndalesë afatshkurtër në liberalizmin e tregut të energjisë.

Në anën tjetër, Astrit Panxha nga Klubi i Prodhuesve ka kërkuar që të ketë shqyrtim të komplet bazës ligjore.

“Bizneset nuk janë gati për liberalizim të tregut. Mënyra e liberalizimit është dizajnuar në mënyrë të gabuar. Unë e kuptoj pozicionin e ZRRE-së, por në këtë rast po cenohet interesi publik sepse po cenohen vendet e punës. Jo vetëm shtyrje po duhet të shqyrtohet komplet baza ligjore e këtij liberalizimi. Kemi gabuar në hapa dhe duhet ta rishikojmë bazën ligjore”, ka thënë ai.

Ndërsa, deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Besian Mustafa tha se duhet analizuar plotësim ndryshim i legjislacionit në fuqi që tregu i lirë të ketë çmime të lira.

Kurse, deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri janë kundër çdo rritje të energjisë elektrike për sektorin privat.

“Pra, nuk jemi që të kemi kolaps në sektorin privat. Duhet një zgjidhje. Si grup parlamentar jemi kundër hapjes së tregut që është në dëm të bizneseve sidomos në kohë pandemie”, theksoi ai.

Nga 1 prilli parashihet kalimi i bizneseve në tregun e hapur të energjisë elektrike, të cilin sistem po e kundërshtojnë bizneset.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of