Bizneset në “kërkim” të pronarëve; Si veprohet kur kompanitë janë listuar në bursa, cili është pronar përfitues në OJF

08/03/2021 11:01 PM 0 komente

Brenda datës 31 mars, subjektet tregtare (personat juridikë) dhe OJF-të duhet të bëjnë regjistrimin e pronarit/ët përfitues në Regjistrin e Pronarëve Përfitues (RPP).

Detyrimin për të bërë këtë deklarim e kanë edhe gjithë subjektet apo organizatat jofitimprurëse, që janë në status pasiv dhe përjashtohen vetëm subjektet e çregjistruara.

Lexo edhe këtë: Kujdes! Edhe subjektet dhe OJF-të me status pasiv duhet të deklarojnë pronarët, ose gjobë 4 mijë euro

Objekt i deklarimit nuk janë vetëm personat fizikë.

Regjistrimi bëhet me aplikim nga personi i autorizuar (përfaqësuesi ligjor) për të përfaqësuar subjektin përkatës, nëpërmjet shërbimit “regjistrim i pronarit përfitues”, në portalin e-albania. https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=14519

Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) bën të ditur se në total janë rreth 55 000 subjekte (subjekte tregtare dhe OJF), të cilët kanë detyrimin e regjistrimit të pronarit përfitues. Gjoba e parashikuar në rast të mos aplikimit është 500 mijë lekë (rreth 4 mijë euro).

Por, ky proces po has vështirësi të shumta, që nga funksionimi i platformës deri te paqartësitë teknike për pronarin përfitues të OJF-së, koha e nevojshme për sigurimin e dokumentacionit për investitorët e huaj, identifikimin e kompanive të huaja që janë listuar në bursa të ndryshme, por dhe kompani që pronari përfitues nuk është një person fizik, por një shtet i huaj.

Për këtë arsye Komuniteti i biznesit në vend, përfaqësuar nga 11 Dhoma Tregtie dhe Shoqata Biznesi, kryesisht të huaja, pak ditë më parë i ka dërguar një shkresë ministres së Financave, Anila Denaj, dy komisioneve parlamentare dhe për dijeni kryeministrit Edi Rama, ku kërkon shtyrjen e afatit për deklarimin e të dhënave të pronarëve përfitues deri në 30 qershor.

Lexo edhe këtë: Shoqatat e biznesit, letër Denajt dhe Ramës: Të shtyhet afati për regjistrin e pronarëve përfitues

Ndërkohë, Dhoma Amerikane e Shqipërisë ka publikuar për anëtarët e saj një material, ku sqarohen disa nga pikëpyetjet dhe paqartësitë e anëtarëve të saj, që lidhen kryesisht me OJF-të dhe identifikimin e pronarëve në kompanitë e huaja të listuara në bursë.

IDENFIFIKIMI I PRONARËVE TË KOMPANIVE TË HUAJA

Përfaqësuesit e bizneseve të huaja kanë më shumë paqartësi lidhur me identifikimin e pronarit përfitues për shkak se shoqëria mëmë mund të jetë e listua në bursë, mund të jetë e regjistruar në Holandë, mund të jetë offshore, apo ka disa hallka pronësie.

Disa nga pyetjet që u drejtuan QKB-së nga anëtarët e Dhomës ishin:

Ne rastet e Sh.a-ve të listuara në burse, të cilat janë të përjashtuara nga detyrimi për deklarim UBO në BE, si veprohet?

-QKB: Referuar Ligjit nr. 112/2020, detyrimin ligjor të raportimit të pronarit përfitues e ka çdo subjekt i përcaktuar në nenin 2 të tij. Për identifikimin e pronarit përfitues të tyre, në rastin e pronësisë indirekte, duhet të ndiqen dispozitat e ligjit dhe të VKM-së nr. 1088, datë 24.12.2020.

Po në rastin e kompanive të krijuara në Holandë, ku ekstrakti nga NRC e tyre nuk ka informacion mbi aksionerët (shareholders) si do të bëhet deklarimi i shareholders?

-QKB sqaron: Për depozitimin e dokumentacionit shoqërues, të referohet në VKM nr. 1088/2020, subjektet duhet të ngarkojnë dokumentacionin e autoritetit kompetent regjistrues, që vërteton se pronari përfitues i regjistruar është zotërues i 25% ose më tepër të aksioneve/kuotave të kapitalit; ose të të drejtave të votimit ose dokumentacion tjetër që përmban informacionin e nevojshëm për identifikimin dhe regjistrimin e pronarit përfitues.

Nëse subjektet juridike te huaja i shfaqin pronarët në dokumente që nuk apostilohen, pranohen nga QKB?

-QKB: Aplikimi lidhur me pronarin përfitues dhe dokumentacioni shoqërues duhet të jetë sipas VKM nr. 1088/2020, në të cilën përcaktohet forma e kërkuar. Nëpunësi i autorizuar verifikon dokumentacionin e kërkuar referuar kërkesave të përcaktuara në VKM, pjesë e së cilave është dhe depozitimi i dokumentacionit në formën e kërkuar sipas ligjit, mungesa e konstatimit të të cilave, përbën shkak për refuzimin e aplikimit.

Në rastin e pronarit përfitues të huaj, kur hallkat e pronësisë janë disa, si do veprohet për identifikimin e pronarit final? Po nëse pronësia e huaj është një shoqëri anonime (Zvicer e zëmë) dhe ata nuk japin informacion mbi pronësinë ose nuk i jep një organizëm si psh Regjistri Tregtar i yni?

-QKB: Në rast se pronësia përfituese, shfaqet me anë të pronësisë indirekte, lutemi të referoheni në Ligj dhe VKM nr. 1088/2020, për identifikimin dhe regjistrimin e pronarit përfitues dhe ngarkimin e dokumentacionit të nevojshëm shoqërues, që vërteton të dhënat e regjistruara mbi pronarin përfitues. Konkretisht, sjellim në vëmendje se, në VKM nr. 1088/2020, përcaktohet se, si dokumentacion shoqërues mund të ngarkoni Dokumentacionin e autoritetit kompetent regjistrues, që vërteton se pronari përfitues i regjistruar është zotërues i 25% ose më tepër të aksioneve/kuotave të kapitalit; ose të të drejtave të votimit ose dokumentacion tjetër që përmban informacionin e nevojshëm për identifikimin dhe regjistrimin e pronarit përfitues.

Shoqëria është europiane dhe e listuar ne burse. Si do ti përcaktojmë në këtë rast pronarin e fundit përfitues, i cili ndryshon në varësi të shit-blerjeve të kuotave në bursë?

-QKB: Çdo subjekt raportues (pa bërë dallimin ë i listuar apo jo në bursë), ka detyrimin ligjor të raportimit të pronarit përfitues. Lutemi për identifikimin dhe regjistrimin e pronarit përfitues dhe depozitimin e dokumentacionit shoqërues, të referoheni në VKM nr. 1088, datë 24.12.2020, të cilën e gjeni të publikuar në faqen zyrtare të QKB-së.

Nëse pronari përfitues ndodhet jashtë Shqipërisë dhe dokumentacioni që kërkohet duhet të legalizohet, a mund të bëhet regjistrimi fillimisht me dokumentacion elektronik /soft copy duke marrë parasysh edhe mbylljen si pasojë e Covid që është aktualisht në shumë shtete të Europës.

-QKB: Aplikimi lidhur me pronarin përfitues dhe dokumentacioni shoqërues duhet të jetë sipas VKM nr. 1088/2020, në të cilën përcaktohet forma e kërkuar. Nëpunësi i autorizuar verifikon dokumentacionin e kërkuar referuar kërkesave të përcaktuara në VKM, pjesë e së cilave është dhe depozitimi i dokumentacionit në formën e kërkuar sipas ligjit, mungesa e konstatimit të të cilave, përbën shkak për refuzimin e aplikimit.

Një shpjegim për rastet e listuara në burse dhe rastet kur maksimumi i aksioneve të pronarit fundor është më pka sesa 25%?

-QKB: Në bazë të Ligjit Nr. 112/2020, të gjitha personat juridikë të regjistruar në Republikën e Shqipërisë duhet të regjistrojnë pronarin e tyre përfitues në regjistër. Gjithashtu, bazuar në VKM Nr. 1088/2020, Në rast se pas shterimit të të gjitha mjeteve të mundshme për identifikimin e pronarit përfitues dhe nëse nuk ka arsye për dyshime, subjektet raportuese nuk arrijnë të identifikojnë si pronar përfitues individin, i cili ka në pronësi ose kontrollon i fundit një person juridik, përmes pronësisë direkte ose indirekte të 25 (njëzet e pesë) % ose më tepër të aksioneve/kuotave të kapitalit ose të interesave të pronësisë në një subjekt raportues, sipas përcaktimeve të ligjit për regjistrin e pronarëve përfitues, atëherë subjektet raportuese duhet të identifikojnë e të regjistrojnë në Regjistrin e Pronarëve Përfitues, si pronar përfitues, individin që: i. përcakton vendimet e marra nga një person juridik; ii. kontrollon në çdo lloj mënyre zgjedhjen, emërimin dhe largimin e shumicës së organeve vendimmarrëse dhe/ose organeve ekzekutive të personit juridik. Në këtë rast, subjektet raportuese duhet të mbajnë dokumentacionin që arsyeton dhe vërteton veprimet e ndërmarra për të identifikuar pronarin përfitues, sipas përcaktimeve të ligjit për regjistrin e pronarëve përfitues.

Po personi 5, nuk zotëron 25% +1 te aksioneve.

-QKB: në VKM nr. 1088/2020, është parashikuar rasti kur pas shterrimit të të gjitha mjeteve të mundshme për identifikimin e pronarit përfitues dhe nëse nuk ka arsye për dyshime, subjektet raportuese nuk arrijnë të identifikojnë si pronar përfitues individin i cili ka në pronësi ose kontrollon i fundit një person juridik, përmes pronësisë direkte ose indirekte të 25% ose më tepër të aksioneve/kuotave të kapitalit ose të interesave të pronësisë në një subjekt raportues sipas përcaktimeve të ligjit “Për regjistrin e pronarëve përfitues”. Në këtë rast, në VKM është përcaktuar dhe dokumentacioni i nevojshëm shoqërues që vërteton veprimet e ndërmarra nga përfaqësuesi ligjor si dhe aktet që depozitohen për vërtetimin të dhënave përkatëse mbi pronarin përfitues të regjistruar në këtë rast.

Një shoqëri shqiptare me ortakë të huaj kush do ta bëjë aplikimin ortaku apo administratori i shoqërisë?

-QKB: Për cdo lloj subjekti, aplikimi kryhet nga personi i autorizuar për të përfaqësuar subjektit raportues.

Për subjektet e pezulluara është detyrim Raportimi në Regjistrin e Pronareve Përfitues?

-QKB: Bazuar në Ligjin Nr. 112/2020, të gjitha përsonat juridikë të regjistruar në regjistrin tregtar, pavarësisht statusit të tyre (aktiv ose pezulluar) duhet të regjistrojnë pronarin e tyre përfitues së Regjistrin e Pronarëve Përfitues.

Po Zyrat e Përfaqësisë, çfarë dokumentacioni duhet të dorëzojnë?

– Për dokumentacionin e kërkuar për regjistrimin e pronarit përfitues të subjekteve raportuese, lutemi të referoheni në Ligjin Nr. 112/2020 dhe VKM Nr. 1088, datë 24/12/2020, “Për përcaktimin e mënyrës dhe të procedurave të regjistrimit e publikimit të të dhënave për pronarët përfitues, si dhe të njoftimit nga autoritetet shtetërore kompetente e nga subjektet e detyruara”

PAQARTËSITË ME OJF-TË

Detyrimi i deklarimit të pronarëve përfitues për Organizatat Jo Fitim prurëse (OJF) ka shkaktuar gjithashtu shumë paqartësi lidhur me faktin se cili do të deklarohet pronar i OJF-së dhe mënyrën e llogaritjes së përqindjes së pronësisë direkte. OJF-të funksionojnë në pjesën më të madhe si qendra, që kanë një bord drejtues, drejtor ekzekutiv dhe organet më të larta vendimmarrëse. Ajo, që ëhstë e paqartë në këtë rast është përcaktimi si pronësi direkte apo indirekte.

Një nga pyetjet e drejtuara QKB-së ishte:

Si llogaritet pronësia direkte e 25% në një organizatë jofitimprurese kur me statut, mund të bëjë zgjedhje për drejtues organizate psh një herë në 2 vite, 3 apo 4 vite?

-QKB sqaron se pronar përfitues i organizatave jofitimprurëse, ku përfshihen fondacionet, shoqatat, qendrat, si dhe degët e organizatave jofitimprurëse, është:

  1. Themeluesi ose
  2. përfaqësuesi ligjor ose
  3. individi që ushtron kontrollin e fundit efektiv në administrimin dhe kontrollin e organizatave jofitimprurëse. Kontroll i fundit efektiv është marrëdhënia në të cilën një person:
  4. përcakton vendimet e marra nga organizata jofitimprurëse;
  5. kontrollon në çdo lloj mënyre zgjedhjen, emërimin dhe largimin e shumicës së organeve vendimmarrëse dhe/ose organeve ekzekutive të organizatës jofitimprurëse

Përfaqësuesi ligjor mund të konsiderohet drejtori ekzekutiv në një OJF?

-QKB sqaron se: Sipas legjislacionin në fuqi, përfaqësues ligjor është personi i autorizuar për të përfaqësuar subjektin.

Po një organizate që ka 5 anëtarë bordi me te drejte vote, pra me një përqindje nën 25% si do të veprohet?

-QKB: në VKM nr. 1088/2020, është parashikuar rasti kur pas shterimit të të gjitha mjeteve të mundshme për identifikimin e pronarit përfitues dhe nëse nuk ka arsye për dyshime, subjektet raportuese nuk arrijnë të identifikojnë si pronar përfitues individin i cili ka në pronësi ose kontrollon i fundit një person juridik, përmes pronësisë direkte ose indirekte të 25% ose më tepër të aksioneve/kuotave të kapitalit ose të interesave të pronësisë në një subjekt raportues sipas përcaktimeve të ligjit “Për regjistrin e pronarëve përfitues”. Në këtë rast, në VKM është përcaktuar dhe dokumentacioni i nevojshëm shoqërues që vërteton veprimet e ndërmarra nga përfaqësuesi ligjor si dhe aktet që depozitohen për vërtetimin të dhënave përkatëse mbi pronarin përfitues të regjistruar në këtë rast.

Çfarë nënkupton deklarata me shkrim e themeluesit të OJF-së ose presidentit, kur pozicioni i tij është i mirëpërcaktuar në statutin e vetë shoqatës?

-QKB: Referuar VKM nr. 1088/2020, deklarata me shkrim e përfaqësuesit ngarkohet në rast se pas shterimit të të gjitha mjeteve të mundshme për identifikimin e pronarit përfitues dhe nëse nuk ka arsye për dyshime, subjektet raportuese nuk arrijnë të identifikojnë si pronar përfitues individin i cili ka në pronësi ose kontrollon i fundit një person juridik, përmes pronësisë direkte ose indirekte të 25% ose më tepër të aksioneve/kuotave të kapitalit ose të interesave të pronësisë në një subjekt raportues sipas përcaktimeve të ligjit “Për regjistrin e pronarëve përfitues” . Pra, është një akt që nuk përcakton pozicionin e tij në subjektin raportues, por hapat që ai ndërmerr për identifikimin e pronarit përfitues si dhe arsyet e identifikimit të personit të regjistruar si pronar përfitues.

OJF është regjistruar me vendim gjykate, të gjithë anëtaret duhet të bëjnë deklarim si person më vete?

-QKB: Bazuar në Ligjin Nr. 112/2020, pronar përfitues është themeluesi ose përfaqësuesi ligjor ose individi që ushtron kontrollin e fundit efektiv në administrimin dhe kontrollin e organizatave jofitimprurëse, ku përfshihen fondacionet, shoqatat, qendrat, si dhe degët e organizatave jofitimprurëse. Kontroll i fundit efektiv është marrëdhënia në të cilën një person: a) përcakton vendimet e marra nga organizata jofitimprurëse; b) kontrollon në çdolloj mënyre zgjedhjen, emërimin dhe largimin e shumicës së organeve vendimmarrëse dhe/ose organeve ekzekutive të organizatës jofitimprurëse.

Edhe në kërkesën për shtyrje që shoqatat e biznesit i kanë dërguar Ministrisë së Financave, vihen në dukje problematika për identifikimin e pronarit përfitues te OJF-të.

“Ndryshe nga shoqëritë tregtare, të cilat janë të mirë rregulluara në formën e organizimit dhe definicionet e ligjit 112/2020 janë të njëjta për referencë, në rastin e organizatave Jo-Fitimprurëse dhe ligji bazë për OJF, kjo terminologji nuk gjen aplikim. OJF kanë liri organizimi i.e. përcaktimit të organeve të tyre drejtuese dhe vendimarrëse, përfaqësuesit ligjor i gjejmë të formave të ndryshme, Kryetar Asambleje, Kryetar Bordi, Drejtor Ekzekutiv apo Sekretar të Përgjithshëm. OJF janë me apo pa anëtarësi. Anëtaresia mund të jetë person (individ) apo person juridik. Duke qenë se në rastin e OJF kuptimi i pronarëve përfitues nuk gjen aplikim të drejtpërdrejtë, nuk është e qartë cilat do të jenë deklarimet që OJF sipas rastit, shoqatë (me apo pa anëtarësi) me anëtarësi subjekte juridike apo individë, fondacione e më tej sipas formës së organizimit. Nxjerrja e akteve nënligjore të parashikuara në Nenin 16 të Ligjit nr. 112/2020 është e nevojshme pasi nëpërmjet tyre, krahas të tjerave duhet të sqarohen pozitat e OJF”, thuhet në shkresë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of