Procedurat e tejzgjatura dhe vonesat në disbursimin e mjeteve nga Pako Emergjente Fiskale për biznese po rrezikojnë stabilitetin financiar dhe pamundësojnë rimëkëmbjen e kompanive të prekura nga COVID-19.
Rrjeti i Shitësve me Pakicë thotë se shpreh shqetësime lidhur me zbatimin e ngadalshëm të masave nga Pako Emergjente Fiskale që ndërlidhen me mbulimin e pagave të punonjësve dhe qirave për objekte.
“Rrjeti cilëson se këto ndihma të parapara përmes kësaj Pako janë esenciale për të punësuarit dhe bizneset andaj, vonesat në disbursimin e mjeteve po kanë efekte negative dhe po e bëjnë situatën të pamenaxhueshme. Mbështetja ndaj punonjësve në sektorë ku është ndërprerë aktiviteti si rezultat i masave kufizuese të ndërmarra, shtesat ndaj kolegëve në pika të shitjes të cilat janë ekspozuar ndaj virusit në baza ditore dhe mbulimi i një pjese të qirave si lehtësim për biznese, janë të domosdoshme për garantimin e mirëqenies së qytetarëve dhe mbarëvajtjen ekonomike”, thuhet në njoftim
Sipas tyre, vonesat në disbursimin e këtyre mjeteve po minimizojnë efektin e Pakos në ekonomi gjëra rrisin mosbesueshmërinë në institucione dhe pakënaqësinë e punonjësve.
Në këtë mënyrë, Rrjeti i Shitësve me Pakicë duke ripërsëritur nevojën e veprimit të shpejtë kërkon që institucionet përgjegjëse të intensifikojnë veprimet për zbatimin e plotë të Pakos Emergjente Fiskale në mënyrë që të mbështeten bizneset të cilat janë prekur nga COVID 19 dhe punonjësit e tyre, si dhe t’i hapet rrugë rimëkëmbjes ekonomike.
Lidhur me këtë, komuniteti i bizneset në vazhdimësi është duke kërkuar që t’ju ndahet pjesa e dytë e mjeteve të zotuara në këtë pako.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë se, vazhdimisht është kërkuar nga qeveria që të ndahet pjesa e dytë që ishte zotuar në këtë pako.
“Dje në takim me kryeministrin Avdullah Hoti, kemi kërkuar që sa më herët të shpërndahet pjesa e dytë e mjeteve të zotuara në pako. Edhe pas dy muaj të miratimit, mos shpërndarja e pjesës së mbetur po sjell vështirësi në punët e biznesit. Presim që shumë shpejtë pas rishikimit të buxhetit, mjetet e mbetura të barten”.
Vlera totale financiare e Pakos Emergjente Fiskale është 179.65 milionë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.