Leku pësoi një revansh të ri në tregun e këmbimit valutor sot, duke e çuar euron në nivelin më të ulët të shtatë viteve, në vetëm 135.81, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Kjo është vlera më e ulët e këmbimit të lekut, me euron që nga gushti i vitit 2010.
Ekspertë të këmbimeve valutore pohuan se vlera e ulët e euros sot lidhet me pagesën e sigurimeve shoqërore. Data 20 është afati në të cilin paguhen sigurimet shoqërore, por që rastisi pushim dhe i gjithë efekti në kursin e këmbimit u akumulua sot. Duke qenë se likuiditetet në lekë nuk kanë qenë të mjaftueshme, bizneset po konvertojnë llogaritë në valutë me lekë për të kryer pagesat, shpjeguan ekspertët e agjencive të këmbimit.
Gjithashtu sot është afati i fundit i deklarimit dhe derdhja e tatimit të mbajtur në burim, për muajin paraardhës.
Sipas pasojës së këtyre zhvillimeve, euro shënoi rënie me 0.14 pikë përqindje dhe dollari gjithashtu ra me 0.31 pikë përqindje ne këmbim ne lekun.
Këtë vit, në treg është bërë aktiv dhe gazsjellësi TAP, i cili po ndikon në ofertën në valutë. Përveç kësaj, muajt tetor dhe nëntor janë tradicionalisht të vakët për shitjet e bizneseve, që të ndodhur përballë mungesës së likuiditetit detyrohen të konvertojnë valutën për të shlyer detyrimet ndaj shtetit. Në dhjetor, fillon e gjallërohet aktiviteti.
Së dyti, fitorja e Donald Trump si president i SHBA-së në Amerikë ka ndikuar në forcimin e dollarit deri në ditën e sotme, ku monedha e gjelbër ra teksa u zbeh optimizmi për efektin Trump në tregti. Kjo rritje e dollarit në tregun shqiptar stimuloi shitjen, duke sjellë një prurje të tepërt valutash, sipas aktorëve të tregut.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.