Barclays ka parë një rritje të kërkesave për të kaluar ose hapur llogari biznesi
Bankat britanike po hasen me një rritje në kërkesa për të kaluar paratë e gatshme, midis institucioneve, pas rënies së huadhënësit të kompanive teknologjike amerikane Silicon Valley Bank (SVB), pasi frika i ka shtyrë disa depozitues të përpiqen të gjejnë bankat më të sigurta për fondet e tyre.
Një nga huadhënësit më të mëdhenj të vendit, Barclays, tha se kishte pasur rritje të kërkesave për të kaluar ose hapur llogari biznesi ditët e fundit. Virgin Money, banka e gjashtë më e madhe në Britani, tha se kishte parë gjithashtu “flukse hyrëse të depozitave të biznesit në ditët e fundit”.
Dështimi i SVB ka tronditur tregjet globale gjatë javës së kaluar, duke shkaktuar shqetësime për rrezikun e përfshirjes së bankave të tjera, si në rastin e bankës Credit Suisse, që detyroi bankën qendrore zvicerane, të mbështeste likuiditetin e saj ditën e enjte, duke letësuar disi situatën.
Qeveria britanike dhe Banka e Anglisë, kanë thënë se sistemi bankar i vendit është i sigurt, i shëndoshë dhe i mirëkapitalizuar, ndërsa dega e SVB në Mbretërinë e Bashkuar, u shpëtua nga banka më e madhe europiane HSBC ( The Hongkong and Shanghai Banking Corporation Limited), ditën e hënë. Kjo do të thotë se depozitat dhe kreditë e klientëve të SVB UK janë të sigurta.
Por, kolapsi i bankës kaliforniane, ka shkaktuar nevojën për kontroll shtesë për sigurinë e depozitave të pasiguruara mbi një garanci prej 85,000 £, dhënë bankave të licencuara në Britani, veçanërisht për bizneset.
Sam Franklin, CEO i platformës së rekrutimit Otta, e cila ka rreth 70 punonjës, tha se kriza kishte ndikuar në mënyrën se si bizneset start-up mendonin për financat e tyre.
Franklin tha se një numër i CEO-ve dhe ekzekutivëve të bizneseve start-up, kishin filluar të kërkonin për banka të tjera, me të cilat të depozitonin paratë, përveç SVB UK, duke përmendur Barclays si të preferuarën.
Themeluesi i platformës bankare Griffin, David Jarvis, tha se ai është në një grup WhatsApp me më shumë se 200 themeluesish të fintech, dhjetëra prej të cilëve kanë filluar procesin për hapjen e llogarive të reja bankare, pas rënies së SVB. Ai tha se njerëzit “kryesisht po shikonin bankat e mëdha të kleringut”.
Russ Shaw, themeluesi Tech London Advocates, tha se ai do t’i këshillonte bizneset start-up, që të shpërndanin kapitalin e tyre nëpër banka të ndryshme.
Shpërndarja e parave
Rritja e shpejtë e normave të interesit nga Banka e Anglisë gjatë 15 muajve të fundit, kishte nxitur tashmë një konkurrencë më të madhe midis bankave huadhënëse për depozituesit.
Por kolapsi i SVB ka intensifikuar shqyrtimin e modeleve të biznesit të të gjithë huadhënësve.
John Cronin, analist bankar në Goodbody, tha se migrimi i depozitave do të vazhdojë të jetë një fokus kryesor për analistët dhe investitorët.
“Ndërsa çështjet që SVB përjetoi ishin shumë specifike për institucionin, ajo ka ngritur shqetësime të përgjithshme rreth “shëndetit” të bilanceve bankare,” tha ai, duke shtuar se disa specialistë në fakt mund të jenë më pak të ekspozuar, pasi mbështeten kryesisht në depozitat konsumatore.
“Shumë kompani mendojnë më me kujdes se si do ta pozicionojnë veten financiarisht në të ardhmen,” tha Dom Hallas, drejtor ekzekutiv në Coadec, një organizatë që përfaqëson start-up-et teknologjike në Mbretërinë e Bashkuar. “Por unë mendoj se është shumë herët për të treguar se cilët do të jenë fituesit dhe humbësit.”
Javën e kaluar, platforma bankare dixhitale Revolut, pa një rritje prej 5% në regjistrimet e reja nga bizneset, veçanërisht kompanitë më të mëdha, krahasuar me javët e mëparshme.
Kompania, e cila ka aplikuar për një licencë bankare në Britani, por nuk është ende e mbrojtur nga garancia e depozitave të qeverisë, tha se nuk ishte në gjendje të jepte shifra këtë javë.
Klientët e Revolut në BE, mbrohen nga garancia prej 100,000 eurosh e Eurozonës.
Disa banka britanike të përqendruara në produktet e shitjes me pakicë, si kursimet e konsumatorëve, thanë se nuk kishin parë asnjë ndryshim në sjelljen e klientëve që nga rënia e SVB, duke shtuar se shumica dërrmuese e bilanceve të klientëve, ishin shumë më poshtë garancisë së qeverisë prej 85,000 £ dhe për këtë arsye ishin të mbrojtura.
“Ne nuk kemi pasur shqetësime nga klientët tanë,” tha një zëdhënës i Metro Bank. “Sistemi bankar i Mbretërisë së Bashkuar mbetet i sigurt dhe vazhdon të funksionojë normalisht.” / Reuters