Bizneset pesimiste për 2020-n; Çdo ndodhë pas mbarimit të TAP

25/01/2020 10:06 PM 0 komente

Pjesa më e madhe e bizneseve janë pesimistë për ecurinë e aktivitetit të tyre në vitin 2020. Euro e ulët ka goditur eksportuesit, konsumi është i dobët dhe pritet të jetë edhe më i ulët pas tërmetit, politikat mbështetëse të qeverisë mungojnë. Bizneset e anketuara nga Monitor në fusha të tilla si industria e tekstileve e këpucë, prodhimi i naftës, industria minerale, ajo e metaleve, çimentos etj presin një ecuri modeste këtë vit. Edhe projektet e mëdha si psh gazsjellësi TAP, që kishte një efekt zinxhir në shumë biznese të tjera vitet e fundit, që nga ndërtimi, transporti e konsumi i naftës, apo dhe HEC-et mbi lumin Devoll, tashmë kanë përfunduar.

 

TAP, në 2020-n pritet të fillojë operimi, Shqipëria nuk përfiton

Projekti më i madh i realizuar ndonjëherë në Shqipëri, ai i gazsjellësit TAP, një investim prej 1.5 miliardë eurosh është tashmë drejt fundit.

Burime nga kompania pohuan se është bërë bashkimi i seksionit shqiptar me atë grek. Nga kufiri greko-turk deri në Adriatik, gazsjellësi ka nisur të testohet.

TAP, gjatë vitit 2020, pas mbarimit të parakolaudimit dhe kolaudimit pritet që të nisë nga operimi, duke realizuar kalimin e gazit të parë nga Azerbajxhani drejt Europës.

Në Shqipëri po ngrihen strukturat e AGS (kompani e përbashkët mes midis Snam dhe Albgaz) për mirëmbajtjen e gazsjellësit, seksionit tokësor në Shqipëri.

Ndërsa i mori përfitimet në injektimin e kapitaleve gjatë procesit të ndërtimit, Shqipëria nuk pritet të ndikohet nga kalimi i gazit, të paktën në afatin e shkurtër e të mesëm. Sipas burimeve nga Ministria e industrisë dhe Energjisë, qeveria shqiptare nuk ka paraqitur zyrtarisht kërkesë për sasi gazi.

Në afatin e gjatë qeveria po harton një masterplan për gazifikimin e vendit, që do të shfrytëzonte gazin që do të rrjedhë në tubacionet që kalojnë në nëntokën shqiptare. Plani parashikon të ndërtohet një tubacion gazi midis qyteteve shqiptare të Fierit dhe Vlorës për të siguruar furnizimin e gazit me Shqipërinë si pjesë e projektit të Korridorit Jugor të Gazit.

 

Prodhimi dhe konsumi i naftës priten dobët

Kompanitë nxjerrëse të naftës nuk janë shumë optimiste për këtë vit. Operatorët më të mëdhenj në treg pohojnë se nuk parashikojnë të kryejnë investime në shtimin e puseve të reja, të paktën në gjashtëmujorin e parë të vitit, si një formë për të rekuperuar dhe shpenzimet e larta të kryera në 2019-n.

Shpresa e tyre është të rritja e çmimit të naftës, që mund të vijë për shkak të konfliktit në Iran. Nëse niveli i çmimeve do të arrinte në 90-100 dollarë për fuçi, kjo do të ndikonte në fillimin e investimeve në gjysmën e dytë të vitit.

Edhe operatorët tregtues të naftës janë të matur. Luigj Aliaj, nga Kastrati, tregtuesi më i naftës me shumicës dhe pakicë në vend, pohon se konsumi i naftës nuk është në rritje. “Nuk ka burime të reja rritjeje. Nëse do të mbahet kjo tendencë do të jetë shumë mirë”. Ai shton se konsumatorët e mëdhenj po ikin, qytetarët kanë filluar të ulin konsumin se në kohë krizash kursejnë.

 

Kurum, rritja maksimale nuk do i kalojë 5%

Kurum, kompania e prodhimit të çelikut, kishte shënuar një rritje pozitive tre vitet e fundit, pasi procesi i falimentimit për efekt ristrukturimi i nisur në 2016-n, rezultoi i suksesshëm. Në 2018-n, të ardhurat e kompanisë arritën nw 26 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 30%, sipas të dhënave zyrtare nga bilanci. Në 2018-n, Kurum ishte eksportuesi më i madh në vend, sipas të dhënave nga tatimet, me rreth 160 milionë euro, duke ia kaluar dhe Bankers Petroleum, përpunuesit të naftës.

Por, për 2020, drejtuesit e kompanisë nuk janë shumë optimistë as për tregun e brendshëm dhe as për atë të eksportit. Arif Shkalla, drejtor i financave në Kurum pohoi se këtë vit ata e presin pak a shumë në të njëjtat nivele me 2019-n, me një rritje jo më shumë sesa 5%, apo dhe rënie po me të njëjtat nivele. Ai nuk është shumë optimist as për efektet që do të ketë procesi i rindërtimit. “Rindërtimi vërtet do të rrisë kërkesën për materiale ndërtimi në afatin e shkurtër, por nga ana tjetër, konsumatori do të jetë shumë më i kujdesshëm në blerjen e apartamenteve, dhe kërkesa për to do të orientohet drejt banesave më cilësore, rrjedhimisht më të shtrenjta, lejet e ndërtimit do të jenë më të vështira, pra nuk pritet vazhdim për një kohë të gjatë i bumit të ndërtimit”.

Edhe për tregjet e eksportit, që përbëjnë 65% të shitjeve të Kurum, parashikimi mbetet i moderuar. “Pasiguria politike në Kosovë dhe së fundmi në Maqedoni, ku e para është pa qeveri e buxhet dhe e dyta po shkon në zgjedhje, mund të frenojë kërkesën në këto dy vende, duke rrezikuar eksportin”, thotë Shkalla.

Në fillim të vitit 2016, Kurum shpalli falimentin, për efekt ristrukturimi. Në qershor 2016 u miratua pretendimi i kreditorëve që ishte 226 milionë euro, për të cilat nuk pati kundërshtime. Kredia në 6 banka shqiptare arrinte në total 35 milionë euro. Ndaj IFC, pretendimi ishte 72 milionë euro dhe Bankës së Detit të Zi, 17 milionë euro (të dyja të siguruara, së bashku me pjesën e bankave shqiptare që ishin palë në kredinë sindikatë). Pjesa tjetër e pretendimit ishte ndaj bankave turke.

Pas një procesi të zgjatur në gjykatë, më 30 qershor 2017 u miratua me vendim gjykate dhe votat e kreditorëve plani i organizimit të kompanisë, që parashikonte kthimin e detyrimit dhe interesave. Nga 1 janari 2018 filloi pagimi i rregullt i principalit dhe interesat (interesa çdo muaj dhe principali çdo tre muaj).

Në muajin dhjetor 2018, Gjykata e Tiranës i dha fund procedurës së falimentimit, duke e kthyer shoqërinë në gjendjen e mëparshme, për të vijuar të zbatojë planin e ri organizimit të saj për të gjithë periudhën e zbatimit deri në vitin 2024.

Procesi i ristrukturimit të kompanisë dhe i pagimit të kredive po vijon ndërkohë me hapa të shpejtë, ndërsa po del tashmë nga lista e kreditorëve të këqinj.

 

Mineralet, e ardhmja gri, kompanitë shohin pak mundësi për rritje

Në skenarin më të mirë sektori minerar pritet të jetë në stanjacion gjatë këtij viti. Mundësitë për rritje duken të vogla. Bazë e këtij parashikimi duket se janë zhvillimet e përgjithshme në sektor në dy vitet e fundit dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me tregun vendas. Njohës të mirë të fushës dhe ekspertë të tregut vlerësojnë se ky vit për shkak edhe të situatës së post-tërmetit edhe prej çmimeve në tregun global nuk premton shumë. Tek-tuk mund të ketë edhe ndonjë përjashtim për më mirë brenda vetë sektorit, por kjo është e rrallë.

“Në vlerësimin e ecurisë të këtyre viteve për 2020 si rezultat dhe i ngjarjes së jashtëzakonshme në vend ecurinë e sektorit në përgjithësi do e parashikoja më e mira në stanjacion, por në një vlerësim real në rënie. Prodhimi i mineraleve si tonazh do të rritet si rezultat i kërkesës në rritje për materiale ndërtimore, që do të reflektohet për efekt të procesit të rindërtimit, por në sektorët e mineraleve të tjerë ndikimi do të jetë negativ. Optimizmi për të hyrë në tregun e nikelit mund të sjellë investime të reja përgjatë 2020, por në sektorët e tjerë nuk vërej investime të reja kjo dhe për faktin se pak po promovohen, dhe nuk po punohet fare në rivlerësimin e burimeve ekzistuese apo punë kërkimore për burime të reja” tha Sokol Mati, këshilltar pranë disa prej aktorëve kryesorë në fushën minerare.

Përfaqësues të Albchrome, një prej kompanive kryesore në vend thanë gjithashtu se për këtë vit tregu parashikohet të jetë në luhatje dhe me mundësi të paketa për rritje. Një impakt direkt në këtë situatë duket se e jep edhe kostoja e lartë e prodhimit që ndikohet sidomos nga energjia. Operatorët që kanë aktivitet në sektorin minerar dhe janë të lidhur në tension të lartë ose të mesëm 35 kilovolt kanë detyrimin që të gjejnë vetë energjinë përmes furnizuesve të pavarur çka në vite të thatë si 2017 apo 2019 i ekspozon ata ndaj kostove të larta. “Çmimi pritet jenë në nivele aktuale edhe për të paktën 3 muajt e parë të vitit. Gjatë kësaj periudhë parashikimi i prodhimit të Ferrokromit në Shqipëri pritet të jetë rreth 40% e kapacitetit të instaluar.

Sot në Shqipëri janë gjithsej 100.000 ton kapacitet prodhuese për prodhimin e ferrokromit dhe ka hapësirë edhe për shtim të kapaciteteve në vijim. Por kosto e lartë e prodhimit e ndikuar kryesisht nga energjia elektrike bën që sot vetëm 40% të këtyre kapaciteteve të jenë aktive. Në rast se situata e tregut nuk përmirësohet, dhe çmimet e energjisë vazhdojnë në këto nivele, prodhimi i Ferrokromit në Shqipëri nuk është rentable as konkurrues dhe rrezikon të ndërpritet 100%” nënvizojnë përfaqësuesit e Albchrome.

Lidhur me ecurinë e sektorit në vitin që lamë pas, Sokol Mati vlerëson se sektori minerar nga viti në vit po humbet potencialin e tij në ekonominë shqiptare, duke qenë në nivelet e 2-3% në PBB-në e vendit. “Ecuria përgjatë 2019 ka qenë në nivele pothuajse të njëjta me atë përgjatë këtyre tre viteve te fundit, në një gjendje stanjacioni, me ulje ngritje përgjatë vitit, pa ndonjë ndikim në ekonominë e vendit, me një perceptim në rritje në drejtim të vështirësisë së të bërit biznes në këtë sektor, vështirësisë së gjetjes së financimeve për të, pa asnjë të re për tu shënuar në drejtim të shfrytëzimit të burimeve të reja apo mineraleve të rinj”, shprehet ai.

Por teksa situata e përgjithshme e udhëhequr nga zhvillimet në tregje nuk ka qenë shumë optimiste duket se edhe mjedisi i të zhvilluarit të këtij aktiviteti në vend ka qenë më i vështirë. Sokol Mati nënvizon se aplikimi i urdhrave administrative si akte ligjore në vend ëe legjislacionit te miratuar dhe transparent po bëhet mundësi korrupsioni dhe vendimesh arbitrare për të mos shtuar që kemi dhe raste të moszbatimit korrekt të ligjit. “Këto vetëm pengojnë dhe amplifikohen në një mjedis të vështirë biznesi siç është rasti i biznesit minerar.

Ndryshimet në legjislacione të tjera të lidhur me biznesin minerar, sidomos atij mjedisor, në këto vite të pakoordinuara ose të pavlerësuara si duhet nga institucionet minerare kanë krijuar kaos, dhe punë të tensionuar” nënvizon ai.

 

Fasoni pret tkurrje të aktivitetit

Pesimizmi ka përfshirë të gjitha linjat prodhuese të sektorit fason. Sektori që para dy vitesh zgjerohej me ritme dyshifrore, tani jo vetëm që nuk po rritet, por përkundrazi rënia ka nisur dhe pritet të thellohet ketë vit.

Flamur Hoxha administrator i kompanisë Kler, që prodhon kryesisht këmisha për eksport parashikon se sektori fason vitin që vjen do të performojnë me rënie dhe falimente për kompani të vogla dhe te mesme. Zoti Hoxha tha së rënia e euros ka konsumuar edhe fitimet e viteve të shkuara. Nëse do të vijojë e njëjta situatë industria do të vijojë tkurrjen edhe në 2020.

Administratorja e “Donianna”, Donika Mici, e cila tha se kursi i këmbimit ka sjellë humbje të mëdha në dy vitet e fundit, teksa shtoi se 2020-a do të jetë një vit shumë i vështirë.

Kompania Prodyn, një operator relativisht i ri në treg, që prodhon këpucë për tregun Gjerman kryesisht, por me një rritje të madhe vitet e fundit sheh gjithashtu vështirësi. Aksionerja dhe administratorja kryesore e saj, Etleva Laro, tha sektori fason nuk do të ketë zgjerim në përgjithësi vitin që vjen. “Parashikoj më shumë vështirësi për kompanitë e vogla në lidhje me vazhdimësinë e porosive. Mendoj, që nga pikëpamja e shitjeve dhe fitimeve, do të ketë një lloj qëndrueshmërie kryesisht për kompanitë e mëdha, por jo rritje.

 

Mishi i përpunuar, pritet zgjerim i shitjeve këtë vit

Luan Leka, i cili ka në zotërim fabrikën më të madhe në vend të përpunimit të mishit, EHW, parashikon rritje të aktivitetit për këtë vit së paku me 5%. Zoti Leka thotë se përtej vështirësive, që po vijnë nga rritja e kostove të importit, aktiviteti i tij do të zgjerohet edhe në vitin në vijim. Rritja pritet të vijë pjesërisht nga konsumi dhe zgjerimi i tregut të kompanisë. Në fillim të këtij muaji të gjitha fabrikat e përpunimit të mishit në vend rritën në mënyrë të unifikuar çmimet me rreth 10 për qind për të gjithë prodhimet e tyre.

Administratoret e fabrikave të përpunimit të mishit në vend pohuan se, rritja e çmimeve erdhi si pasojë e shtrenjtimit të mishit të derrit me rreth 40 për qind në tregjet globale.

Leka tha se rritja e çmimi për produktet e mishit të përpunuar do të vijojë të rritet edhe për dy vitet në vijim.

Ai pohoi se rritje do të ketë edhe në tregtinë me pakicë. Si zotërues i një pjesë të aksioneve të rrjetit të marketit, Conad ai pret zgjerim të shitjeve me 8-9 për qind këtë vit dhe përmirësim me 10 për qind të shitjeve të ujit.

Leka pohoi se tërmeti i 26 nëntorit e ka stepur konsumin në muajin e fundit të 2019, por ai shpreson për rikuperim të situatës në vijim.

 

Ndërtimi nxit rritjen në industrinë e çimentos

Industria e çimentos, ndër problematikat kryesore, vijon të kenë kostot e larta të operimit. Megjithatë kjo nuk i pengon që ta presin vitin 2020 me optimizëm dhe të kenë një ecuri të qëndrueshme si në kërkesën vendase ashtu edhe atë rajonale.

Sipas përfaqësuesve të ANTEA Cement, 2019- ka qenë një vit relativisht i mirë dhe kërkesa vendase u nxit kryesisht prej sektorit të ndërtimit.

Megjithatë nga të dhënat e pasqyrave financiare të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në vitin 2018 industria pati një tkurrje të dukshme të të ardhurave nga shitjet të kompanive vendase. Nga kompanitë kryesore në vend e vetmja që shënoi rritje ishte Fushkruja Cement Factory, por që ishte modeste prej vetëm 1% në krahasim me një vit më parë, me 6.7 miliardë lekë të ardhura. Së bashku me kompaninë Antea Cement, ato zënë peshën kryesore në tregun vendas.

Eksportet e çimentos në rritje në vitet e fundit

Ecuria e eksporteve në industrinë e çimentos ka qenë pozitive në vitet e fundit. Viti 2018 shënoi rritje për sa i përket eksporteve në vlerë, por njohu një rënie në sasinë e eksportuar. Kjo reflekton një rritje të çmimin të çimentos që ka dalë për eksport në vitin 2018. Në total vlera e çimentos së eksportuar në vitin 2018 ishte 640 milionë lekë, apo rreth 17.5% më shumë se një vit më parë, ndërsa sasia e eksportuar po në këtë vit ishte 25.7 mijë tonë, më një tkurrje prej 22%.

Megjithatë që prej 2013-s eksportet e çimentos janë rritur si në vlerë ashtu edhe në sasi me mbi 2 herë.

Thuajse 30% e këtyre eksporteve në vitin 2018 ishin në drejtim të Italisë. Sipas të dhënave të INSTAT të tregtisë së jashtme, eksportet e çimentos drejt Italisë përllogariten rreth 186 milionë lekë, ndërsa në vend të dytë renditet Kosova me 21% të totalit të eksporteve. Po ashtu eksportet drejt Malit të Zi dhe Maqedonisë Kishin një peshë prej 20% të totalit të eksporteve të këtij grupi.

Sipas aktorëve kryesorë të tregut ndër faktorët disavatazuesh në rritjen e eksporteve janë konkurrenca nga industritë rajonale për shkak të kostove më të ulëta dhe problematikat me infrastrukturën portuale, e cila nuk lejon që të eksportohen sasi të mëdha.

 

—————————

 

Flasin përfaqësues të kompanisë ANTEA CEMENT

 

Si ishte viti 2019 për industrinë e çimentos në përgjithësi (zhvillimet që e përcaktuan)?

Viti 2019 ka qenë një vit relativisht i mirë për industrinë e çimentos, i karakterizuar nga rritja e kërkesës për çimento në tregun vendas, çka është një reflektim i drejtpërdrejt i rritjes se aktiviteti të ndërtimit në vend. Gjithashtu i njëjti trend është ndjerë dhe në vendet e rajonit por dhe më tej ku shoqëria eksporton produktin e vet në mënyrë të rregullt.

 

Cilat janë problematikat që has kjo industri sot në vend dhe kanë nevojë për vëmendje?

Problematika kryesore që kjo industri has në vendin tonë kanë lidhje a:) me kostot e larta të prodhimit që vijnë si rezultat i zbatimit të një regjimit tatimor taksash indirekte mbi lendet kryesore djegëse të cilat krijojnë një mjedis disproporcionalisht disavantazhues në raport me tregjet e tjera ne rajon dhe me gjerë dhe b- problemet me infrastrukturën eksportuese kur problem kryesor është infrastruktura portale e pa zhvilluar.

 

Si e prisni vitin 2020 në aspektin e prodhimit, investimeve, shitjes, eksporteve?

Shoqëria jonë mbetet optimiste që kërkesa si në tregun vendas ashtu dhe në tregjet e eksportit te mbetet e qëndrueshme. Thënë kjo, menaxhimi i kostove dhe ruajtja e konkurrueshmërisë sidomos ne tregjet ndërkombëtare mbetet një sfidë e vazhdueshme ku shoqëria ka investuar dhe do të vazhdojë të investojë resurset e veta.

 

Kostot “mbysin” mundësitë për zgjerim të industrisë

Mario Braçi, drejtues i Titan Group, një prej kompanive më të mëdha të prodhimit të çimentos në vend e gjen rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve shqiptare të lidhur ngushtë me kostot në mënyrë që kompanitë shqiptare të jenë konkurrente në tregjet ndërkombëtare. Për fat të keq sipas Mario Braçi, fabrikat shqiptare kanë pak mundësi për të përfituar, ndonëse aktualisht ata janë të fokusuar në rritjen e produktivitetit dhe eficiencës.

Një ndër kostot kryesore që ndikon në biznesin e Titan Group janë karburantet, me një peshë prej 60%. Sipas Mario Braçi-t kostot e karburanteve janë rritur me të paktën 15% në vitet e fundit, të ndikuara kryesisht nga taksat lokale. Por, nëse taksat do të kishin shkuar në një linjë me konkurrentët e industrisë shqiptare, pa dyshim që do ishin më konkurrues në tregjet ndërkombëtare.

Braçi shtoi më tej se këto kosto ndikojnë deri në 50% në prodhimin e produkteve “Made in Albania” dhe deri diku shkurtimi i këtyre kostove është i pamundur. Pasi ka edhe taksa indirekte. Braçi përmendi si një ndër konkurrentët kryesor të Shqipërisë në këtë sektor Italinë, e cila nuk ka këto taksa që prekin prodhimin.

Braçi shtoi se edhe pse do të kishin një ndikim në buxhetin e shtetit reduktimi i taksave që prek direkt prodhimin vendas, efektet mund të aplikohen direkt në produktin final, apo edhe te importet, duke mos prekur kështu prodhimin.

Megjithatë Mario Braçi shton një tjetër element që mund të rrisë prodhimin vendas sikurse është edhe zëvendësimi i karburanteve me ato që njihen “alternative fuel” me atë procesimit të mbetjeve urbane. Pjesa më e madhe e mbetjeve urbane shkojnë në landfill-e, por një mundësi është edhe përdorimi i tyre nga industria e çimentos. Braçi theksoi se industria prodhuese ka një potencial të madh për të rritur prodhimin dhe kontributin në ekonomi, por për këtë duhet të ketë më shumë incentiva.

Një tjetër vështirësi që pengon zgjerimin e eksporteve të këtij sektori janë kufizimet për shkak të parametrave të portit të Durrësit. Për të rritur sasitë që kompanitë shqiptare eksportojnë duhen kryer investime të mëdha në infrastrukturën portuale për thellimin e portit.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of