Bizneset po rrisin huamarrjen për investime gjatë këtij viti.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se huaja e re për qëllime të blerjes së pasurive të palaujtshme dhe pajisjeve për 7-mujorin 2021 arriti në 29.5 miliardë lekë, në rritje me 5.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e kredisë për investime është edhe më e lartë në terma relativë, e matur si peshë ndaj huamarrjes totale për periudhën. Këtë vit, 34.5% e kredisë së re është marrë për qëllime investimi, ndërsa vitin e kaluar kredia për këtë qëllim përbënte vetëm 30.6% të disbursimeve të reja.
Ashtu siç po ndodh edhe tek individët, shtysa kryesore e kreditimit të bizneseve janë pasuritë e paluajtshme. Optimizmi i ringjallur rreth tregut të pronave ka përfshirë edhe sipërmarrjen, me rritje të investimit në këto asete. Kredia e re për pasuri të paluajtshme tek bizneset në 7 muajt e parë të këtij viti arriti në 16.2 miliardë lekë, me një rritje prej pothuajse 32% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja e kreditimit me qëllim financimin e investimeve po sjell ndryshime edhe në strukturën e portofolit të huamarrjes. Kredia për investime, e matur si tepricë, në fund të korrikut ishte në rritje vjetore me 11.7%. Ajo tashmë përbën 56.2% të portofolit total, nga 53.6% që ishte pesha e saj specifike një vit më parë.
Periudha që ndoqi pandeminë sigurisht nuk pritej të ishte kohë ideale për rritjen e investimeve të biznesit, megjithatë, përmirësimi i ekonomisë duke filluar nga fundi i vitit të kaluar dhe sidomos gjatë këtij viti duket se ka nxitur optimizmin dhe investimet e reja mes sipërmarrjeve. Në fund të korrikut, Treguesi i Ndjesisë Ekonomike arriti nivelin më të lartë të shënuar në katër e vitet e fundit. Ecuria e përmirësuar e investimeve duket qartë edhe në ecurinë e Prodhimit të Brendshëm Bruto sipas metodës së shpenzimeve.
Formimi bruto i kapitalit fiks ishte komponenti me rritjen dukshëm më të lartë gjatë tremujorit të parë 2021, me 21.1% më shumë krahasuar me një vit më parë. Investimet iu kthyen rritjes pozitive që nga tremujori i tretë i vitit të kaluar, të mbështetura nga ecuria e mirë e sektorit të ndërtimit. Një ndikim të konsiderueshëm megjithatë vlerësohet se kanë pasur edhe shpenzimet publike, sidomos ato të lidhura me programin e rindërtimit, pas tërmetit të nëntorit 2019. Për 7-mujorin 2021, shpenzimet kapitale në buxhetin e shtetit janë rritur me 10.6% krahasuar me një vit më parë. /E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.