Pavarësisht se ekonomia ndodhet prej më shumë se një viti nën efektet e krizës, të dhënat e tërthorta tregojnë një rritje të investimit të bizneseve në kapacitete të reja prodhuese.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia për blerje pajisjesh po rritet me ritme dyshifrore. Në fund të muajit prill, ky portofol arriti vlerën e 105 miliardë lekëve ose rreth 860 milionë eurove, në rritje me 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ecuria pozitive e kredisë në këtë segment konfirmon një ecuri në përmirësim të investimeve në ekonomi, duke filluar nga gjysma e vitit të kaluar.
Mbështetur në statistikat tremujore të Prodhimit të Brendshëm Bruto, formimi bruto i kapitalit fiks, llogaritur me çmime konstante, vitin e kaluar ishte rreth 371 miliardë lekë, në rënie me 1.8% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, në gjysmën e dytë të vitit dinamika ishte në përmirësim të ndjeshëm. Investimet u rritën me 5.85% në tremujorin e tretë, ndërsa rritja pothuajse u dyfishua në 10.86% në tremujorin e katërt.
Rritja e investimeve besohet se është mbështetur sidomos nga ecuria e mirë e sektorit të ndërtimit, por edhe nga rritja e investimeve publike, të lidhura edhe me procesin e rindërtimit, pas tërmetit të vitit 2019. Veç ndikimit direkt në shtimin e kapitalit fiks në formën e ndërtimeve rezidenciale dhe inxhinierike, ky proces mund të ketë stimuluar edhe rritjen e investimeve në pajisje të reja, në shërbim të proceseve të lidhura me ndërtimin.
Vrojtimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se përgjithësisht shkalla e shfrytëzimit të kapaciteteve të biznesit ngelet ende nën nivelet që kishte para pandemisë.
Sektori me shkallën më të lartë të shfrytëzimit të kapaciteteve aktualisht është industria. Për tremujorin I 2021, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve rezultoi rreth 74.6%, 2.5 pikë përqindje më e lartë se vlera e një tremujori më parë, por ende më i ulët se niveli 75.1% që shënohej të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Për sektorin e shërbimeve, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve ishte pranë nivelit 72.9%, me një rritje të lehtë prej 0.6 pikësh përqindje krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Megjithatë, edhe në këtë sektor shfrytëzimi i kapaciteteve ngelet dukshëm poshtë nivelit të një viti më parë, me pesë pikë përqindje më pak. I vetmi sektor ku norma e shfrytëzimit të kapaciteteve është në një nivel më të lartë se një vit më parë është tregtia, ku ky tregues paraqitet në nivelin 72.6%. Sidoqoftë, edhe për tregtinë shfrytëzimi I kapaciteteve pësoi rënie me një pikë përqindje krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Sipas Instat, makineritë dhe pajisjet janë grupi i dytë për nga rëndësia në strukturën e investimeve vjetore në ekonomi, pas ndërtimeve, me rreth 18% të totalit (shifra më e fundit i takon vitit 2018). Pesha e investimit në makineri dhe pajisje ka shënuar një rritje pas vitit 2015, ndoshta e lidhur edhe kjo me projektet e investimeve të huaja në sektorin energjetik. Sidomos pas vitit 2013 vërehet një rritje e peshës së mjeteve të transportit, që për vitin 2018 përbënin 5.3% të investimeve totale./ E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.