25% e subjekteve në Shqipëri janë fermerë, një tregues i peshës së lartë që ka bujqësia në vend, i nxitur dhe nga formalizimi i sektorit. Bizneset tradicionale të tregtisë dhe kafeneve e restoranteve, dyqanet etj., po mbyllen nga konkurrenca e lartë dhe tkurrja e konsumit. Ka ardhur koha kur dijet dhe profesioni të shpërblejnë më shumë. Ata që po ia dalin të çajnë në treg janë shërbimet profesionale si IT, kontabilitet, punime të specializuara ndërtimi
Hapja e një dyqani të vogël në lagje, si për tregti ushqimesh a veshjesh, shërbime të ndryshme apo dhe bar e kafene nuk ka më gjasë të rezultojë shumë fitimprurës. Konkurrenca është shtuar nga qendrat tregtare, zinxhirët e supermarketeve, apo dhe linjat e organizuara të bareve e lokaleve, që po tërheqin gjithnjë e më shumë klientë. E gjithë kjo, përballë një konsumi të frenuar, si rrjedhojë e tkurrjes së popullsisë, e emigracionit dhe plakjes së popullsisë.
Të dhënat e INSTAT për ndërmarrjet aktive, sipas aktivitetit, tregojnë se numri i bizneseve në tregti e shërbime është në rënie, me mbi 4 mijë subjekte të kësaj kategorie që u mbyllën në 2018-n (reduktim neto). Në total, në fund të vitit 2018, kishte 35 mijë ndërmarrje që ushtronin aktivitetin në tregtinë me pakicë, pjesa më e madhe e tyre të vetëpunësuar, të ndjekura nga 18.5 mijë biznese në shërbime ushqimore dhe pije. Në total, të dy këto aktivitete përbëjnë 33% të ndërmarrjeve aktive në vend.
Shqipëria bujqësore
Ndërsa numri i bizneseve në qytet po vjen në rënie, ai në fshat ka shënuar rritje të fortë. Kjo nuk ka ardhur për shkak të rendjes së fshatit, por më shumë nga formalizimi i këtij sektori, teksa fermerët janë detyruar të pajisen me NIPT-e për të përfituar subvencione.
Në total, në fund të vitit 2018, në vend kishte 162 mijë subjekte të regjistruara, nga 111 mijë në 2013-n, me një rritje prej 46%. Por, kjo rritje ka ardhur tërësisht nga shtimi i fermerëve, që nga 737 në 2013-n, arritën në 41.5 mijë në 2018-n.
Bizneset fermere përbënin 25% të totalit të subjekteve të regjistruara në Shqipëri në fund të vitit 2018, duke ua kaluar për të dytin vit radhazi atyre të tregtisë.
Edhe pse Shqipëria nuk plotëson as 50% të nevojave të konsumit të brendshëm me prodhime bujqësore, sektori i bujqësisë ka peshën më të lartë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto në Europë, madje me një diferencë të thellë. Sipas të dhënave nga databaza e Bankës Botërore që i përkasin vitit 2017, bujqësia zuri 19% të PBB-së, me një diferencë prej 10 pikë përqindje me Kosovën, si vendi i dytë me peshën më të lartë të bujqësisë në Europë.
Pesha e bujqësisë në ekonominë shqiptare është së paku 6 herë më e lartë se mesatarja e Europës dhe trefishi i mesatares rajonale.
Në Maqedoni, bujqësia zuri 7.9% të PBB-së, në Malin e Zi 6.8%, në Turqi 6.1%, në Serbi 6%, në Bosnjë 5.6% dhe në Kosovë 9.1%. Pesha e sektorit vjen gjithnjë e në ulje në vendet e Europës, ku pesha e bujqësisë luhatet mes 0.5 deri në 3% të PBB-së.
Gjithashtu, Shqipëria u rendit 36-ta në botë për peshën e lartë të bujqësisë në ekonomi, në krah të vendeve afrikane.
Rriten bizneset profesionale
Tashmë ka ardhur koha kur dijet dhe profesioni të shpërblejnë më shumë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se shërbimet profesionale janë ato që po hapen më shumë vitet e fundit, teksa po mbyllen subjektet tregtare dhe ato të bar- kafeneve. Bizneset që kanë shënuar rritjen më të lartë në vlerë absolute në 2019-n janë ato në “Aktivitete të drejtimit të ndërmarrjeve dhe aktivitete të konsultimit”.
186 subjekte të reja (shtesa neto) të kësaj kategorie u hapën në 2018-n, duke arritur në total në 793. Ndonëse numri total i tyre është i ulët në raport, me biznesin tradicional të shqiptarëve, atë të tregtisë (ku ka gjithsej 35 mijë subjekte), biznesi i shefave dhe i konsulencës ka arritur një rekord në 2018-n sa u përket hyrjeve të reja në treg. Në raport me vitin 2013, numri i tyre është katërfishuar.
Bizneset e konsulencës u rrit ndjeshëm vitet e fundit edhe për shkak se shumë profesionistë dolën nga skema e sigurimeve për shkak të tatimit prej 23% mbi pagat mbi 130 mijë lekë (nga 1 janari kufiri u rrit në 150 mijë lekë), dhe u regjistruan si biznese private, si një skemë për shmangin e këtij tatimi të lartë, duke shfrytëzuar hendeqet fiskale (bizneset me xhiro vjetore deri në 5 milionë lekë kanë tatim fitimi zero). Kjo nxiti dhe autoritetet fiskale që të rishikonin legjislacionin këtë vit përmes një pakete ligjore që synonte uljen e shmangieve nga këta individë.
Në vend të dytë është kategoria e “aktiviteteve të shëndetit”, me 129 ndërmarrje të reja të hapura, duke e çuar numrin e tyre në total në 3,321. Vitet e fundit është zhvilluar ndjeshëm mjekësia dhe laboratorët privatë, si një kompensim i mungesës së cilësisë së shtetit në këtë shërbim jetësor.
Biznesi i tretë me rritjen më të lartë në vlerë absolute është ai i shërbimeve të teknologjisë dhe informacionit, me 117 të tilla. Megjithatë, numri total i këtyre subjekteve prej rreth 1,200 të tilla mbetet i ulët në epokën globale të dixhitalizimit. Shërbimet juridike e të kontabilitetit po bëhen të preferuara, me 116 subjekte të reja të hapura, duke e çuar numrin e tyre në total në 3,376.
Teksa sipas të dhënave të Moneyval, vetëm 8% e transaksioneve të pasurive të paluajtshme kryhen përmes agjencive, duket se ka një hapësirë të lartë për këtë aktivitet. Numri i subjekteve të reja ishte 115, duke arritur në total në 847. Kërkesa për ndërtime cilësore është rritur vitet e fundit, me shtimin e vilave dhe apartamenteve luksoze. Kjo ka nxitur dhe aktivitetet në punime të specializuara ndërtimi, me 109 subjekte të reja, duke e çuar numrin e tyre në total, në 1,848.
Ndërmarrjet e reja, rriten të mëdhatë
Gjatë vitit 2018, u hapën gjithsej 20.2 mijë ndërmarrje të reja, me një rënie prej 18% në raport me vitin e mëparshëm. Ata që po tkurren janë pikërisht të vegjlit, teksa numri i bizneseve të reja të hapura me 1-4 të punësuar ra me 20% në raport me vitin e mëparshëm, ndonëse mikrondërmarrjet përbënin 94% të të rejave.
Pozitive ishte rritja e subjekteve të mëdha, teksa u hapën 60 ndërmarrje, me më shumë se 50 punonjës, ose 50% më shumë në krahasim me një vit më parë. Gjysma e tyre ishin në aktivitetin e prodhuesve të shërbimeve, 14 në industri dhe 3 në ndërtim.
Tregtia, bien të vegjlit, rriten të mëdhenjtë
Aktiviteti i tregtisë sa vjen e po orientohet drejt zinxhirëve të mëdhenj si rrjetet e supermarketeve apo qendrat tregtare. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në 2018-n u mbyllën 2,627 subjekte tregtare mikro me 1-4 punonjës (gjysma e bizneseve të mbyllur në 2018-n) dhe u hapën gati 400 të tjera, që kishin më shumë se 5 punonjës. 26 prej tyre ishin të mëdha, me më shumë se 50 punonjës.
Shtohen ndërtuesit
Vrulli i ripërshpejtuar i ndërtimeve në tre vitet e fundit, sidomos në kryeqytet, është reflektuar dhe në rritjen e kompanive që operojnë në këtë sektor. 102 ndërmarrje të reja ndërtimi janë hapur (neto) vitin e kaluar në vend. Ndryshe nga vitet e mëparshme kur ato ishin përgjithësisht të vogla, me 1-4 punonjës, tashmë po lulëzojnë sipërmarrjet e mëdha. Asnjë biznes i vogël me 1-4 punonjës nuk rezulton të jetë shtuar në 2018-n. Në të kundërtën janë hapur 49 ndërmarrje me 10-49 punonjës dhe 32 subjekte që kanë më shumë se 50 punëtorë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.