Bizneset që rrezikojnë falimentimin nga rënia e konsumit

27/03/2021 10:12 PM 0 komente

Tendenca e shpenzimeve të konsumatorëve ndryshoi me krizën e COVID-19. Më të prekurit nga rënia e konsumit janë dyqanet e vogla, baret dhe restorantet. Strukturat më të mëdha akomoduese të Shqipërisë kanë shkurtuar 80% të stafit. Sektori i transportit vuan ende rënien e fluksit të pasagjerëve që po ndikon në mbylljen e aktivitetit për disa operatorë. Ekonomia do të nisë ristrukturimin, ku interesi më i fortë do të jetë që ndërmarrjet e mëdha të blejnë bizneset e vogla dhe të mesme

 

Dorina Azo

Zamira Burreli, prej shtatë vitesh, tregton rroba të përdorura në një dyqan të vogël pranë zonës së ish-Kinostudios. Në momentin që biznesi kishte filluar të konsolidohej, pasi veshjet e përdorura po bliheshin edhe nga individë me të ardhura mesatare, 35-vjeçarja tregon si pandemia i reduktoi xhiron me 30 deri në 40% krahasuar me periudhën para COVID-19.

“Edhe ky vit nisi me rënie të shitjeve, pas uljes drastike të të ardhurave në muajt e karantinës. Shkaku është pasiguria ekonomike që po shkakton pandemia te shumë familje. Kërkesa është ulur edhe nga klientët besnikë të dyqanit, pasi kishin frikë nga mbyllja e vendit në muajin shkurt, kur edhe numri i të infektuarve ishte mbi 1 mijë në ditë. Të tjerë kanë humbur punën dhe financiarisht e kanë të pamundur të bëjnë shpenzime për veshje. Ata janë më tepër të fokusuar te ushqimet”.

Sektorët më të prekur nga kriza e COVID-19, sipas kryetarit të Dhomës të Tregtisë dhe Industrisë të Durrësit, Alban Isteri, janë tregtia me pakicë, turizmi dhe shërbimet mbështetëse të tij, duke përfshirë baret, restorantet dhe agjencitë turistike, akomodimi dhe në tërësi transporti i pasagjerëve.

Nga të dhënat e INSTAT, 30% e totalit të ndërmarrjeve aktive janë të tregtisë me pakicë. Në vitin 2019, numri i bizneseve që operonin në këtë sektor ishte 32,967.

Ahmet Xhinishi, ekspert fiskal, pohoi për “Monitor” se për shkak të pasigurisë ekonomike, konsumatorët po frenojnë blerjet për shumë produkte. Tendenca është reflektuar me rënie të të ardhurave te biznesi i vogël. Krahasuar me 3-mujorin e parë të 2020-s, xhiroja ka rënë me 50%. Bizneset e shitjeve me pakicë të veshjeve, të produkteve industriale (siç janë tregtarët e Tregut Çam), dyqanet e bulmetit dhe kasapët e mishit janë më të prekurit.

“Xhiroja e bizneseve të vogla ka pësuar rënie të lartë, sidomos në 3-mujorin e parë të vitit 2021, pasi deri në fund të 2020-s, bizneset dhe konsumatorët u munduan të tresnin ‘dhjamin’. Deri në muajt e parë të vitit, kishte pritshmëri se situata do të përmirësohej, por u pa që ndryshimi nuk mund të ishte kaq i shpejtë dhe se kriza mund të zgjasë gjatë gjithë vitit. Në vitin 2020, sektori i ushqimeve arriti të ruajë nivelin e shitjeve dhe në muajt e karantinës pati rritje, por aktualisht është në stanjacion. Këto biznese po e ndiejnë që konsumatori nuk ka më çfarë të shpenzojë.

Restorantet kanë diversifikuar produktet, kanë filluar me shërbimet ‘catering’ apo ‘dilevery’. Nuk mund të bëhet krahasim për ecurinë e biznesit para COVID-19, pasi në periudhë pandemie kanë nisur shërbime të reja. Shërbimet që ofronin më parë kanë falimentuar.

Shumë biznese të vogla po përpiqen të mbijetojnë, por ka edhe shumë prej tyre që janë mbyllur, siç janë dyqanet e shitjes së veshjeve në rrugën ‘Myslim Shyri’. Arsyet janë kostot e larta të qirasë, pagesat e siguracioneve dhe mungesa e subvencioneve të shtetit. Biznesi i vogël përfitoi vetëm 3 paga. Në anën tjetër vihet re se dyqanet outlet (me veshje të përdorura firmato) kanë rritur investimet. Dikush ka zgjeruar biznesin, por edhe janë hapur dyqane të reja, duke tërhequr më shumë klientelë”, pohoi z. Xhinishi.

 

Burimi: INSTAT

 

Strukturat akomoduese

Sipas të dhënave të INSAT, në sektorin e akomodimeve janë rreth 1,400 ndërmarrje aktive. Kriza nga COVID-19 po prek strukturat më të mëdha akomoduese të Shqipërisë.

Presidenti i “FAFA Group”, Agron Çerenishti, pohoi se sektori është në lockdown, për shkak të mungesës së pushuesve. Në resortin më të madh të zonës të Golemit, aktualisht po mbahen në punë 22% e të punësuarve. “Frekuentimi në dhomat e tre hoteleve është 1-2% dhe më shumë nga kërkesat e fundjavës. Në ditët e tjera nuk ka rezervime.

Para COVID-19, në këtë periudhë, 30% e strukturës ishte e prenotuar (në tre hotelet e kompleksit janë në dispozicion mbi 500 dhoma), kryesisht nga turistët polakë dhe çekë që vinin nëpërmjet guidave turistike. Situata po thellon pamundësinë financiare për kryerjen e pagesave të interesit të kredive bankare, pavarësisht se nga bankat jemi mirëkuptuar për shtyrjen e principalit. Me këtë frekuentim e kemi të pamundur të mbajnë në punë të gjithë punonjësit. Në periudhë piku punësojmë 400 punonjës, por aktualisht janë në punë, 90 prej tyre.”

Edhe për sezonin e ri, operatorët janë pesimistë për rikthimin e normalitetit, pasi skenari i turizmit patriotik dhe ai mbarëshqiptar është më i mundshmi edhe këtë vit. Administratori i kompleksit FAFA e konsideron të domosdoshëm vaksinimin e punonjësve të sektorit të turizmit. “Mendoj se edhe në këtë sezon, turizmi do të përqendrohet me pushuesit vendas. Kërkesa nga grupet turistike çeke dhe polake janë të shumta, por nuk është e sigurt nëse do të finalizohen, pasi ekziston frika e infektimit. Për këtë arsye është e domosdoshme që shteti të vaksinojë punonjësit e strukturave akomoduese në të gjithë vendin, pasi ky do të ishte një sinjal pozitiv për pushuesit e huaj dhe vendas”.

Sipas të dhënave të INSTAT, aktiviteti i hoteleve ka shënuar një rënie të fortë që nga tremujori i dytë i vitit, me 63%. Në periudhën e verës humbjet u reduktuar, me një tkurrje prej 34%, ndërsa fundi i vitit dhe rikthimi i karantinës e përkeqësuan më tej aktivitetin, duke sjellë një rënie të volumit të aktivitetit me 41%.

 

Burimi: INSTAT

 

Pandemia godet transportin, falimenton kompanitë

Sektori i transportit të udhëtarëve po kalon ditët më të vështira, pas bilancit negativ nga mbyllja 4-mujore e aktivitetit në 2020 dhe tkurrjes së lartë të fluksit të pasagjerëve. Në muajt e parë të vitit, situata është vështirësuar edhe për operatorët e transportit qytetas të Tiranës. Operatori “Alba Trans”, i licencuar për linjën e Tufinës, falimentoi, për shkak të mospërballimit të kostove financiare.

Në muajin qershor, kompania deklaroi mbylljen e linjave të pasagjerëve në transportin ndërkombëtar me autobus, si në Athinë, Volos, Selanik dhe Kretë, si dhe me Italinë pas 14 vitesh operim. Administratorja e agjencisë ndërkombëtare të udhëtimit, “Alba Trans”, Albana Brati, pohoi më herët për “Monitor” se arsyet që ndikuan te mbyllja e punës, ishin: informaliteti dhe konkurrenca e pandershme, si dhe masat për të punuar me gjysmë kapaciteti për shkak të pandemisë.

“Për mënyrën se si po funksionon tregu, nuk e shohim më rentabël punën dhe kemi vendosur ta mbyllim aktivitetin. E para është konkurrenca e pandershme. Në mënyrë të pandershme, të konkurrojnë mjetet e vogla 8+1 dhe makinat personale që nisen nga Korça apo kufiri, si taksi të palicencuara. Gjithmonë kemi bërë ankesa, si pranë pikës doganore të Kapshticës, ashtu edhe në Ministrinë e Transportit, por deri tani nuk është marrë asnjë masë shtrënguese.

Nga ana tjetër, edhe pandemia ndikoi për të marrë vendimin e mbylljes së punës, pasi duhet të punonim me reduktim të kapacitetit. Sipas detyrimeve ligjore të përcaktuara në kontratën me partnerin grek, do të vazhdojmë të shesim vetëm bileta edhe për 3 muaj, pa ofruar shërbim transporti ndërkombëtar, deri sa pala greke të gjejë një tjetër operator.

Më pas, nuk do të vazhdojë më puna për transportin ndërkombëtar të pasagjerëve nga ne. Me të ardhurat që po gjeneron ky biznes dhe shpenzimet që paguajmë, nuk ia vlen”, shprehet administratorja Brati. Pas mbylljes së linjave të transportit të pasagjerëve me jashtë dhe linjës të Tufinës, kompania vijon operimin për linjat qytetase të Tiranës së Re dhe Uzina e Autotraktorëve.

Prej dhjetorit 2020, linja qytetase e autobusëve të Tufinës po administrohet nga kompania “Shega Trans”. Mbi 70% e linjës kalon në itinerarin e lëvizjeve Kombinat-Kinostudio, duke lehtësuar menaxhimin për dy akset nga kompania pa investime shtesë. Konstandin Foni, drejtor i linjës urbane Kombinat-Kinostudio-Tufinë, e konsideruar si linja me fluksin më të madh të njerëzve në Tiranë parashikon shtim të falimentimeve të operatorëve në rast të moskthimit të shpejtë të situatës në normalitet. Nga të dhënat e INSTAT, në sektorin e transportit operojnë në total 5,146 ndërmarrje. Nga kriza e COVID-19 mungesën e pasagjerëve po e vuan i gjithë sektori në tërësi.

“Nga fundi i muajit janar dhe deri më sot, fluksi i pasagjerëve në autobusët e këtyre linjave është ulur ndjeshëm. Arsyet janë frika e njerëzve nga infektimet dhe kufizimi i orarit të lëvizjeve (më 11 shkurt hyri në fuqi vendimi për kufizimin e lëvizjeve nga ora 06:00 deri në orën 20:00), thelloi edhe më shumë rënien e numrit të udhëtarëve. Deri më 11 shkurt, kur orari për lëvizjen e pasagjerëve ishte deri në orën 10:00 të mbrëmjes, rënia e fluksit ishte 50-55% më pak. Pas vendimit për lejimin e lëvizjeve deri në orën 20:00, numri i pasagjerëve ka rënë 60% krahasuar me periudhë normaliteti.

Humbjet financiare janë të konsiderueshme për shkak të kësaj situate. Ne po punojmë me 75% të kapacitetit të flotës, ndërkohë kostot fikse vazhdojmë t’i paguajmë. Edhe pse ka rënë fluksi i pasagjerëve dhe orari është reduktuar, të gjithë operatorët janë të detyruar të zbatojnë itinerarin dhe ciklet e frekuencave, siç janë të parashikuara në kontratën e Bashkisë së Tiranës”, thotë drejtori i linjës qytetase në kompaninë “Shega Trans”.

Transporti i pasagjerëve rifilloi aktivitetin më 6 korrik, pas përfundimit të karantinës. Në transportin publik të kryeqytetit, deri në muajin tetor 2020, operatorët raportojnë rënie të pasagjerëve deri në 50%. Për muajin dhjetor, për shkak të reduktimit të orarit të lëvizjeve (më 24 dhjetor hyri në fuqi vendimi për lëvizjen e qytetarëve nga ora 06:00 deri në 20:00), frikës nga infektimi dhe protestat që u zhvilluan në Tiranë, fluksi i pasagjerëve në autobusë ra 70%. Kompanitë parashikojnë thellim të vështirëve në aktivitetin e tyre, në mungesë të subvencioneve nga shteti.

Sipas INSTAT, indeksi i volumit për aktivitetin e transportit dhe magazinimit ra me 40% në tremujorin e dytë, ndërsa aktiviteti vijoi me ecuri negative dhe në tremujorin e tretë e të katërtin, përkatësisht me -37% dhe -18%.

 

Burimi: INSTAT

 

Edhe operatorët detarë, në prag falimentimi

Pas një rënie me bazë vjetore, 76% në 2020, krahasuar me vitin e mëparshëm, transporti detar i pasagjerëve vijon të shënojë tkurrje drastike. Vitin e kaluar, rënia nisi që në muajin mars me vendosjen e karantinës, duke vazhduar edhe për periudhën prill-maj. Sipas të dhënave të INSTAT, numri i pasagjerëve në transportin detar për muajin janar 2021 është tkurrur 52% krahasuar me janar 2020.

Bernard Resto, përfaqësuesi për Shqipërinë i kompanisë italiane të lundrimit “Adria Ferris”, thotë se edhe në muajt e parë të 2021, ky shërbim vijon të përkeqësohet. Arsyeja kryesore është moslejimi i udhëtimeve me Italinë dhe vende të tjera të Europës.

“Edhe për muajt e parë të këtij viti, fluksi i pasagjerëve është me rënie të lartë deri në 70%. Vazhdojnë të udhëtojnë vetëm shtetasit europianë dhe shqiptarët të pajisur me dokumente nga vendet e BE-së. Është edhe një pjesë shumë e vogël e atyre që udhëtojnë për arsye shëndetësore, në rast se janë të pajisur me dokumentacion nga spitali do të kurohen.”

“Adria Ferris” që operon në Shqipëri me tragete që nga viti 2004 në linjat ndërkombëtare, Durrës – Ankona, Durrës – Bari dhe Durrës – Trieste. Situata për të është vështirësuar që me nisjen e karantinës. Për vitin 2020, lëvizja e udhëtarëve për këtë operator në periudhën gusht-nëntor u reduktua 70%. Pas vendimit të Italisë për vendosjen e karantinës së detyrueshme për periudhën 21 dhjetor deri më 10 janar, numri i pasagjerëve për këtë kompani pothuajse u zerua.

“Nëse udhëtimet do të vazhdojnë të mos lejohen dhe tragetet nuk do t’i kthehen itinerarit normal deri në stinën e verës, atëherë priten falimentime të kompanive në transportin e detar të pasagjerëve, pasi sezoni turistik është ai që i jep oksigjen sektorit dhe operatorët do ta kenë të pamundur të mbajnë në punë punonjësit. Kompania jonë ka reduktuar numrin e itinerareve, ndërsa humbjet financiare thellohen.

Prandaj është e domosdoshme të rritet numri i të vaksinuarve në popullatë, njerëzit janë përsëri të frikësuar dhe nuk do të bëjnë prenotimin për verën. Ky do të ishte sinjal pozitiv edhe për turistët e huaj që kërkojnë të vijnë në Shqipëri”. Në anën tjetër, përkeqësimi i situatës pritet edhe tek investimet e sipërmarrjes së lundrimit, pasi kriza e krijuar nga pandemia i gjeti ato të papërgatitura. Operatorët pohojnë se po përballen  me vështirësi financiare për pagesat e kredive në investime.

 

Burimi: INSTAT

 

Si do të strukturohen bizneset, të mëdhenjtë do blejnë të vegjlit

Pasoja kryesore që do të shoqërojë rënien e thellë të ekonomisë do jetë falimentimi i bizneseve financiarisht të brishta. Eksperti i ekonomisë, z. Selami Xhepa, thotë se procesi i konsolidimit mund të bëhet edhe me blerjen e bizneseve të vogla dhe të mesme nga biznesi i madh, njëkohësisht edhe nga SME-të për të blerë mikrobizneset. “Një rrjet dyqanesh që operon në zonë gjeografike, mund të blejë një rrjet dyqanesh apo dy-tre dyqane në prag falimentimi në një zonë tjetër”, shpjegon Xhepa.

Nëse blerja e bizneseve të vogla nga operatorët e mëdhenj dëmton konkurrencën dhe do të rrisnin përqendrimin e tregut, nuk do ishte pozitive për tregun dhe konsumatorin. “Nëse principet e konkurrencës nuk cenohen, kjo përmirëson përdorimin e burimeve ekonomike për një kompani të mesme për të ofruar produkte me cilësi dhe marzhe fitimi jo të forta, me qëllim që të jetë konkurrues”.

Në terma afatgjatë parashikohet të ndodhin ristrukturime të rëndësishme në modelin e biznesit, duke përfshirë më shumë komponentët teknologjikë për të përballuar presionet e huaja të shtuara. “Është e kuptueshme se në kushtet e një presioni kaq të fortë që shkakton rënia e kërkesës agregate në ekonomi, pasoja e parë do të jetë rritja e falimentimeve te bizneset e dobëta, të cilat nuk kanë mundësi financiare të akumuluara gjatë viteve. Këto biznese do ta kenë të pamundur të përballojnë krizën dhe do të mbijetojnë vetëm të mëdhenjtë.

Kjo do të sjellë që bizneset e vogla në përgjithësi të reduktojnë kontributin e tyre në ekonomi. Kriza mund të ndryshojë konfiguracionin e ekonomisë: nëse deri tani, ekonomia është dominuar nga mikrobizneset, në afat të gjatë pritet të ketë konsolidim të bizneseve të mesme dhe të mëdha, duke blerë njëra-tjetrën në mënyrë që t’i bëjnë ballë kësaj mbijetese të vështirë.

Edhe kur kërkesa të rritet dhe ekonomia të fillojë të marrë veten, modelet e vjetra të biznesit duhen të zhvendosen në një dritë të re. Bizneset duhet të bëhen më fleksibël në rrjetin e furnizimit të tregjeve, që të mos krijojnë varësi që do të rrezikonin edhe në krizat e ardhshme”, tha z. Xhepa.

 

Bizneset e vogla do të goditen edhe nga fiskalizimi

Nga 1 janari 2021, fiskalizimi, ose siç njihet ndryshe lëshimi i faturave elektronike, nisi me bizneset që kanë marrëdhënie tregtare me qeverinë. Parashikohet që kjo fazë të ishte shtysë pozitive për implementim e fazës tjetër nga 1 korriku 2021, që do të jetë biznes me biznes për transaksionet pa para në dorë. Ndryshimi më i madh do të ndodhë nga 1 shtatori 2021, kur të gjitha bizneset që punojnë për transaksionet me para në dorë, do të lëshojnë fatura elektronike.

Eksperti fiskal, Ahmet Gjinishi, parashikon për biznesin e vogël se përveç efekteve që vazhdon të japë pandemia, procesi i fiskalizimit do të shkaktojë një goditje të dytë. “Nga shteti nuk është marrë asnjë masë parandaluese, duke subvencionuar biznesin për këto lëvizje që bëhen, duke i lënë dyqanet në dorën e fatit. Fiskalizimi do të rrisë kostot te biznesi i vogël, edhe te krahu i punës, pasi duhet të jetë më i kualifikuar dhe nëse ka më shumë se një kasë, duhet të paguajë për kualifikimin e punëtorëve.

Kosto do të ketë edhe për blerjet në zgjedhjen e software, pasi shteti i ka lënë çmimet e tyre në dorë të tregut. Për këtë kategori biznesi nuk është përcaktuar asnjë lehtësi. Kjo mund të sjellë edhe abuzime. Nga kompanitë e kasave është parë që një pajisje fiskale e zhdoganuar me çmim 20 euro, është shitur 290 euro. Kjo pritet të sjellë edhe reagime te biznesi, pasi kostot do të jenë të drejtpërdrejta.

Për Alban Isterin, kryetari i Dhomës të Tregtisë, Durrës, ndihma e dhënë biznesit për kapërcimin e krizës ishte e pamjaftueshme dhe sipërmarrja duhej ndihmuar me lehtësim te taksat.

“Shumica e bizneseve kanë kërkuar likuiditet afatshkurtër, shtyrje të afatit të pagesave të taksave dhe pezullimin e kamatëvonesave dhe gjobave, sidomos sektori i fasonëve dhe strukturave akomoduese. Shtyrja e afatit të shlyerjes së kredive është një masë lehtësuese për biznesin. Qeveria duhet të lehtësonte biznesin edhe me taksat. Duhet të ishin të strukturuara paketat me kredi të butë. Garancia sovrane duhet të ishte e mirëmenduar, kushtet e përcaktuara për lëvrimin e kredisë e bënë të papëlqyer këtë masë nga biznesi. Bankat bënin analizë risku, çka ishte e palogjikshme financiarisht për bizneset që ishin në krizë. Shumë vende të rajonit disbursuan kredi në vlera të ulëta për biznese të vogla, të cilat duhet të aplikoheshin edhe në Shqipëri”.

Qarku i Durrësit konsiderohet një nga zonat më të goditura nga kriza për shkak të tërmetit dhe numrit të lartë të infektimeve. Për t’u kthyer në normalitet situata, së pari nevojitet vaksinimi masiv i popullatës dhe punonjësve të sektorit të shërbimeve që janë më të ekspozuarit ndaj infektimeve. Kreu i Dhomës së Tregtisë, Durrës parashikon se do të nevojiten të paktën 4 deri në 5 vjet që ky qark t’i kthehet gjendjes para tërmetit të 26 nëntorit 2019.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of