Bizneset që shitën e blenë aksione në vitin 2018

04/10/2019 10:04 PM 0 komente

Sipërmarrjet në Shqipëri janë në përgjithësi zotërime familjare dhe pronësia nuk shënon ndryshime të mëdha, ose kalon brenda familjes. Gjithsesi nuk kanë munguar transaksionet e shitblerjes edhe në vitin 2018, ku më tipiket ishin në sistemin bankar dhe në shërbimin spitalor privat.

“E v i t a”, kompania që zotëron 85% të “DiaVita”, koncesionari i hemodializës, është zgjeruar më tej në tregun e farmaceutikës. “E v i t a” bleu 50% të aksioneve të një prej distributorëve farmaceutikë më të mëdhenj në vend, “Pharma One”. Transaksioni u realizua në qershor të vitit 2018, nga aksioneri Ben Petani, i cili ka shitur gjysmën e kuotave të tij për 50 milionë lekë (rreth 390 mijë euro).

-Në maj të vitit 2018, Mihal Duni ka kaluar 40% të aksioneve që zotëronte te kompania “Gjikuria” te Florenc Gjikuria. Ky i fundit ka rritur kuotën e aksioneve në 64%. Çmimi i shitjes së kuotave ishte 2.5 milionë lekë. Aksioneri tjetër është Milo Gjikuria, me 36%.

“Hygeia” u shit te spitali amerikan në gusht 2018 për 1 euro plus borxhet. Ndryshoi emrin në shtator në “International Hospital”. Edhe në vitin 2018, humbjet vijuan rritjen, duke arritur në 481 milionë lekë.

-Ndryshime kanë ndodhur sërish në pronësinë e shoqërisë së distributorëve të produkteve farmaceutike, “Megapharma”. Në shtator 2018, janë larguar ortakët Petraq Gramo (3.4%) dhe Arba Merkoçi (e bija, me 30%) dhe blerësit ishin Rasim Hamzaraj dhe Robert Çina, të cilët rritën kuotat e tyre në 50% secili. Transaksioni ka pasur një vlerë totale prej 2 milionë eurosh, sipas kontratës së shitblerjes. Më pas, në tetor, Rasim Hamzaraj i ka transferuar kuotat e tij te Monika Hamzaraj për 60 mijë lekë.

“Das Oil”, me aktivitet në tregtinë me pakicë të naftës. E hapur në vitin 2015 dhe me rritje të shpejtë të aktivitetit, duke shënuar 2.4 miliardë lekë të ardhura në 2018-n, ka ndryshuar aksioner së fundmi. Në gusht 2019, Hysen Balla ka shitur 100% të aksioneve te Dritan Xhokaxhi për 1.14 milionë lekë.

 

Bankat

2018-a ka qenë i rëndësishëm për konsolidimin e sistemit bankar, teksa u finalizuan disa marrëveshje të rëndësishme.

Në tetor 2018 u miratua procedura e bashkimit me përthithje, ku shoqëria “Banka Amerikane e Investimeve” përthithi shoqërinë “Banka NBG Albania Sh.a.”, për një shumë rreth 25 milionë eurosh.

Po në tetor, “Intesa Sanpaolo Bank Albania” njoftoi se procesi i Bashkimit me Përthithje të “Veneto Banka” është finalizuar nga pikëpamja ligjore dhe operacionale. Duke nisur nga 1 tetori 2018, “Veneto Banka” është fshirë nga Regjistri Tregtar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ndërsa “Intesa Sanpaolo Bank Albania” ka mbartur të gjitha asetet, të drejtat e detyrimet, si dhe marrëdhëniet me klientët, të cilët shërbehen tashmë nga një rrjet i njëjtësuar degësh bankare dhe sistemi operimi.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of