Turizmi nga viti në vit është duke u shndërruar në potencial të rritjes ekonomike, si në drejtim te të ardhurave ashtu edhe të punësimit.
Sipas të dhënave nga Anketa Strukturore e Ndërmarrjeve shitjet neto në bizneset e akomodimit dhe shërbimit ushqimor arritën në 71, 2 miliardë lekë në vitin 2019 me një rritje 14 për qind në krahasim me vitin 2018.
Të ardhurat e bizneseve në fushën e turizmit nisën të rriten pas vitit 2015 me ritme dyshifrore. Kjo për shkak edhe të aksionit antiinformalitet që çoi në regjistrimin e një serie subjektesh në këtë fushë të cilat i raportojnë tani bilancet në tatime. Nga 29 miliardë lekë që ishin të ardhurat nga shitjet në bizneset e lidhura me turizmin në vitin 2019 ato u rritën më shumë se dyfishi.
Numri i të punësuarve në këto aktivitete arriti në mbi 59 mijë persona më 2019 e një rritje vjetore 5%. Ato zunë 11 për qind në totalin e punësimit nga bizneset.
Në vitin numri i ndërmarrjeve në hoteleri dhe restorante ishte mbi 17 mijë 394, me një rënie 8,2 për qind në krahasim me vitin 2018, si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit që çoi mbylljen një serie aktivitetesh kryesisht në qytetin e Durrësit.
Në vitin 2019, hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri kanë qenë afërsisht 6,4 milionë persona. Gjatë vitit 2019, hyrjet e shtetasve të huaj janë 8,1 % më shumë se viti 2018. Gjatë vitit 2019, hyrjet e shtetasve nga rajoni i Evropës zënë pjesën më të madhe të hyrjeve të shtetasve të huaj me 90,1 % duke u rritur me 8,3 %, krahasuar me një vit më parë.
Shtetasit e huaj që hyjnë në Shqipëri vijnë kryesisht nga (35 %), Maqedonia e veriut (12 %), Greqia (9 %), Italia (7 %) dhe Mali i Zi (6 %). Përgjatë vitit 2020 me gjasë edhe këtë vit sektori i turizmit është dëmtuar prej pandemisë Covid.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2020 në vend hynë 2.6 milionë shtetas të huaj, me një rënie prej 58.5%. Si rrjedhojë e kufizimeve, në vend hynë 3.7 milionë shtetas të huaj më pak, duke dhënë ndikim të ndjeshëm në ecurinë e turizmit në vend, por edhe të konsumit, që në gusht, kur kulmon sezoni ishte shumë i dobët, sipas të dhënave të tjera të tregtisë me pakicë.
Ndërkohë për 10 vjeçarin e ardhëm parashikohet një rritje e konsiderueshme e kontributit të këtij sektori në ekonomi, ku vetëm në 2-3 vite sektori i turizmit pritet të zërë 8,8% të PBB ndërkohë që deri në 2028, sektori mund të zërë deri në 9.3 % të PBB.
Megjithatë, krahasuar me vendet e tjera të pellgut mesdhetar, zhvillimi i turizmit në Shqipëri është ende larg potencialit që përfaqësojnë pasuritë natyrore, historike e kulturore të vendit. Infrastruktura, kapacitetet akomoduese, cilësia e shërbimeve, oferta dhe produkti turistik janë që të gjithë faktorë që kanë frenuar disi zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri, duke i lënë vend një zhvillimi të pakontrolluar e kaotik që faktikisht e ka mbajtur në këmbë këtë industri, por duke rrezikuar qëndrueshmërinë e tij në terma afat-gjatë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.