Procesi i fiskalizimit ka filluar zbatimin më 1 janar 2021, ku krahas avantazheve që pritet të sjellë, bizneset pritet të ndeshen edhe me sfida gjatë fazës së parë të zbatimit.
Në këtë kuadër, Sekretariati i Këshillit të Investimeve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve organizuan një diskutim teknik me sektorin privat (rreth 60 përfaqësues të bizneseve vendase dhe të huaja, shoqatave, dhomave të tregtisë, studiove të këshillimit ligjor dhe financiar, operatorëve të certifikuar, etj).
Sipas njoftimit zyrtar, Gjatë mbledhjes, përfaqësuesit e biznesit shprehën mjaft interes në ngritjen e pyetjeve dhe komenteve me natyrë teknike dhe të përgjithshme, të cilat kishin të bënin kryesisht me i) përdorimin dhe manualet e përdorimit të platformës Selfcare; ii) korrigjimet që nevojiten në terminologjinë e përdorur në platformë; iii) mënyrën se si do të trajtohet sektori i agro-biznesit i cili është edhe sektori më pak i formalizuar i shoqërisë; iv) kostot shtesë dhe “të fshehura” të të bërit biznes (administrative, integrimit të software aktualë, regjistrimeve të reja), etj.
Gjatë fjalës së saj, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj, e cilësoi procesin e fiskalizimit si reformën më të madhe për mirëadministrimin fiskal që po zbaton aktualisht qeveria dhe pritshmëritë për reduktimin e informalitetit në periudhë afatmesme janë deri në 15%. Zbatimi i kësaj reforme do të jetë sfidë si për biznesin ashtu dhe për administratën. Pavarësisht se bizneset do të duhet të përballen me disa kosto të reja, ato pritet të kenë përfitime të qenësishme në të bërin biznes, ndërkohë që kostot në fjalë do të diktohen nga tregu, i cili tashmë është i liberalizuar në këtë aspekt. Në anën tjetër, fryma e administratës tatimore gjatë kësaj faze të parë do të jetë ajo e këshillimit dhe mbështetjes.
Qëllimi i kësaj mbledhje ishte qartësimi i problematikave që në hapat e parë përmes një dialogu të drejtpërdrejt midis administratës tatimore dhe përfaqësuesve të biznesit—ku një pjesë e mirë e komenteve morën përgjigje gjatë mbledhjes. Ndërkohë, me kërkesë të Kryetares së Këshillit të Investimeve, Ministres Anila Denaj, Sekretariati i Këshillit të Investimeve do të paraqesë një përmbledhje të konsoliduar të komenteve të biznesit (disa dërguar paraprakisht edhe me shkrim) dhe përgjigjeve nga ana e DPT-së, me qëllim krijimin e një dialogu sa më transparent midis palëve.
Tema e fiskalizmit është trajtuar në Këshillin e Investimeve (KI) në gusht të 2019, gjatë fazës së konsultimit të projektligjit përkatës. Anëtarët e KI propozuan në atë kohë një shtyrje të fillimit të procesit të fiskalizimit, ndarë në disa etapa, duke filluar fillimisht me bizneset që kryenin transaksione me institucionet qeveritare (B2G), duke vijuar më pas me bizneset B2B (biznes-biznes) dhe në fund B2C (biznes-konsumator)—sugjerim i cili u mor parasysh nga qeveria. Ndërkohë, që disa nga shqetësimet kryesore të biznesit kishte të bënte me kohën e kufizuar në dispozicion për zbatimin e procedurave të reja të cilat ishin në vetvete një risi teknologjike si edhe kostot përkatëse.
Ligji Nr. 87/2019 “Për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkulllimit” i ndryshuar, i fillon efektet sipas fashave të mëposhtme:
- për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve dhe organeve publike, efektet e këtij ligji fillojnë më 1 janar 2021. Këtu preken rreth 7,600 biznese.
- për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve, efektet e këtij ligji fillojnë më 1 korrik 2021.
- për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit, pavarësisht përgjegjësisë tatimore apo qarkullimit vjetor të realizuar, efektet e këtij ligji fillojnë më 1 shtator 2021.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.