Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve për sektorët kryesorë të ekonomisë shfaqi një tendencë në rënie në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Sipas vrojtimit periodik të këtij indikatori nga Banka e Shqipërisë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në industri shënoi nivelin 77.4%, normë kjo 1.5 pikë përqindje më e ulët se një tremujor më parë dhe 5.4 pikë përqindje më shumë se një vit më parë.
Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në tregti shënoi vlerën 77.6%, 1.1 pikë përqindje më pak krahasuar me tremujorin e kaluar dhe 3.9 pikë përqindje më shumë se një vit më parë.
Në sektorin e ndërtimit, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve për tremujorin IV shënoi nivelin 68.4%, rreth 1.5 pikë përqindje më pak se një tremujor më parë dhe 3.9 pikë përqindje më shumë se një vit më parë.
Shërbimet janë aktiviteti me shkallën më të lartë të shfrytëzimit të kapaciteteve dhe njëkohësisht i vetmi sektor ku shfrytëzimi i kapaciteteve vijoi të rritet në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në këtë sektor shënoi vlerën 82.9%, rreth 1.8 pikë përqindje më shumë se një tremujor më parë dhe 10.7 pikë përqindje më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Shifrat tregojnë se, megjithëse shfrytëzimi i kapaciteteve është në nivele më të larta krahasuar me një vit më parë, tremujori i fundit 2021 ka sjellë një frenim të dukshëm në ngushtimin e hendekut të prodhimit për shumicën e degëve të ekonomisë.
Tendenca e kthimit të shpejtë në nivelet e prodhimit të parakrizës mund të përballet me rreziqe të reja. Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e çmimeve në tregjet botërore përbën një faktor rreziku për nivelin e inflacionit dhe, potencialisht, edhe për shpejtësinë e rimëkëmbjes ekonomike. Gjithashtu, variant i ri i virusit Covid-19 ka sjellë një valë të re të rasteve dhe shtim të masave kufizuese në shumë vende, duke u bërë një kërcënim potencial për rimëkëmbjen ekonomike.
Përhapja e variantit të ri të virusit, varianti Omicron, përbën një rrezik të kahut të poshtëm në afat të shkurtër, nëse shoqërohet me mbyllje të ekonomive në partnerët tanë tregtarë apo me shtim të mëtejshëm të kufizimeve për lëvizjen e njerëzve. Po ashtu, rritja e çmimeve në tregjet botërore – e cila vlerësohet dhe pritet të jetë e përkohshme nga pjesa më e madhe e analistëve – mund të provohet të jetë më e gjatë dhe e fortë se vlerësimet aktuale. Në këtë rast, ajo do të përbënte një burim presionesh inflacioniste i cili duhet të merret në konsideratë nga politika monetare, në formën e një shtrëngimi të mëtejshëm të politikës monetare,” thuhet në parashikimin e Bankës së Shqipërisë për revistën Monitor, lidhur me zhvillimet e pritshme në ekonomi gjatë vitit 2022. /E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.